E-Diaspora

Solidarizim i madh me familjen që humbi dy më të dashurit në pak ditë

Familja Neziraj nga fshati Babidol i Rahovecit, me qëndrim prej pak vitesh në Zvicër, ka pësuar një tragjedi të rëndë, të dyfishtë. Brenda vetëm pesë ditëve kanë humbur jetën dy pjesëtarë të saj: Lirimi 20 vjeçar dhe babai i tij, Hamza, 52 vjeçar. Albinfo.ch ka vizituar familjen, në periferi të Cyrihut, skaj hekurudhës që u bë fatale për jetën e Lirimit dhe pastaj edhe të babait të tij, Hamzës.

Dhembja e thellë u lexohet në sy zonjës së shtëpisë, Xhejlanes dhe vajzës gjegjësisht motrës, Fjollës. Është një dhembje që nuk shërohet, nuk ka ngushëllim. Megjithatë, prania e kujdestarit shpirtëror, të angazhuar nga institucionet përkatëse, që në këtë rast është imami Shaban Azizi nga Tetova, sikur e lehtëson deri diku barrën e dhembjes, duke e shpërndarë atë në më shumë shpirtra.

Në strehën  provizore ku jeton familja Neziraj, që është një kompleks kontejnerësh të një qendre strehimi për azilkërkues, kanë ardhur edhe familjarë tjerë më të largët për t`i ngushëlluar dhe për të qenë më pranë familjes së pikëlluar.

Ndërkohë që Fjolla, me gjithë pikëllimin flet pandërprerë, informon gjerësisht për tragjedinë, Xhejlanja rri e mbyllur në zinë e saj dhe përgjigjet vetëm kur e pyesin. Me po ose jo.

“Tragjedia është më e madhe pasi që kemi qenë afër atëherë kur ka ndodhur ajo dhe e kemi parë e dëgjuar. Madje babai ka qenë në afërsi më të madhe dhe ai e ka parë drejtpërdrejt të gjithë skenën e tmershme, kur Lirimi është kapur nga rrotët e trenit dhe është bartur disa metra, duke u shkëputur pastaj nga to si trup i copëtuar. Kjo e ka bërë edhe më të rëndë traumën e babit”, thotë Fjolla, tregon e motra për albinfo.ch. Ajo shton se kjo edhe i ka sjellë atij sulmin në tru dhe në fund edhe vdekjen. Po, babi ka vdekur nga mërzia e madhe për vdekjen e Lirimit”, është e bindur ajo.

Sipas saj, babai, Hamza gjatë atyre pak ditëve sa ka jetuar pas vdekjes së të birit, është shprehur shumë i dëshpëruar dhe e ka shtyrë kohën me një ndjenjë të thellë faji: “E solla djalin për shërim dhe në vend se të shërohej, ai u mbyt”, thoshte ai vazhdimisht.

Lirimi që nuk arriti të jetonte më shumë se 20 vjet, ka qenë i sëmurë nga epilepsia dhe nga autizmi, sqaron e motra dhe kjo, pra sëmundja e tij, ka qenë arsyeja për të cilën kanë ardhur në Zvicër: që të gjejnë shërim për të.

Fjolla shpreh pakënaqësinë e saj dhe të familjes ndaj SBB-së (Ndërmarrja Federale e Hekurudhave), për mungesën e masave të sigurisë në vendin ku banon familja. Kompleksi i kontejnerëve është jo më larg se 30 metra nga hekurudha ndërsa oborri i qendrës është praktikisht ngjitur me hekurudhën. Dhe në këtë pikë ka afër një vit që mungonte teli rrethues, i cili kishte qenë më parë i vendosur aty.

Tash një kohë qasja nga oborri në hekurudhë ka qenë krejtësisht e lirë dhe e pambrojtur. Ajo thotë se një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë pasi që dihet se këtu ka edhe fëmijë dhe njerëz të sëmurë dhe ata mund të pësojnë, siç pësoi vëllai im. “Edhe pse jemi azilkërkues, edhe ne jemi njerëz si të gjithë dhe na takojnë të drejta të barabbarta për jetë të sigurt”, shton ajo e mllefosur.

Pas aksidentit të rëndë, në vendin që më parë ishte i hapur  është vendosur një mburojë pëlhure që e ndalon pamjen dhe qasjen e vendit në fjalë

Dhimbja e madhe që ka pllakosur familjen Neziraj ka ngjallur ndjenjën e solidarizimit te shumë bashkatdhetarë tanë në Cyrih e më gjerë. Duke u gjetur i përfshirë drejtpërdrejt si kujdestar shpirtëror i familjes, imami Azizi ka iniciuar një aksion grumbullimi parash për transportimin e kufomave për t`i varrosur në vendlindje.

“Mbrëmë e iniciova me një rreth miqësor këtë aksion dhe për më pak se dy orë u grumbulluan mbi 7000 franga”, thotë për albinfo.ch imami Azizi. Ndërsa kur po flisnim me të, kishin mbetur edhe 3-4 orë deri në mbylljen e aksionit dhe ishin grumbulluar tashmë rreth 10 mijë franga. “Për transportimin e kufomave nevojiten 5500 franga ndërsa pjesën tjetër të parave të grumbulluara do t`ia dorëzojmë familjes Neziraj për nevojat e saj të ngutshme”, sqaron Shaban Azizi.

Ndërkaq, asnjëri nga familjarët nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në varrimin e më të dashurve, nesër, në Babidol të Rahovecit. “Mua që kam vizën F, parimisht më lejohet shkuarja por procedura për këtë zgjat të paktën dy javë”, thotë Fjolla, e cila është duke mbaruar një shkollim për infermieri. “Ndërsa nënës dhe vëllait i kanë thënë se mund të shkoni vetëm me kusht që të mos ktheheni më këtu”, shton ajo. Në këto kushte, varrimi bëhet pa praninë e familjarëve më të afërt të viktimave.

Policia e Qytetit e Cyrihut ka vërtetuar për 20 minuten se në ditën e përmendur (21 shtator) një person ka përfunduar nën rrotat e trenit dhe se “sqarimet janë në vazhdim e sipër”.

Ndërsa nga SBB, pasi që i shprehin ngushëllime familjes, u përgjigjen edhe akuzave të pjesëtarëve të kësaj familje për faktin se binarët nuk janë mjaftueshëm të siguruar.

“Hekurudhat janë në bazë të ligjit të siguruara në mënyrë standarde (ndalimi i kalimit nëpër to). Ndërsa një masë sigurie parandaluese në një rrjet prej më shumë se 3000 kilometrash dhe në rreth 800 stacione hekurudhore, üështë i pamundur. “Në vendet ku ndodhin më shpesh aksidente, SBB kërkon dialog me pronarët e trojeve (rreth hekurudhës) ka thënë zëdhënësi.