CH-Ballkani
Gjilanasit i kushtojnë këngë qytetit të tyre

Mbrëmë është kënduar për herë të parë kënga kushtuar Gjilanit, në një organizim që është bërë në ambientet e kafiterisë „Soho“ në Gjilan, ku është promovuar albumi i parë i këngëtarit gjilanas Faton Isufi, shkruan albinfo.ch
Në mesin e dhjetë këngëve të albumit „Premtoj“, këngëtari i ri, Faton Isufi, ka veçuar këngën për Gjilanin si pjesën më të bukur të albumit të tij.
Tekstin e kësaj këngëje e ka shkruar Arbëresh Dalipi, muzika dhe orkestrimi janë realizuar nga Endrit Rexhepi dhe Pimi Isufi, ndërsa në instrumentet orientale ka luajtur instrumentisti i njohur Astrit Stafaj.
Në këtë promovim kjo këngë është cilësuar si njëra nga realizimet më speciale që i kushtohet historisë së qytetit, me të cilin janë të lidhur emocionalisht shumë qytetarë gjilanas. E veçmas, kjo këngë prek ata gjilanas që nuk janë më rezident në këtë qytet.
Autori ka dhënë një përshkrim të gjerë për këngën duke sjellë detaje nga teksti, i cili përshkruan në kuvertën e albumit këngën për Gjilanin si këngë origjinale kushtuar historisë së qytetit të Gjilanit, që nga themelimi, lulëzimi ekonomik, kontributi historik, deri te legjendat dhe bejtet për qytetin.
“Për ta ngjeshur krejt këtë histori në një këngë, është dashur patjetër që të mos e personalizonim apo të mos e kufizonim në emra të përveçëm, por për këtë të përdornim përshkrime përgjithësuese për t’i përfshirë të gjithë brenda rrëfimit”, ka sqaruar autori i tekstit Arbëresh Dalipi.
Faktet që kishte shkëputur nga historia ishin interesante për të pranishmit, kur u tregua se ora e sahakullës së vjetër të qytetit, e cila ishte në lokacionin e shtëpisë së mallrave, pas rrënimit i ishte vendosur kishës ortodokse të qytetit. Lagjja e bejlerëve ishte afër çarshisë së zejtarëve, të cilat i ndante rruga. Qyteti në atë kohë kishte një shatërvan dhe rreth 22 çeshme. Kishte rreth 151 zeje zë ndryshme, 242 dyqane zejtare dhe një çarshi të mbyllur, bezistan, me rreth 60 dyqane. Në atë kohë kishte edhe 20 hane që ofronin shërbime fjetjeje për udhëtarët dhe kafshët e ngarkesës. Autori gjithashtu shpjegoi edhe arsyen e përmendjes së mejtepeve në njërën anë, që ishin shkollat e fesë dhe mejhaneve, që ishin pijetoret e kohës në anën tjetër, kjo për arsyen e përfshirjes së të dy shtresave të shoqërisë, edhe atyre që ishin të shkollës, edhe atyre që bënin qejf në pijetore.
Në përshkrimin e procesit të realizimit të këngës, autori i tekstit rrëfeu para pjesëmarrësve edhe disa ngjarje që e karakterizuan këtë proces derisa kënga u finalizua.
„Për ironi, unë dhe Fatoni nuk po jetonim prej disa vitesh në Gjilan, dhe kjo na paska bërë që t’i kushtojmë këtë këngë Gjilanit “, u shpreh para një audience të gjerë artdashëse, duke e quajtur me sarkazmë Prishtinën si një vend të largët e duke i krahasuar veten veten dhe gjilanasit e tjerë që po punojnë në Prishtinë me të shpërngulurit në Turqi.
E për ta përmbyllur krejt këtë histori dhe dashuri për qytetin, kënga përfundon me strofën:
Sado gjatë unë të jetoj
Kudo në botë jeta me më çu
Me asgjë Gjilan s’të ndërroj
Dhe në amshim kam me të kujtu
Teskti i këngës:
KËNGA E GJILANIT
Kam shumë mall për gjolet tua
Për kalldrëmin në çarshi
N’sahatkullë me e matë ditën
N’shatërvan ujtë tënd me pi
Me mejtepe e me mejhane
Me bejlerë e zanatli’
Vend i vjetër për pazare
Me tregtarë e me hanxhi
Ref:
Pa të drejtë ty të kan pas thanë:
O Gilan he viran
Shtatë mejhane nji dyqan
Mos t’ish kan qai shatërvani
Shkret pa të ish mbet Gilani
Ke pasë nam Gjilan ndër vite
N’histori me nder ke hy
Për gjithë vendin ke dhanë emra
Dijetarë, pishtarë t’lirisë
Por ti vuajtjet i mban në zemër
N’gji e mban dhe krenarinë
Se askush ty s’ta ul namin
Askush ty s’ta prek lavdinë
Ref:
Pa të drejtë ty të kan pas thanë:
O Gilan he viran
Shtatë mejhane nji dyqan
Mos t’ish kan qai shatërvani
Shkret pa të ish mbet Gilani
Kush t’pagëzoi me t’bukurin emër
E të bekoi ty me dashni
Loti i syrit të Gjejlanes
Pengu i ushtarit të ri
Sa do gjatë unë të jetoj
Kudo në botë jeta me m’çu
Me asgjë Gjilan s’të ndrroj
Dhe n’amshim kam me t’kujtu
Këndon:
Faton Isufi
Orkestrimi:
DUOBAS records
Endrit Rexhepi
Pimi Isufi
Llautë & Saz:
Astrit Stafa
Teksti:
Arbëresh Dalipi
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Ekuipazhi i ‘Wizz Air’ akuzoi gabimisht pasagjerët për vjedhjen e telefonit të rojes së sigurisë Nga Londra në Tiranë: Shtyhet fluturimi me 90 minuta vonesë...
-
Po kërkohej nga Austria, arrestohet në Morinë shtetasi i Kosovës
-
Pas Berlinit, kori “Siparantumi” do të dhurojë spektakël në Tajlandë
-
Vjenë: Illyrian Brains organizon event për profesionistë të rinj shqiptarë
-
Muaji maj, muaji i festivaleve për SH.K.A “Dardania” në Winterthur
Jeta në Austri
-
Austri: 2500 vende të rezervuara për punëtorë sezonalë nga Ballkani Perëndimor Për të kundërshtuar mungesën e vazhdueshme të fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, qeveria austriake ka...
-
Vjenë: Illyrian Brains organizon event për profesionistë të rinj shqiptarë
-
Çmimet më të larta dhe dërgim më i ngadaltë: Çfarë po ndryshon në postën austriake nga maji 2025
-
La Austrinë për të jetuar e punuar në Kosovë
-
Austri: Rënie e ndërtimit të banesave