Tematike

Eksperti shqiptar shpjegon se çfarë po ndodh me bankën Credit Suisse

Për të mësuar më shumë lidhur me atë që po ndodh në lidhje me Credit Suisse, albinfo.ch ka intervistuar ekspertin e financave, Gzim Hasanin

Tema numër një në Zvicër, por edhe jashtë saj, ka disa ditë që është shuarja e bankës së madhe tradicionale, Credit Suisse, dhe blerja e saj nga banka tjetër, më e madhja në Zvicër, UBS.

Për të sqaruar më për së afërmi lidhur me rastin e jashtëzakonshëm që po ndodh në sferën e financave të Zvicrës, albinfo.ch ka intervistuar ekspertin e financave, Gëzim Hasanin.

albinfo.ch: Fundjava e kaluar solli shumë të papritura në Zvicër. Pas dy ditë negociatash mes ministrave të qeverisë zvicerane, Bankës Kombëtare dhe gjigantit bankar zviceran UBS, ky i fundit ka blerë rivalin e saj Credit Suisse për 3 miliardë euro. Çfarë do të thotë kjo për ju si një profesionist financiar?

G. Hasani: Në të kaluarën, qendra financiare zvicerane është dalluar gjithmonë si një strehë e qëndrueshme dhe e sigurt. Me rënien e Credit Suisse, ky reputacion sigurisht që ka pësuar në kontekstin ndërkombëtar. Megjithatë, jam i mendimit se blerja nga UBS është zgjidhja më e mirë nga të gjitha dhe tregon se interesin më të madh për një qendër financiare të shëndetshme nuk e ka vetëm ekonomia, por edhe politika.

albinfo.ch: Cila ishte arsyeja që CS të kërkonte mbështetje për likuiditet nga qeveria zvicerane?

Gëzim Hasani: Credit Suisse, edhe pse e pajisur me kapital të mjaftueshëm, ka pësuar një humbje të konsiderueshme të besimit në javët dhe muajt e fundit. Edhe reputacioni i një banke, përveç situatës financiare, është po ashtu një aset kyç.
Klientët, por edhe investitorë të tjerë si bankat, kanë humbur besimin për shkak të titujve të shumtë negativë në media dhe po heqin likuiditetin nga CS në intervale gjithnjë e më të shkurtra.

albinfo.ch: Kush përfiton dhe kush humb duke blerë Credit Suisse?

G. Hasani: Përveç aksionarëve, humbësit më të mëdhenj janë punonjësit e bankës. Për shkak të dyfishimeve të shumta në pozitat qendrore si burimet njerëzore, të marketingut ose ligjore dhe Compliance, si dhe për shkak të degëve në komunat ku ndodhet edhe UBS, do të ketë shkurtime të konsiderueshme të vendeve të punës. Nëse e bën punën siç duhet, UBS duhet të jetë përfituesi. Ajo po blen për rreth 3 miliardë CHF një bankë që në shumë pjesë të saj është gjithashtu shumë e shëndetshme dhe fitimprurëse, një bankë pra si CS me kapital prej 50 miliardë CHF dhe një vlerë kontabël prej 40 miliardë CHF. Këtë po e bën për ta integruar në “shtëpinë e vet dhe ose për të shitur pjesët jofitimprurëse apo edhe për të t’i çmontuar ato në mënyrë të njëpasnjëshme.

albinfo.ch: A ka rrezik financiar për tatimpaguesit?

G. Hasani: Meqenëse si Qeveria Federale ashtu edhe Banka Kombëtare ofrojnë garanci dhe likuiditet për transaksionin, ai në fund të fundit është gjithashtu një rrezik për tatimpaguesit. Sa i lartë është ky rrezik nuk mund të thuhet sot dhe vetëm koha do ta tregojë.

albinfo.ch: Cili është ndikimi i mbështetjes së qeverisë përmes dividentëve dhe bonuseve?

Gëzim Hasani: Me faktin që Credit Suisse po merret nga UBS, ajo ka fuqinë të vendosë për dividentët dhe bonuset. Megjithatë, për sa kohë që marrja nuk ka përfunduar (kjo quhet “mbyllje”), këto vendime mbeten në CS.

albinfo.ch: Pse Këshilli Federal i Zvicrës duhej të miratonte ligjin e emergjencës?

G. Hasani: Sipas Kushtetutës Federale, Këshilli Federal ka të drejtë të marrë vendime në një situatë emergjente pa pasur nevojë të respektojë konsultimet dhe proceset e zakonshme politike nëpërmjet Parlamentit, duke përfshirë dy dhomat e Parlamentit të vendit.