Lajme

Mërgimtari investon në kopshtin e fëmijëve në Prizren

"Nuk është zbulim të themi se në Kosovë është keq. Të gjithë e dimë, por kush është ai që do të na i rregullojë punët" thotë Pal Shtufi

Pal Shtufi, pedagog, jeton në Zvicër që nga viti 1992. Tre vjetët e fundit Pali është njëri nga themeluesit e revistës “Albsuisse” në Cyrih, ndërsa që nga viti 2009 ka themeluar qendrën pedagogjike PEDAKS në Prishtinë. Ai ka vendosur të kthehet në Kosovë për të jetuar e vepruar atje.

Kthimin e tij e ka vulosur kopshti i fëmijëve parashkollorë në Prizren, të cilin nga nëntori 2010 e ka marrë nën përkujdesje nga Komuna e Prizrenit. Me Pal Shtufin biseduam edhe për disa tema që lidhen me diasporën dhe mundësinë e kthimit në atdhe.

Gjendja aktuale në kopshtin “Yllka”

“Që prej para rreth dy vjetësh unë kam filluar të kërkoj rrugët për t’u kthyer në vendlindje. Dhe, para së gjithash kam dashur që kthimi të ketë një mbështetje në ndonjë aktivitet të dobishëm për vendin tim, si dhe për mua personalisht”, e filloi Pal Shtufi shtjellimin  rreth  vendimit të tij për t’ u kthyer në Kosovë. Ishte rastësi ose qëllim, aktiviteti me të cilin do të lidhte ai kthimin në Kosovë do të ishte nga fusha e pedagogjisë, ajo që ai e njeh më së miri.

“Në verën e vitit 2009 mora një iniciativë për të themeluar një qendër pedagogjike në Prishtinë dhe këtij qëllimi ia arrita me ndihmën e shumë kolegeve dhe kolegëve në Kosovë. Tani kjo qendër quhet PEDAKS (Pedagogjia e Kosovës). Menduam të fillojmë me projekte të caktuara, e madje një projekt, me financimin e fondacionit SOROS arritëm edhe ta realizojmë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, Pal Shtufi (në mes) dhe Minir Krasniqi

“Me kalimin e kohës e kuptova se një qendër pedagogjike nuk mund të funksionojë duke pritur donacionet, sepse koha  e emergjencës në Kosovë ka kaluar dhe tash është shumë vështirë të përfitosh nga donacionet”, vazhdon Pali. Prandaj, ai orientohet në një investim jo shumë të zakonshëm në Kosovë, sidomos për investuesit që vijnë nga diaspora: vendosa të hap një kopsht fëmijësh.

Marrja me koncesion e kopshtit “Yllka”

“Si pedagog, mendja gjithmonë më ka punuar për ta bërë një kopsht të fëmijëve, aq më tepër në Kosovë, ku nuk është bërë asgjë për fëmijët parashkollorë. Kam parë se me iniciativë personale në Kosovë mund të arrish rezultate, ngase njerëz vullnetmirë ka mjaft. Dhe, duke takuar kolege e kolegë të ndryshëm si dhe duke i vizituar shumë kopshte parashkollore në Kosovë, zbulova se në Prizren kopshti “Yllka” është në një gjendje pothuajse para shkatërrimit. Kopshtin e vizitova dhe nga afër pashë problemet e grumbulluara.

Rrugëdalja e vetme ishte bankrotimi i kopshtit “Yllka” ose shpallja e një tenderi për privatizim. Pasi që Komuna e Prizrenit shpalli tenderin, unë natyrisht se mora pjesë me projektin tim, i cili fitoi kuotën më të lartë të vlerësimit”. I pyetur nëse kopshti “Yllka” tash e tutje i takon atij si pronë private, bashkëbiseduesi ynë sqaron se atë e ka në koncesion për 30 vjet. “Pas kësaj kohe, të gjitha investimet i mbesin Komunës”.

Por, ndërkaq, investuesi i ri ka konstatuar se shkatërrimi i kopshtit që ka marrë në mbikëqyrje është më i madh se sa kishte menduar, prandaj edhe do të nevojiten më shumë mjete për vënien në jetë të projektit. Ai thotë: “Shkatërrimi i këtij objekti ka qenë tej mase i madh”.

Objekti është rreth 2200 m2 (për rreth 450 fëmijë) dhe përveç substancës së betonit (muret dhe kulmi), asgjë tjetër nuk është funksionale, nga rryma e uji, e deri te personeli edukativ. Që ditën kur e kam nënshkruar kontratën e kam ndalur punën me fëmijët, deri sa të përfundojmë renovimin që e kemi filluar”.

Ndërtesa, pamje nga jashtë

Kosova, vend i sigurt për investime

Lidhur me vështirësitë që i dalin në rrugë një investuesi nga diaspora mund të thuhet se për Pal Shtufin “Kosova nuk është Zvicër. Ajo ka problemet e veta, por nuk do të thosha se është e pasigurt për investime. Fundja, Kosova është vendlindja ime, aty kam rrënjët dhe identitetin tim. Dhe, shikuar nga ky pikëvështrim, unë them se ia vlen të investosh në vendin tënd”.

Natyrisht, e di që do të përballem me vështirësi të natyrave të ndryshme, por nëse ne nuk e ndihmojmë vendin tonë, sigurisht se këtë nuk do ta bëjnë as të huajt. Mendoj se diaspora ka krijuar një perceptim të gabueshëm për  Kosovën. Nuk është zbulim të themi se në Kosovë është keq.

Të gjithë e dimë se është shumë keq, por kush është ai që do të na i rregullojë punët”, pyet Shtufi.  Ai po ashtu shton se gjendja në Kosovë nuk ndryshon për të mirë vetëm duke u dërguar të holla të gatshme familjeve tona atje.

“Nuk përmirësohet gjendja në Kosovë duke dërguar para për çdo muaj te të afërmit tanë, apo duke organizuar dasma të shtrenjta. Paratë e diasporës që shkojnë në Kosovë si formë asistence i kanë bërë njerëzit parazitë. Ato para shfrytëzohen kryesisht për mbijetesë ose, thënë shqip, për të jetuar pa punuar”, thotë Pal Shtufi.

Një mënyrë për të evituar këtë është shkuarja atje për të investuar dhe për të jetuar. “Ai që ka bërë përvojë e kulturë pune në Perëndim, do të dijë si ta realizojë me sukses një projekt. Këtë e kanë dëshmuar të gjithë ata që janë kthyer në Kosovë”, thekson ai.

Pamje e një korridori

Pal Shtufi bën pjesë tashmë në grupin e investuesve të kthyer nga diaspora për të jetuar në Kosovë. Ai thotë se mendon të jetojë atje dhe të drejtojë punën e re që ka nisur. “Unë jam kthyer për të punuar dhe për të jetuar në Prizren. Aty e kam blerë tani edhe një banesë dhe tërë përqendrimin e kam në misionin tim “Yllka””, thotë Pali, duke folur rreth kthimit të tij në Kosovë. Por ai nuk pëlqen që rreth këtij kthimi të flasë me terma përfundimtarë, sepse, siç e thotë: “Në kohën e sotme të një dinamizmi marramendës nuk vihen kufij në stilin “u kry me Zvicër. Kurrë më”, etj.

Mërgimtarët e kthyer në Kosovë, investitorë të suksesshëm

Nga Zvicra nuk jam “shlyer”, por mund të them se tani çdo gjë ia kushtoj vendit tim. Ngrohtësia që më jep vendi im është një joshje që nuk mund ta injorosh, edhe pse kushtet nuk janë si në Evropë. Më mjafton fakti se për herë të parë në jetën time nuk po ndihem i huaj. Vendi ynë ka nevojë jo vetëm për paratë dhe për punën tonë, por, para së gjithash për kulturën e punës që e kemi mësuar në Perëndim”, shton Pali.

Për Pal Shtufin “mërgimtarët që janë kthyer nga Zvicra për të investuar në Kosovë (aq sa unë i njoh), që të gjithë janë maksimalisht të suksesshëm. Këtë ma ka thënë edhe ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, i cili për çdo muaj darkon me të gjithë shtetasit zviceranë që jetojnë në Kosovë. Në këto darka informohen njerëzit për më të rejat në rajon dhe në Evropë si dhe njihen të gjithë ndër vete dhe ndoshta aty fillojnë edhe ndonjë aktivitet të përbashkët”.

Pamje e jashtme e kopshtit 

Ambasada e Zvicrës si dhe i gjithë personeli janë shumë aktivë dhe të përkushtuar në këtë drejtim. Secili nga ne të kthyerit, pa asnjë minutë burokraci, mund të kontaktojnë me secilin nga personeli i ambasadës dhe nga ata të marrim çdo përkrahje të mundshme”.

Duke u ndërlidhur me projektet zvicerane të realizuara në Kosovë në fushë të edukimit, ai përmend si shembull të mirë punën e Caritasit dhe të Institutit për hulumtime praktike, IPF-Multiversity nga Solothurni i Zvicrës. Këta kanë themeluar qendrën “Dielli” në Drenas dhe kanë udhëhequr me vetëfinancim dy kopshte të vogla në Prizren, një në Gjakovë dhe një në Drenas.

Edukatorët që kanë dalë nga duart e këtyre njerëzve janë shembull në Kosovë. Pra, kur sheh se si punojnë zviceranët në Kosovë me vite të tëra, natyrisht se ndjehesh i nxitur nga kjo shëmbëlltyrë. Mund të them se puna dhe shembulli i tyre më kanë dhënë shumë forcë e guxim për t’i hyrë një pune kaq të madhe për mua si individ”, thotë në fund të bisedës për albinfo.ch, Pal Shtufi.