CH-Ballkani

Rrënjët e muzikës tallava në Kosovë

Shpesh mund të dëgjohet qëndrimi se “dasmat s’kanë lezet pa tallava”, ajo i bën njerëzit që ta pushtojnë hapësirën e kërcimit

Në orën e parë të një dasme shqiptare, shumica e mysafirëve qëndrojnë ulur me biseda ditore. Të paktë janë ata që kërcejnë në sallë, atmosfera duket formale dhe e ngadalshme. Papritur gjatë, muhabeti formal ndërpritet dhe të gjithë e zhvendosin vëmendjen kah hapësira e valles duke e regjur atë, tingujt tallavasë jehojnë në ambient.

Në mbi 20 dasma në Kosovë kam qenë dëshmitar i kësaj pamjeje. Kur i tregova disa shokëve se jam duke hulumtuar për tallavanë, shumica mendonin se do ta ‘shkelmoja’ atë. Ca të tjerë e mendonin pikërisht të kundërtën se do t’i shaja ‘urrejtësit e tallavasë’. Mirëpo, ky shkrim e eksploron mënyrën se si njerëzit i mohojnë cilësitë e tallavasë, dhe më së shumti si tallavaja u bë kaq popullore, shkruan ‘Kallxo.xom’.

Një nga stilet më të njohura muzikore në Kosovë, tallavaja, u lind nga komunitetet rom dhe ashkalinj në Ballkan gjatë 1980-1990 dhe për një kohë të shkurtë u bë e njohur edhe për shqiptarët. Sot ky stil në të njëjtën kohë përjetohet (shijohet) dhe përbuzet nga publiku shqiptar. Përderisa njerëzit kërcejnë me tingujt e tallavasë në dasma e ahengje, tallavaja shpesh nënvlerësohet dhe konsiderohet si stil ‘inferior’ i muzikës, përcjell albinfo.ch.

Shpesh mund të dëgjohet qëndrimi se “dasmat s’kanë lezet pa tallava”, ajo i bën njerëzit që ta pushtojnë hapësirën e kërcimit.

Disa nga këngët tallava më të njohura janë “Mihane” dhe “Pina Viski”, këngë këto që dëgjohen në shumë dasma. Madje, tallavaja përfshin edhe valle siç është gajdia e Gjilanit, burrnisht-ja dhe çoçeku.

Muzikanti rom nga Kosova, Bajram Kafu Kinolli thotë se statusi i tallavasë në kulturën shqiptare ka të bëjë me racizmin po ashtu edhe me tendencën për të bërë ‘demarkacion’ të qartë ndërmjet asaj që mendohet si pjesë e kulturës shqiptare dhe asaj që shihet si ‘e ardhur nga jashtë’.

Kafu Kinolli, vokalisti i bendit Gypsy Groove, shprehet se ky raport vjen nga diskriminimi ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve nga shqiptarët e Kosovës.

Fjala “tallava” në shqip ka marrë kuptim pezhorativ, që shkon përtej përshkrimit të një stili muzikor.

Fjala tallava ka marrë kuptim negativ në shqip, që shkon përtej përshkrimit të stilit muzikor. “Debat tallava” mund t’i referohet një bisede të çrregullt, ‘politikë tallava’ i referohet një politike të bërë lëmsh dhe ‘tallava e madhe’ përdoret për të përshkuar ‘një lëmsh të madh’.

Astrit Stafai, profesor dhe multi-instrumentist nga Kosova thotë se publiku shqiptar e lidh tallavanë me muzikën çerektonëshe, ndërsa tallavanë e konsideron muzikë të nivelit të ulët, thekson ai për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Mikaela Minga, muzikologe nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, në artikullin e saj në Peizazhe të Fjalës, e përshkruan marrëdhënien e shqiptarëve në diskriminimin e tallavasë si marrëdhënie “dashuri/urrejtje”.

Stili muzikor u luajt për herë të parë nga ashkalitë dhe romët në vitet e 80-ta, me gjasë në Kosovë apo Maqedoni. Që nga atëherë është transformuar duke e bërë rrugën e saj në pjesë të tjera të Ballkanit. Sipas Kafu Kinollit, tallavaja ka kaluar në disa faza të transformimit.

Tallavaja shpesh ngatërrohet me turbofolkun, më së shumti për shkak se të dyjat përdorin instrumente të ngjashme dhe në raste të ngjashme.  Mirëpo njohësit e muzikës argumentojnë se dallimet ndërmjet këtyre zhanreve janë të mëdha, duke qenë se “turbo-folku është hibrid i dy stileve muzikore – muzikës popullore dhe popit”, siç shprehet kompozitori Liburn Jupolli.

Përderisa është e pamundur të përcaktohet se nga ku ka filluar tallavaja, muzikologët supozojnë se është përhapur në masë për herë të parë në Kosovë dhe Maqedoni në vitet e 80-ta dhe ato të 90-ta.

Visar Munishi, hulumtues i kulturës popullore në Departamentin e Muzikologjisë në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, beson se ky stil muzikor ka filluar në Maqedoni e më pas ka ardhur në Kosovë.

Kafu Kinolli shprehet se tallavaja karakterizohet nga përdorimi i improvizimit dhe tregimi i historive.

Kritikët, nga ana tjetër, thonë se tallavaja nuk “i plotëson kriteret” për të qenë zhanër muzikor për shkak të mungesës së formës dhe përdorimit të tepërt të improvizimit. Një qëndrim të tillë e ka edhe Stafai.

Ai shprehet se e sheh si të mrekullueshme mënyrën se si kjo muzikë luhet nga muzikantët romë.

Eli Krasniqi, antropologe kulturore, mendon se ndërthurja e kulturave është aspekt qendror i muzikës dhe shoqërisë.

Krasniqi thotë se mendimet për huazimet kulturore dhe se a duhet të ketë ndarje të qartë ndërmjet kulturës shqiptare e rome në këtë rast shpesh formohen nga racizmi.

Mund të ketë edhe njëfarë selektimi, pra përdorimi i tallavasë për përfitime ekonomike, pa i ndryshuar qëndrimi ndaj romëve dhe kulturës së tyre.