Tetovari, doktorant i shkencave kompjuterike në Zvicër

Gjithçka thotë të ketë filluar me kompjuterin e parë, që ia kishin blerë prindërit e tij, kur Iliri ishte në klasën e pestë. Jo vetëm kompjuterët, por edhe matematika e kishte sfiduar asistentin në Universitetin e Bazelit. Ilir Fetai në doktoratën e tij ka kombinuar matematikën si dhe aplikimin e matematikës në lëmin e shkencave kompjuterike. Ai gjatë rrugëtimit të tij akademik në Zvicër kishte gjetur mbështetje të madhe në të gjithat institucionet nëpër të cilat kishte kaluar, qoftë gjatë përvojës profesionale nëpër kompani të ndryshme, qoftë në institucionet akademike. „Rruga për të arritur një qëllim të caktuar nuk është e lehtë, sidomos në Zvicër, ku kërkesat kualitative janë shumë të larta. Duhet një punë dhe disiplinë e lartë“, flet për përvojat e tij doktoranti me origjinë nga Tetova e Maqedonisë.

Hapi i ardhshëm, mbarimi i disertacionit të doktoratës

„Shkencat kompjuterike më kanë ndjekur që nga klasa e 5-të e shkollës fillore, ku edhe prindërit me dhuruan kompjuterin e parë. Shkencat kompjuterike janë tepër ngushtë të lidhura me matematikën, të cilën unë e kam dashur shumë. Studimi i shkencave kompjuterike ishte një mundësi e mirë për mua që të kombinoj të dyja, matematikën, si dhe aplikimin e matematikës në lëmin e shkencave kompjuterike“, thekson Ilir Fetai.

“Në jetën akademike zvicerane është e zakonshme që pas mbarimit të doktoratës të ketë një angazhim të ashtuquajtur Post-Doc, para se të avancohet në funksionin e profesorit universitar. Post-Doc do të thotë Pas-doktoraturës dhe është një vazhdim i aktiviteteve mësimdhënëse dhe hulumtuese. Shpresoj dhe besoj se do angazhohem në programin Post-Doc në njërin nga universitetet e Zvicrës“, thekson tetovari. Disertacioni i Ilirit është në përfundim e sipër dhe ka si temë kryesore menaxhimin e të dhënave në sistemet Cloud.

Studimi, punë që shpaguhet

Doktoranti ka këshilluar të gjithë studentët shqiptarë që të mos lënë gurë pa lëvizur në arritjen e qëllimeve të veta. „Zvicra ka një sistem tepër kualitativ të shkollimit, sidomos atij universitar dhe është një prestigj i madh të mbarojnë studimet në njërin nga universitetet e Zvicrës. Natyrisht, si gjithkund në jetë duhet angazhim në punë, por të gjitha këto shpaguhen kur e arrin suksesin. Gjithashtu të gjitha universitetet, e sidomos Universiteti i Bazelit ku unë jam aktiv, i suportojnë studentët në mënyrë të shkëlqyeshme. Profesorët janë shumë të angazhuar që t‘u ofrojnë studentëve mësim të kualitetit të lartë, por gjithashtu t‘u japin mbështetje në të gjitha sfidat që iu dalin përpara gjatë studimeve“, tha Ilir Fetai, i cili kishte migruar në vitin 1999, ndërsa babai i tij që nga viti 1990 punon në Zvicër.

Përvoja profesionale

Nga 2011-ta Iliri është asistent në shkencat kompjuterike në Universitetin e Bazelit. Po ashtu nga i njëjti vit është docent i shkencave kompjuterike në Universitetin e Shkencave Aplikative të  Zvicrës në „Fernfachhochschule“ Zvicër. Po ashtu Ilir Fetai është edhe docent i shkencave kompjuterike në Shkollën e Lartë Teknike në IBZ. Nga 2014 –ta ai është docent i shkencave kompjuterike në Shkollën e Lartë të Ekonomisë dhe Informatikeës,  WISS. Nga 2006 – 2011: Software Engineer, RTC AG, Bern. 2001 – 2006: Software Engineer, Keymile AG. Bern *Shkollimi:* 2011 – deri tash: doktorata në shkencat kompjuterike në drejtimin: „Databases and Information Systems“ në Universitetin e Bazelit. Në të njëjtin universitet nga 2008 – 2011 ka  magjistruar në shkencat kompjuterike (MSc) në Universitetin e Bazelit. Studimet e shkencave kompjuterike i kishte përfunduar në Universitetin e Shkencave Aplikative në Bernë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kishte mbaruar në Tetovë të Maqedonisë.

 

Shqiptarja nga Zvicra përfaqëson bukurinë e Kosovës në Kore


Është e lindur në Zvicër, por në zemër e ka Kosovën. Liridona Uka nuk është e panjohur për publikun shqiptar. Me modelim ajo merret që prej moshës 16-vjeçare. Pos sfilatave të shumta, ajo ka arritur t’ua rrëmbejë çmimin e parë vajzave të Dukagjinit, duke fituar në spektaklin “Top model Dukagjini 2009”. Po ashtu Liridona është zgjedhur edhe “Miss Zvicra – Shqiptare” në një spektakël të organizuar nga bashkatdhetarët tanë këtu. Ka marrë pjesë edhe në videoklipin e këngëtarit Edi Gjakova, kurse prej kohësh është modele e agjencisë “Bora Balaj Fashion”, e njohur për kreacionet e saj për veshje kombëtare dhe fustane solemne.Sukseset e shumta në fushën e modelimit dhe spektakleve të bukurisë e kanë bërë 23-vjeçaren Liridona Uka të zgjedhet si bukuroshja më e denjë për të përfaqësuar Kosovën në spektaklin e bukurisë “Miss First Beuty World 2014” në Kore. Ajo ka disa ditë që është duke qëndruar atje dhe duke u përgatitur për finalen e madhe që do të mbahet më 9 dhjetor të këtij viti. Për albinfo.ch Liridona na tregon për çastet që është duke i kaluar atje. “Ftesa për të përfaqësuar Kosovën më ka ardhur nga drejtori nacional i Kosovës, Shpejtim Zejneli. E pranova me shumë gëzim dhe ndihem krenare që kam fatin të përfaqësoj shtetin tonë, Kosovën”, shprehet ajo me krenari. Uka, gjatë ditëve sa është në Kore, së bashku më vajza të tjera kanë vizituar vende të ndryshme. Sipas saj, konkurrenca është shumë e madhe, por si shqiptare që është, nuk e ka ndërmend të dorëzohet. “Jemi 23-vajza dhe po kalojmë  mirë së bashku. Unë jam në një dhomë me përfaqësuesen nga Filipinet, e cila e njeh paksa gjermanishten dhe po kuptohemi shumë mirë me njëra-tjetrën. Ka filluar t‘i mësojë edhe disa fjalë shqip. Konkurrenca është e madh, por si shqiptare që jam, nuk do të dorëzohem”, tregoi ajo për albinfo.ch.

Gjatë paraqitjes së saj në finale, ajo do të sfilojë me veshje kombëtare të dizajnuara nga Bora Balaj. Ndërkohë, me vete ka marrë edhe flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar. “Në mes të flamurit është Shqiponja, kokën lart e shumë krenar, t’i themi botës se jemi shqiptarë”, theksoi ajo për të vazhduar tutje. “Sa herë që e shoh flamurin kombëtar, kam një ndenjë të veçantë, prandaj kudo që shkoj atë e marr me vete”, u shpreh ajo.

Liridona Uka është shumë ambicioze për të fituar garën në këtë spektakël, ndërsa pas këtij spektakli ajo pret një ofertë për të reklamuar në Brazil. Përveç angazhimeve me modelim, Dona punon për dyqane të veshjeve të firmave më të shtrenjta në botë, ndërkohë i ndihmon edhe babait të saj në menaxhimin e picerisë “Romantika” në Klingnau të Zvicrës.

 

Arben Gjinaj

 

 

Kushtrim Reka

Kushtrim Islam Reka lindi më 17 tetor 1984 në Shkup. Familja Reka me rrënjë nga Kaçaniku më 1954, për shkak të përndjekjes së përhershme nga regjimi i atëhershëm komunist i ish-Jugosllavisë, shpërngulet në Shkup. Shefki Reka (gjyshi i Kushtrimit), duke pandehur parajsën, edhe atje gjen ferrin, sepse Beogradi perfid sinjalizon Shkupin që këtë familje me burra e gra të dhënë me gjithë zemër ndaj kombit e atdheut ta mbajë në shënjestër. Rekajt vazhdimisht ngjallnin te populli shqiptar shpresën se një ditë do të ngadhënjejë Perëndimi, ku demokracia do të triumfojë mbi diktaturën, drita mbi errësirën dhe autoktoni mbi pushtuesin. UDB-ja jugosllave duke, e cilësuar këtë familjeje si të rrezikshme dhe të padëshiruar për sistemin komunist, më 1981 e diferencon dhe më vonë i jep masën e ndëshkimit përjashtim nga puna Islam Rekes, mësuesit shembull në shkollat shqipe të Maqedonisë.

Përveç kësaj, Islamit i mvishet edhe fajësia për propagandë e agjitacion dhe bashkëpunim me vendet e Perëndimit. Ai i gjendur në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, i ndihmuar nga shokë e miq, braktis Shkupin, duke lënë në frikë e ankth bashkëshorten Havushen dhe katër fëmijët e tij të vegjël. Islam Reka destinim e ka Zvicrën, vendin ku respektohet barazia, ku çmohen vlerat, vendin ku ka kuptim jeta dhe të qenit njeri. Kjo ëndërr e kahershme për liri dhe mendim plotësisht të pavarur Islamit i realizohet hëpërhë me të vendosur në Gjenevë. Kjo qendër ndërkombëtare, e njohur në gjithë globin si strehë e mbrojtjes së të shtypurve dhe e të përndjekurve, i ofron këtij  të emigruari të përvuajtur punë dhe banim. Kurse në pranverën e vitit 1990 autoritetet e Zvicrës i njohin të drejtën e bashkimit familjar Havushes dhe fëmijëve të saj. Kështu që ata pas gjashtë vjetësh ndarjeje bashkohen  sërish me Islamin. Havushja, edhe pse e lindur në Shkup, në mjedisin e ri, sikurse çdo e huaj, po kalonte një periudhë të vështirë. Ajo çdo gjë e fillon nga e para.

Ndërkaq kryepersonazhi i këtij rrëfimi, Kushtrim Reka, atëherë gjashtë vjeç, përfshihet së bashku me moshatarët e tjerë në të ashtuquajturin ”Cycle elementare” (fillimi i arsimit të detyruar), ku si fëmijë tregohet mjaft i shoqërueshëm me të gjithë, pavarësisht ideologjisë dhe ngjyrës së tyre. Këto virtyte të larta njerëzore bëjnë që ndër bashkëmoshatarë ai të jetë i dashur dhe i respektuar.

Akoma më i përsosur, Kushtrimi vazhdon edhe “Cycle moyen” (shkallë e dytë e arsimit), të cilin e kryen me sukses të dalluar. Tashmë i ambientuar në të gjitha fushat e jetës, e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm edhe “Cycle d’orientation” (zgjat tre vjet), me çka e përmbyll arsimin shkollor të detyrueshëm. Pastaj Kushtrimi vendos të vazhdojë mësimet në College (gjimnaz) të Gjenevës. Përfundimi i gjimnazit përgjithësisht i jep mundësi studimi në universitete dhe shkolla politeknike të Zvicrës. Me të përfunduar gjimnazin, z. Reka regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Gjenevës, drejtimi – Biznes dhe Ekonomi. Studimet e filluara më 2004 në këtë departament i përfundon në afat rekord dhe kështu kryen Bachelor-in. Ndërkaq, më 2009 Reka profesionalizohet në lëmin e Financave, ku edhe e merr titullim Master në Financa. Duke e parë si të domosdoshëm thellimin e njohurive në gjuhën angleze, Reka  regjistrohet në një kurs intensiv të gjuhës angleze në Australi.

Pas katër muajsh qëndrimi kthehet në Gjenevë si anglofon i vërtetë, dhe së bashku me shumë kandidatë të tjerë aplikon për vendin e punës Asistent në sesionin e Ekonomisë te ligjëruesi i mirënjohur, prof. dr. Martin Hoesli. Në vitin 2010, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë Komisioni për pranimin e kuadrove të reja i Fakultetit Ekonomik të Gjenevës përcaktohet për emërimin e z. Reka në pozitën Asistent (ndihmës profesori). Kushtrim Reka këtë detyrë me mjaft sukses e kryen edhe sot. Reka sigurisht ka nënshkruar kontratë pune me Fakultetin Ekonomik të Gjenevës dhe ai obligohet që në pozitën e Asistentit të qëndrojë deri në fund të këtij viti.  Gjithashtu është e një rëndësie të veçantë edhe puna kërkimore-shkencore më 2011 e Rekës në Universitetin e Floridës. Ai i mbikëqyrur nga prof.dr. David Ling, i qaset me seriozitet të madh punës në  fushën e patundshmërisë.

Z. Reka është pjesëmarrës i dhjetëra konferencave dhe seminareve ndërkombëtare. Ai ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mira me paraqitjet e tij në universitetet e ndryshme të SHBA-së, siç janë:  Universiteti i Çikagos, i San Diegos, i Floridës etj.

Karrierën profesionale nga sfera e patundshmërisë Reka e ka plotësuar edhe me pjesëmarrjen e tij në tryeza e debate të organizuara në Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali e Holandë. Veç kësaj, Reka ka publikuar punime të shumta shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare. Po ashtu Kushtrimi na del si bashkautor me prof.dr. Martin Hoesli te revista prestigjioze “JOURNAL OF REAL ESTATE  FINANCE AND ECONOMICS”. Gjithë këtë punë shkencore Kushtrim Reka e kurorëzon më 15 tetor 2014 në Universitetin e Gjenevës, ku me sukses mbron publikisht disertacionin e doktoratës me temën: ”FINANCIAL CONTAGION AND LIQUIDITY IN REAL ESTATE MARKETS”. Komisioni në përbërje prof.dr.Ines Chaieb, kryetare e Komisionit nga Universiteti i Gjeneves, prof.dr. Martin Hoesli, po ashtu nga Universiteti i Gjenevës, njëherësh dhe mentor i këtij disertacioni dhe prof.dr. Paul Embrechts nga Universiteti Politeknik i Cyrihut, anëtarë të jurisë,  vlerësojnë lart punën e z. Reka. Edhe pse koha reale e vendeve të Evropës Qendrore s’ përkon me atë të SHTETEVE TË BASHKURA TË AMERIKËS, nga Universiteti i Floridës nëpërmjet SKYPE u inkuadrua edhe prof.dr. David Ling, profesor ordinar në Universitetin e këtij vendi, i cili e përgëzoi për këtë arritje të madhe z. Reka.

Gjatë qëndrimit në Florida Reka ka marrë këshilla dobiprurëse nga profesori David Ling, të cilat i ka praktikuar me rastin e punimit të disertacionit të tij. Derisa familjarë, shokë e miq uronin për punën e tij, me dosjen e arkivuar në duar shfaqet zonja Maria-Pia-Victoria-Feser, Dekane e Fakultetit të Menaxhmentit dhe Ekonomisë në Universitetin e Gjenevës. Ajo e entuziazmuar nga suksesi i z. Reka para të pranishmeve tha: “Ndihem e gëzuar po aq sa edhe vetë z.Reka, sepse pas shkëputjes nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale z. Reka është i pari që me punën e tij të shkëlqyer e arsyetoi mëvetësinë e Fakultetit të Menaxhmentit dhe të Ekonomisë. Duke e konsideruar si nder edhe për institucionin punën e z. Reka, ajo në shenjë mirënjohjeje i dha atij një dhuratë modeste.

Pastaj profesorë, studentë e miq së bashku kaluan në holin e ndërtesës së Universitetit, ku me një aperitiv të organizuar nga familjarët e z. Reka ndanë gëzimin e tyre për këtë ngjarje me dobi të përgjithshme.

 

Arif Ejupi, Gjenevë

Kardiokirurgu shqiptar nga Cyrihu ligjëron në Tetovë

Organizatorët, siç transmetojnë mediat lokale, thonë se ligjërata me një kardiokirurg të njohur shqiptar, siç është dr. Xhemaili, ishte organizuar me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të spitalit të Tetovës në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë së USHT-së.

Kardiokirurgu Omer Xhemaili, përveç ndarjes së eksperiencës nga puna e tij 6-vjeçare në spitalin e Cyrihut, foli edhe për zhvillimin e mjekësisë në sferën e kardiokirurgjisë.

“Ndjehem krenar dhe i respektuar që më është dhënë shansi si referent i parë pas hapjes së kardiologjisë invazive, të vij këtu në Tetovë dhe të sjell eksperiencën time në kardiokirurgji”, tha Omer Xhemaili, kardiokirurg i njohur në Zvicër.

“Mendojmë që kjo mënyrë e bashkëpunimit të instalohet, të jetësohet që kohë pas kohe këta njerëz që jetojnë dhe punojnë në shtetet e Evropës të vijnë dhe të na bashkëngjiten, sepse normalisht, ne kemi nevojë për ndihmë nga eksperienca dhe kualiteti i shërbimeve shëndetësore që ofrohen nëpër këto vende”, u shpreh Atilla Rexhepi, kardiolog tetovar.

Dr. Omer Xhemaili është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, në Gjermani. Kanë pasuar edhe katër transplantime të tjera të suksesshme. Dr. Omer Xhemali është doktor i shkencave të mjekësisë dhe docent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Frankfurtit. Dr.Omeri nga Tearca e Tetovës punon në spitalin “Triemli” të Cyrihut, ku mban pozitën e zëvendësshefit të repartit të kardiokirurgjisë.

“Skënderbeg” shpallet fitues i “Fund of Hedge Funds” në Evropë


Skënderbeg Alternative Investments AG, të cilin e udhëheq shqiptarja me origjinë nga Kosova, Miranda Ademaj, ka fituar çmimin e 13-të prestigjioz evropian „Fund of Hedge Funds Awards 2014“ nga “Hedge Funds Review Awards” në kategorinë “Best new FoHF”. Ceremonia e shpërblimeve ishte mbajtur në Londër, në Sheraton Park Lane.

Fituesit janë zgjedhur në bazë të një metodologjie rigoroze, duke kombinuar analizat sasiore dhe cilësore.

“Skënderbeg Alternative Investimet AG” ka filluar operacionet në dhjetor 2013 me seli në Cyrih. Kompania përbëhet nga një ekip i specialistëve me përvojë financiare në sektorin “Hedge Funds”.

Fondi Skënderbeg operon me 10 milionë dollarë që nga shkurti 2014. Nga janari 2015 do të nisin operimin nën ombrellën e fondit “Skënderbeg” 4 nënfonde. Asetet do të rriten në ombrellën e fondit “Skënderbeg“ në rreth 100 milionë dollarë.

„Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasje neutrale ndaj tregut të investimeve”, ka thënë në një intervistë për albinfo.ch Miranda Ademaj.

Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale. Për informacione më detale www.skenderbeg.ch Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet.

Nrecë Kabashi, i treti në “Miss & Mister Zvicra Romande”

Nrecë Kabashi  ka zënë vendin e tretë në spektaklin “Miss & Mister Romande 2015”, spektakël ky që organizohet vetëm për kantonet frankofone (Romandi). Manifestimi i cili është mbajtur në Gjeneve ka shpërblyer me një çmim djaloshin shqiptar nga komuna e Pejës.

“Gara ka qenë e shumë e madhe. Në fillim kanë qenë 400 kandidatë, më pastaj është bërë seleksionimi për finale, kurse unë arrita të fitoj vendin e tretë. Ishte një kënaqësi për mua dhe asnjëherë nuk e kisha menduar se do të arrij këtë sukses”, ka theksuar për albinfo.ch 23 vjeçari që jeton në Gjenevë të Zvicrës.

Tutje, ai ka deklaruar se këtë çmim ia dedikon nënës së tij të sëmurë. “Për mua ky titull është një fitore kundër jetës. Me familje kemi jetuar në Kosovë deri në kohën e luftës, pastaj babai na ka rregulluar dokumentacionet dhe na ka sjellë këtu në Gjenevë. Tash pesë vite nëna ime vuan nga një sëmundje dhe është në dializë, andaj dua që ky çmim dhe kjo fitore t`i dedikohet plotësisht asaj”, është shprehur Kabashi.
Nreca, i cili punon në logjistikë në një postë në Gjenevë, dëshiron që në të ardhmen të punojë si model në Paris, por nuk i refuzon as pjesëmarrjet në reklama apo konkurse të bukurisë në Kosovë.

“Me shumë qejf do ta kisha pranuar edhe ndonjë ofertë në Kosovë. Është vendi im, aty jam i lindur”, shton ai.

Fitues të këtij spektakli u zgjodhën Julie Aubry dhe Mattia Tondo, ndërsa duhet theksuar se kurorën e Miss-it e dhuroi shqiptarja Sindi Arifi e cila ishte kurorëzuar dhe mbante për një vit titullin “Miss Suisse Romande 2014” .
A.Gj.

Nrecë Kabashi1

Sindikata Unia, një dekadë në shërbim të punonjësve

Sindikata Unia është një histori suksesi. Ajo sot është sindikata më e madhe dhe më e fuqishme e Zvicrës. Për shumkënd emri „Unia“ ndërlidhet me angazhim të suksesshëm për përmirësimin e pagave, të drejtave në punë, mbrojtje të shëndetit, pensioneve. Suksesi më i madh i kësaj Sindikate është krenaria dhe dinjiteti i punonjësve, të cilët kanë kuptuar, se vetëm së bashku janë më të fortë.

Vitet e 90-eta ishin vite të krizës ekonomike. Suksesi ekonomik zvicëran pësoi një frenim të fortë. Numri i të papunëve rritej, investimet mungonin dhe shoqëria gjendej në një tranzicion politik. Mu në këto vite fillon ripërtëritja e sindikatave, të cilat në vitet e 80-ta kishin rënë në gjumë. Me fushatën për paga minimale mbi 3000 Franga dhe aksioneve konkrete nëpër fabrika, kantiere dhe vendet e ndryshme të punës, ato fillojnë të bashkojnë punëtorët. Sukseset nga këto aksione krijojnë bindjen te punëtorët se shumëçka mund të ndryshojë nëse bashkojnë forcat. Bashkimit të tri Sindikatave në Unia i paraprin suksesi i ndërtimtarëve, të cilët me kërkesën “40 vite punë në ndërtimtari janë mjaftë – pensionim me 60 vjet tash!”.

Fillet e një lëvizje të suksesshme

Bashkimit të tri sindikatave më të mëdha, sindika e ndërtimtarisë dhe industrisë (GBI) si dhe sindikata e Metalistëve dhe Orëndreqësve (SMUV) zhvillonin bashkë projekte të shumta. Pas diskutimeve interne, jo edhe aq të thjeshta, erdhi deri tek rezultati i pritur: në vitin 2004 në Bazel u zhvillua kongresi themelues i Unia-s. Me këtë rast sindikatat më të mëdha të Zvcirës GBI dhe SMUV arritën të fuzionojnë me sindikatën e vogël të shërbimeve VHTL (Sindikata e shitjes, tregtisë, transportit dhe artikujve ushqimor) si dhe ACG (Shoqata e nëpunësve të Gjenevës).

Një fuzion i tillë do të mundësojë që edhe sektori i shërbimeve më në fund të organizohet fuqishëm në sindikatë. Bashkimi i fuqisë kishte për qëllim rritjen e mundësisë goditëse të sindikatave karshi orientimeve neoliberale në rritje në radhët e punëdhënësve dhe të shumicës së djathtë politike në vend. Aftësia mobilizuese si dhe aftësia luftarake përmes Unia-s pritej të bëhej edhe më e madhe.

Të arritura nëpër sektorë të ndryshëm

Përkundër shumë vështirësive në sektorë të shumtë ekonomik megjithatë mund të flitet për zhvillime të suksesshme. Ndërtimi i mëtejmë i sektorit terzier është në zhvillim e sipër. Tanimë Unia në sektorin e shërbimeve numëron 50‘000 anëtarë, pra dyfish më shumë se sa para fuzionimit në vitin 2004. Bashkimi i forcave ka shënuar përparime gjithashtu edhe në sektorët tradicional. Kështu edhe në sektorin e tregtisë është rritur prezenca sindikaliste dhe në ndërkohë i tërë sektori është mbuluar me Kontrata Kolektive të Punës. Konfrontimet e shumta mbi Kontratën Kombëtare të Punës në sektorin e ndërtimtarisë kryesore, në vitit 2007 dhe 2011 kanë treguar se Unia është në gjendje të udhëheq bisedime të gjithmbarshme. Këtu duhet patur parasysh pozitën e vështirësuar sindikaliste për shkak të ndrrimit të stafit të përhershëm të punonjësve nëpër ndërmarrje si dhe rritja e subndërmarrjeve (nënkotraktuesve) e poashtu edhe rritja e numrit të të punësuarve temporal. Vlen të theksohet se një fitore vendimtare strategjike ka arritur të festoi sektori i industrisë, ku për herë të parë janë përcaktuar pagat minimale në Kontratën Kolektive të Punës në Industrinë e metalit, atë elektrike dhe të makinave (MEM).

Angazhim i vazhdueshëm edhe për migrantët

Në 10 vitet e fundit UNIA është anagzhaur fuqishëm në shumë lëmi: qoftë për pensionimin e mëhershëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë, qoftë kundër orarit të zgjatur të punës nëpër shitore, apo edhe kudnër dumpingut në paga dhe vjedhjes së pensioneve.

Unia është angazhuar në vazhdimësi edhe për migrantët. Qoftë për të drejtat nga rrafshi i sigurimeve shoqërore apo edhe kundër iniciativave të panumërta ksenofobe, sikur ajo për dëbim ose atë mbi migrimit masiv. Edhe në të ardhmen ky angazhim do të vijoj të fuqizohet edhe më shumë!

Sindikata Unia dhe shqiptarët e Zvicrës

Në sindikatën Unia, nga gjithsej 200’000 anëtarë, mbi 100’000 anëtarë janë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000 janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën Unia përpos aktivistëve sindikalistë shqiptar janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në stafin profesional të saj. Unia publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të ndryshme informuese nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste Horizonte edhe në gjuhën shqipe.

Nga angazhimi i sindikatës Unia në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar kanë përfituar edhe shqiptarët. Këtu përpos përfitimeve të përgjithshme nga Kontratat Kolektive të Punës, të drejtat dhe mbrojtjen në punë, do të veçonim angazhimin e Unia-s për qarkullimin e lirë edhe të migrantëve shqiptarë të punësuar në Zvicër në hapësirën Shengen e veçanërisht angazhimin i gjithanshëm i saj dhe partnerëve tjerë për Marrëveshjen e anuluar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvcirës e Kosovës, me ç`rast shumë punëmarrës  nga Kosova, si kontribuuesit kryesorë në të dy vendet dhe shoqëritë, vazhdojnë të përjetojnë diskriminim selektiv nga lëmi i sigurimeve shoqërore, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së vullnetit të mirë në mes të  zyrtarëve të dy vendeve. Ky angazhim shpresojmë të kurorëzohet me një zgjidhje të ndërmjetme deri tek negocimi i  një Marrëveshjeje të re në fjalë.

Edhe përkundër rezultateve të arritura, sindikata Unia zotohet se do të angazhohet edhe më tej fuqishëm për të avancuar të drejtat e të gjithë punëmarrësve dhe për ti bëre ballë sulmeve për dobësimin e sindikatave dhe lëvizjeve punëtore gjithandej si dhe sulmeve karshi të arriturave të deritashme në botën e punës. Dhe edhe në të ardhmen nën moton: Bashkë jemi më të fortë!

Sindikata Unia1

Osman Osmani, sekretar sindikal për migracion në Unia

Frosina Sopa, një nga 20 studentet më të mira në Holandë

Frosina Sopa, pjesë e diasporës tonë e lindur në Holandë, ka shkëlqyer në mesin e bashkëmoshatarëve të saj për interesimin dhe njohuritë e thella në shkencë, gjë që e ka dëshmuar edhe me botimin e librit mbi efektet e barërave mbi inflamacionet e gotës së gjurit.

Frosina, është përzgjedhur si një nga 20 studentet më të mira në Holandë, nga Universiteti i Roterdamit.

Ajo po ashtu ka marrë vendin e parë në Holandë për zbulim shkencor po në lëmin e ortopedisë, ndërsa tani është në garë për të qenë studentja më e mirë në Holandë me një punim shkencor në të cilin punon tani më 2 vite.

Sopa ka marrë bursa nga Universitete prestigjioze si në Evropë ashtu edhe në ShBA, mirëpo, ka vendosur që të qëndrojë tani për tani në Holandë, ku do të vazhdojë të japë kontributin e saj në shkencë, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Diasporës.

Blerim Destani, të enjten në serinë “Alarm fur Cobra”

Aktori shqiptar, Blerim Destani, do të paraqitet në serinë e njohur gjermane “Alarm fur Cobra”. Seria do të transmetohet të enjten, duke filluar në orën 20.15 në RTL.

Aktori shqiptar, Blerim Destani, nuk ndalet me sukseset e tij në kinomatografinë gjermane. Pas suksesit në filmin ‘Die wanderhure’, i cili kohë më parë u transmetua në Sat 1 dhe ku pati shikueshmëri shumë të madhe, aktori tetovar që jeton në Gjermani tani do të paraqitet në serinë shumë të njohur gjermane të filmit aksion “Alarm fur Cobra”. Siç mëson albinfo.ch, Destani do të luajë rolin e një polici civil, ndërsa transmetimi do të bëhet të enjten, duke filluar në orën 20.15 në RTL.

“Alarm fur Cobra” është prodhim gjerman dhe daton që nga viti 1996.

A.Gj.

Ramë Lahaj lë pa frymë publikun austriak

Lahaj ka portretizuar rolin e Dukës së Montuas, ndërsa së bashku me Ivan Inverandin dhe më japonezen Eri Nakumara e cila luante rolin e vajzës së tij me emrin “Gilda”, mahnitën publikun më përformacën e tyre dhe bën që në fund të marrin duartrokitje frenetike.

Kjo ngjarje është përcjell nga media të shumta austriake të cilët kanë jap vlerësime më të larta për tenorin nga Kosova.

Lahaj do të paraqitet sërish në “Haus fur Mozart” më 12 nëntor, dhe kritikët austriak lusin publikun që kjo shans mos të humbët.

‘Rigoletto’ është operë, libretoja e së cilës është shkruar nga Francesco Maria Piave bazuar në dramën ‘Le roi s’amuse’ të Victor Hugos. Premiera e operas ‘Rigoletto’ qe dhënë në teatrin ‘La Fenice’ në Venecie më 11 mars të vitit 1851 dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e Verdit.

Ramë Lahaj, i lindur në Istog, ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në drejtimin e solo-këndimit ndërsa është padiskutim zëri më i dëgjuar lirik nga Kosova në skenën operistike botërore.

Deri më tash ai ka performuar në disa prej teatrove më në zë, si: ‘Semperoper Dresden’, ‘Theatre Dortmund’, ‘National Opera de Montpellier’, ‘Opera de Lyon’, ‘Teatro Massimo di Palerm’, ‘Hamburg State Opera’ dhe ‘Royal Albert Hall – London’ dhe së fundi po lë pa frymë edhe publikun austriak.

Erisa Ramaj mahniti gjermanët në “Das Supertalent”

Ajris Erisa Ramaj është njëra nga kandidatet, e cila javën e kaluar mahniti publikun gjerman me performacën e saj në spektaklin “Das Supertalent”. Në prezantimin e saj para jurisë, ajo nuk përmend askund që ka të paktën prejardhje shqiptare.

Disa kandidatë mund ta shfaqin talentin e tyre të vërtetë, kur dalin në skenë. Ndërkaq, te disa të tjerë është e kundërta. Kështu i ndodhi edhe këngëtares Ajris Erisa Ramaj, e cila sapo doli para jurisë, humbi nga frika.

Edhe pse filloi kënga, 21-vjeçarja kërkon që gjithçka të niset nga fillimi. Më pas e merr veten dhe me këngën e Beyonce “If I were a boy” shpërthen emocion në sallë dhe ngrit gjithë spektatorët në këmbë.

“Ti je e mrekullueshme”, ishin fjalët e anëtarit të jurisë, Bruce Darnell, ndërsa me këtë pajtohet edhe anëtarja tjetër, modelistja Lena Gercke. “Unë i besoj secilës fjalë tuaj që ti e këndon, dhe ti për mua je e shkëlqyer”. I impresionuar me talentin e Erisës mbeti edhe Guido Maria Krtschmer: “ Ti i ke të gjitha çka i duhen një këngëtareje. Ti këndon me shpirt”. Vetëm poptani Dieter Bohlen ishte pakëz skeptik: “Këtë që e dëgjuan tre kolegët e mi, unë nuk e dëgjova”, thotë ai.

Ajris Erisa Ramaj ka thënë para jurisë se është 21-vjeçare nga Frankfurti am Main, ndërsa punon si kamariere. Ajo thotë se jeton në Frankfurt, ndërsa me prejardhje është nga Italia. Në biografinë e saj, askund nuk përmend se është shqiptare, madje të shënuar e ka se di vetëm gjuhën gjermane dhe italiane. Pas kësaj performance shumë pyetje i janë bërë në adresë të saj, duke i kërkuar të dinë se a është shqiptare? Por, Erisa nuk është përgjigjur. Pyetje të njëjtë ka pasur edhe në rrjetin social “Instagram”, ku Erisa vendos t’ i përgjigjet një fanseje të saj. “Babai im është shqiptar”. “Edhe unë jam shqiptare”, ia kthen fanses.

 

A.Gj.

Komiku i ri shqiptar që fascinon Zvicrën

Spontanisht e ka incizuar një video të shkurtë me një satirë dhe e ka postuar në faqet e tij në rrjetet sociale. Videoja është pëlqyer dhe shpërndarë aq shumë sa që ka shtyrë Bendrit Bajrën të bëjë edhe qindra video të tjera.

 

Kështu, ai është bërë personazh shumë i famshëm në Zvicër. Me tregime të shkurtëra të cilat i xhiron në video e më pas i poston në internet, 18 vjeçari shqiptar që jeton në Cyrih, aktualisht në faqen e tij ka afro 100 mijë ndjekës të cilët e kanë  shndërruar atë në një yll të gjeneratës së tij.

“Deri më tash i kam afro 100 mijë fansa që përcjellin faqen time dhe shikojnë videot e mia. Të rrallë janë ata që kanë në Zvicër kaq shumë fansa. Kjo më bën të ndjehem shumë i lumtur dhe më jep vullnet për të punuar edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë Bendriti për albinfo.ch.

Ideja për të filluar me këto video, sipas tij ka filluar spontanisht, por duke e parë interesimin e miqve në rrjete sociale, ai ka vazhduar të bëjë edhe me qindra video të tjera. Satirat humoristike të djaloshit nga Gjilani janë të shkurtëra dhe përmbajnë tema nga përditshmëria e jetës në Zvicër.

“Inspirohem nga temat e përditshme, nga ato që i dëgjoj çdo ditë apo i shohim në rrethin dhe vendin ku jetojmë”, është shprehur ai, duke  shtuar se me humor është marrë që nga mosha shumë e vogël.
Faqen dhe videot e tij satirike nuk e vizitojnë vetëm shqiptarët, por njerëz nga e gjithë bota që e njohin gjuhën gjermane.
Bendriti e ka filluar këtë aktivitet vetëm për të zbavitur veten dhe miqtë e tij në internet, por tani që videot janë bërë të kërkuara ai thotë se edhe përfiton nga to.

Komiku shqiptar ka kërkesa edhe për emisione në TV apo radio zvicerane, por ai kërkon të presë momentin e duhur për t`u shfaqur sa më mirë para publikut. Në ëndrrat e tij është të realizojë një serial televiziv.

Koncert fantastik i Edita Abdieski (Abdiu) në Bernë

Që nga fitorja e saj në shoun e mirënjohur «X-Factor», shqiptarja me prejardhje nga Maqedonia Edita Abdiu (26), për herë të parë është paraqitur para publikut të saj në Bernë. Në sallën në „Bierhübeli”, ajo i mahniti vendësit me zërin e saj të fuqishëm, por jehona e koncertit nuk ishte aq mbresëlënëse.

Edita Abdiu ndjehet shumë e emocionuar. Vështirë për tu besuar, por shumë e vërtetë që 26-vjeçarja kishte arritur t`i frymëzojë mijëra shikues me zërin e saj magjeps gjatë shout të njohur gjerman. Por, koncerti i së premtes, për shqiptaren ishte një dëshpërim i madh: Për herë të parë, pasi e fitoi shoun «X-Factor», ajo u paraqitë para publikut të saj në Bernë. «Jam pak e emocionuar, pasi kam ftuar familjen dhe miqtë e mi», kishte pranuar ajo para fillimit të koncertit në „Bierhübeli”, duke bërë me dije se ata do të jenë kritikët e saj më të ashpër.

Pas një ore, kur ajo me grupin e saj doli në skenë, të pranishmit nuk mundën të hetonin ndonjë lloj nervozizmi. „Bierhübeli”-i ishte i mbushur pothuajse me dy të tretat e publikut. Me zërin e saj të fuqishëm, që nga fillimi i saj ua bëri me dije të pranishmëve përse e mban nofkën „zëri”.

CD.ja e parë e saj «One» doli në muajin mars, ndërsa Edita thotë se ka bërë një zgjedhje personalisht. Në koncert u vërtetua qartë se Edita dhe grupi janë në një garmoni të plotë. Pas përfundimit të çdo kënge, ajo pranonte duartrokitje frenetike, por dëgjoheshin edhe thirrje drejt sajé «Edita», «Edita»…. Por, shihej qartë se Edita nuk mund tì përshtatej një ambienti në një sallë të vogël koncerti, po të krahasohet me shoun e madh televiziv, në të cilin ajo kishte një frymëzim të veçantë.

Në asnjë rast nuk vërehej ndonjë gabim në zërin e saj, ajo ishte e përsosur. Ndoshta shumë e përsosur? Fitohej përshtypja se zëri i Editës është shumë i fuqishëm për publikun vendës.

Ishte kjo paraqitja e dytë në Zvicër, për shqiptaren e lindur në Bernë, e cila jeton në Keln të Gjermanisë, një ditë më parë ajo ishte paraqitur para publikut të Cyrihut. Kur ajo e viziton Bernën, ajo banon me të ëmën në lagjen Bümpliz. Kështu veproi edhe në këtë fundjavë, pasi ajo ende ka nostalgji të madhe për vendlindjen. Gjashtë muaj pasi ka fituar shoun «X-Factor», gjërat në jetën e saj nuk kanë ndryshuar shumë, me përjashtim se ajo tani jeton nga kënga.

ëshë e padiskutueshme se Edita ka një zë të hatashëm, por një zë i cili nuk i përshtatet koncerteve të tilla. Ajo që më së tepërmi i la mbresa Editës gjatë koncertit, ishte: „Nuk ka më bukur se sa në publik të shikosh aq fytyra të njohura dhe të dashura». Kulminacioni i koncertit ishte një përzierje e këngëve të yllit Michael Jackson, këngët e të cilit, Ediza së paku i këndoi si vetë këngëtari tashmë i ndjerë. Gjatë këtij çereku të orës, Edita vërtetë dëshmoi se çka mund të bëjë, përpos asaj që vetëm të këndojë.

Studiuesi shqiptar, bashkautor i librit mbi sigurinë e informacionit

Igli Tashi, një studiues shqiptar që prej vitesh jeton në Lozanë, ka botuar këto ditë në bashkautorësi me prof. S. Ghernaouti-Hélie të fakultetit Ekonomik në Universitetin e Lozanes librin i cili titullohet “Information Security Evaluation: a holistic approach”.

Ky libër mbi tematikën e sigurisë së informacionit është botuar nga EPFL Press dhe jashtë Zvicres shpërndahet e propozohet nga CRC press, një shtëpi botuese e njohur në fushën e publikimeve shkencore.

Igli Tashi është doktor i shkencave në Sistemet e Informacionit (fusha e meanaxhimit të riskut dhe sigurisë së informacionit), Kërkues shkencor – Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Lozanës. Nga muaji shtator 2010 ai është Senior Auditor për një firmë të mirënjohur në fushën e auditimit.

Ka punuar për pesë vite në fushën e kërkimeve shkencore/Lektor – Universiteti i Lozanës, po ashtu pesë vite ka qenë këshilltar në fushën e sigurisë së informacionit për organizma të ndryshme publikë e privatë. Në rolin e mësimdhënës në fushën e ekonomisë dhe të auditimit në disa institucione të specializuara ai ka punuar për 3 vjet me radhë dhe në shërbimi i Anti-vjedhjes në sektorin e sigurimit – 1 vit.

Tashi është anëtar aktiv dhe pjesëmarrës në aktivitet e zhvilluara nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Lozanës (AEAUL) që prej vitit 1997.

Miriam Cani në operë me mjuziklin “Hair”

Miriam Cani, këngëtarja që u bë e njohur në vitin 2003 kur u zgjodh bashkë me katër vajza të tjera në spektaklin “Popstars” po provon veten në një fushë të re për të. Ajo, bashkë me kolegen e saj nga grupi i dikurshëm “Preluders” Tertia Botha, janë angazhuar në kult mjuziklin e njohur të viteve gjashtëdhjetë “Hair”.

Miriami dhe Tertia janë zgjedhur në një audicion ndër këngëtaret më të mira, për të marrë rolet në këtë mjuzikël që vihet në skenë në Operën e Bonnit të Gjermanisë.

Me këtë rast portali gjerman Express.de shkruan për Miriam Canin si një këngëtare që ka ecur me sukses në rrugën e famës. Ajo, ashtu si dhe Tertia është vazhdimisht e pranishme në spektaklet e mëdha televizive të Gjermanisë sii “TV Total”, “The Dome”, “ZDF Fernsehgarten” , “Oliver Pocher Show” etj.

Portali më tutje kujton se “shqiptarja Miriam Cani në vitin 2009 është shpallur nga presidenti shqiptar Bamir Topi `ambasadore e kombit`. Po ashtu ajo në Shqipëri ka bërë edhe moderimin e festivalit shqiptar që zgjedh këngën përfaqësuese të Shqiopërisë për Eurovision”.

Provat për mjuziklin në operën e Bonnit janë duke u zhvilluar prej disa javësh.

Shqiptari Ben Kamili pëlqehet nga artdashësit gjermanë

Ben Kamili ka lindur në Orashë të Poshtme në Maqedoni në vitin 1969, ndërsa jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë.

E përditshmja gjermane „Augsburger Allgemeine“ në një artikull të saj nënvizon se që nga e diela, Kamili së bashku me piktorin gjerman Raimund Göbner, kanë hapur ekspozitën e tyre në „Unteren Schloss“ në Pähl. Veprat e tyre i kanë titulluar „Në rrugë“ dhe „Dolce Vita“.

Nuk është vetëm datëlindja ajo që është e përbashkët me dy piktorët, por veprat e tyre janë të ngjashme dhe dallohen vetëm në material të ndryshëm. Motivet e veprave të Kamilit janë të gjera dhe nuk përkufizohen vetëm në një rajon. Përpos punimeve si „Porti i Hamburgut“, një idilë fshatareske në Münster të Westfalen, ai ka krijuar edhe një vepër për Liqenin e Ohrit.

Ekspozita e dyfishtë „Në rrugë“ dhe „Dolce Vita“ me punimet e Ben Kamilit dhe Raimund Göbner do të jetë e hapur për vizitorët të premteve dhe të shtuneve nga ora 14.00 e dei në 18.00.

Ramë Lahaj, zbulimi i ri, magjepsës, i operës gjermane

“Latin Lover dhe tuberkularja”. Kështu e titullon gazeta “Lübecker Nachrichten” artikullin mbi premierën e operës “La Traviata”. Dhe me epitetin “Latin Lover” (dashnor latin) ajo ka identifikuar tenorin e ri shqiptar nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili luan rolin kryesor të mashkullit në këtë operë, atë të Alfredos.

 

“Ishte një premierë e zërave interesantë. Edhe pse jo gjithçka në këtë shfaqje eci si duhet, opera “La Traviata” e Verdit Dhe, veç kësaj, ajo ka një partner, i cili ofron një paraqitje të shkëlqyer në rolin e Alfredos, tenorin shqiptar të lindur në vitin 1983, Ramë Lahaj, i cili zërin e tij të freskët e të fuqishëm prej tenori, nganjëherë e përdorë në një formë tejet të vrullshme”, shkruan veç tjerash gazeta “Lübecker Nachrichten”.

Kjo gazetë, që nuk kursen lëvdatat për zbulimin e ri të skenës së operës, Ramë Lahajn, i drejton kritika të ashpra regjisorit dhe kostumografes, të cilët, sipas saj, na kanë dhënë një Violetë shumë të zbehtë nga ana pamore e saj. Vendosja e ngjarjes në vitet pesëdheta të shekullit XX (një shekull më vonë se sa origjinali), duket të ketë qenë fajtor për kostumografinë aspak luksoze dhe tërheqëse të Violetës në këtë shfaqje.

Ndërkaq, magazina kulturore “Unser Lübeck.de” në vështrimin e saj, duke komplimentuar Ramë Lahajn bën një lapsus, kur atë e quan “një boshnjak” që ka studiuar në Tiranë.

“Boshnjakun Ramë Lahaj e kemi njohur para një viti në “Lojërat festive të Eutinit”. Ai deri më tash është angazhuar edhe në operat e Budapestit dhe të Dortmundit. Prej herës së fundit Lahaj është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme si nga aspekti i këndimit ashtu dhe interpretimit skenik, kështu që ai ka entuziazmuar publikun e Lübeck-ut në rolin Alfredo Germont.

“La Traviata” e Gjuzepe Verdit, është njëra ndër veprat më të inskenuara dhe më të njohura të literaturës opristike botërore. Ajo bën fjalë për Violetën, një kurtizanë (prostitutë) nga Parisi i mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe dashurinë e saj të madhe me Alfredon. Violeta, krahas krajatave tjera që e përcjellin, vuan edhe nga tuberkulozi, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme.

Por, ndryshe nga rrëfimi klasik, regjisori Lütje nuk “e vdes” Violetën e tij” në krahët e Alfredos. Aj e lë atë të shndërrohet në dritë dhe të “fluturojë” nga skena.(B.Sh.)

Shfaqjet e ardhshme të operës “la Traviata” në teatrin e Lübeck-ut jepen të shtunën, më 22 tetor dhe të premten, më 28 tetor, gjithnjë me fillim në orën 19.30.

Diar Xani, “Koka e Javës” e Cyrihut

Gazeta javore zyrtare e qytetit të Cyrihut, e cila çdo të mërkurë gjen rrugën për në kutitë postare të të gjitha amvisërive të Cyrihut. Shpërndahet falas. Numri i saj i djeshëm ka sjellë një figurë interesante në ballinë: Nën titullin “Koka e javës” shihet Diar Xani në një pozë të vampirit – Drakullës.

 

Diari është aktor, ka ardhur nga Kosova në Zvicër, ndërsa gjatë ditëve në vijim, nga 26 tetori deri më 5 nëntor, në teatrin Winkelwiese, në Cyrih po paraqitet në një shfaqje zvicerane, të përgatitur në teatrin Schlachthaus të Bernës.

Ja se çfarë shkruan gazeta e Cyrihut. “Halloween, ose dita e shtrigave është afër, mirëpo arsyeja përse Diar Xani (28 vjeç) po na frikëson është tjetër: Në teatrin Winkelwiese sot jepet premiera e shfaqjes “Bluetsuuger – Ein Vampirschwank” (Gjakpirësi – një shtegtim vampirësh). Në këtë shfaqje, Xani luan rolin e Dracuslavit të pavdekshëm, i cili vjen në Zvicër nga lindja, për të pastruar vc-në e Hansruedit dhe familjes së tij.

Ndërkaq, vampiri rehatohet mirë këtu, gjen simpatinë e gruas dhe të bijës së Hansruedit dhe provon të marrë pushtetin mbi këtë shtëpi. Natyrisht, në këtë e sipër, atij do t`i duhet të fusë në veprim edhe kafshimin.

“Koleget e mia janë po ashtu të mira për kafshim”, thotë me shaka aktori kosovar. “Por deri më tash unë kam pasur sukses të frenoj pasionin tim dhe ende nuk kam kafshuar me të vërtetë”.

Shpëtime Kamberi, arkitektja kosovare që disenjoi trofeun “Diaspora“

Presidentja dhe ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, do të marrë gjatë ditës çmimin “Diaspora” që i ndan mërgata kosovare. Arkitjektja kosovare, Shpëtime Kamberi, e lindur dhe e rritur në Bernë ka disenjuar trofeun për presidenten zvicerane dhe do t’ ia dorzojë vetë në solemnitetin e sotëm në Bernë. Kosovarja që punon në kompanitë e njohura të arkitekturës në Zvicër, si Gucci, në një intervistë për albinfo.ch thotë të ketë qenë e privilegjuar që i është dhënë mundësia ta bëjë disenjin e trofeun në emër të komunitetit shqiptar në Zvicër, për një personalitet mjaft të rëndësishëm të politikës zvicerane, e cila ka dhënë kontribut të madh në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të fortë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër.

albinfo.ch: Çka do të thotë për ju që pikërisht të ndani këtë çmim që e keni disenjuar vetë si arkitekte?

Shpëtime Kamberi: Është një privilegj i madh të ndaj çmimin në emër të diasporës dhe sigurisht që ndiej një kënaqësi kur mund ta falënderoj në mënyrë të veçantë dhe unik presidenten dhe ministren e Punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, e cila kontriboi në çështjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në zhvillimin e vendit për të cilin ndjehem shumë e afërt.

albinfo.ch: Çka ju ka inspiruar të disenjoni këtë mirënjohje për Calmy Rey, a mund të na zbuloni më shumë rreth shpërbilimi, i cili do të jetë në pronësi të Calmy Rey, të premten?

Shpëtime Kamberi: Insiprimi ka qenë një proces i gjerë. Fillimisht kam reflektuar me një përkushtim të madh për temën „Diaspora“ se çdomethënie ka dhe si mund të interpretohet në përgjithësi dhe në kontekstin aktual.

Gjithashtu jam munduar në mënyrë të një skulpture kohore t’i transferoj edhe pikëpamjet e mia personale për këtë temë dhe në vazhdim të konceptimit jam përqendruar në disa elemente kryesore të kësaj teme të gjerë. Qëllimi ishte që të ketë komponente që karakterizohen me unifikim, falënderim, lidhshmëri, thjeshtësi. Mbi të gjitha, për mua ishte e domosdoshme që trofeu të jetë autentik dhe të bëjë të dukshëm mesazhin, dhe jo anasjelltas.

albinfo.ch: Çfarë ndjenja kishit vitin e kaluar, kur Micheline Calmy Rey duhej ta merrte këtë çmim dhe nuk e mori, çka menduat në ato momente se do të shkonte huq puna juaj?

Shpëtime Kamberi: Çmimi nuk u refuzua, por situata nuk lejoi të shpërblehej një çmim në ato rrethana.

Në asnjë moment nuk kam menduar që puna ime do të shkoj huq. Kisha bindjen e thellë se do të vijë momenti i përshtatshëm për të shpërblyer z. Calmy-Rey.

Këtu dua të cek gjithashtu që koha e krijimit dhe zbatimit të punimit ishte për mua eksperiencë e mirë, sepse kisha një ekip të shkëlqyeshëm dhe shumë të motivuar dhe kjo për mua ka gjithashtu shumë vlerë.

albinfo.ch: Çfarë konkurrence kishte dhe si u zgjodh puna juaj që të disenjohet shpërblimi për një personalitet mjaft të rëndësishëm për kosovarët?

Shpëtime Kamberi: Kishte konkurrencë nga brezi i parë dhe i dytë. Pas një konkursi publik është bërë edhe përzgjedhja e punimit. Për mua ishte një detyrë shumë kurioze, të cilës i kushtova vëmendje. Besoj që pikëpamjet e mia, si vajzë e lindur dhe e rritur në Zvicër, me një lidhshmeri të veçantë me Kosovën, më kanë begatuar dhe kanë pasqyruar gjithashtu krijimin e disenjit.

albinfo.ch: Çka po punon Shpëtimja kohët e fundit, me çka njihet në profesionin e saj? A jeni shpërblyer ndonjëherë për punën tuaj?

Shpëtime Kamberi: Aktualisht punoj në Bernë si arkitekte në një kompani të njohur në skenën e arkitekturës dhe ndërtimit. Kryesisht merrem me projekte të ndërtimeve publike për kompani të njohura ndërkombëtare.

Tani menaxhoj një projekt të madh në kantonin e Tiçinos për firmën Gucci, projekt me të cilin jam shumë e angazhuar.

Kam marrë gjithashtu shpërblime për projekte në konkurse të ndryshme, por për mua s’ka shpërblim më të mirë se sa kur më besohet një punë me një përgjegjsi të madhe, ku mund të dëshmoj dhe të zgjeroj njohuritë e mia.

Ilir Ferra, çmim stimulues për romanin në gjuhën gjermane

Fondacioni i njohur gjerman për stimulimin e kulturës, Robert-Bosch Stiftung ka ndarë çmimin “Chamisso” për vitin 2012, që jepet për veprën më të mirë letrare në gjuhën gjermane, të shkruar nga autorë jogjermanë. Këtë çmim, që ka edhe vlerë në të holla (15.000 euro), e ka fituar autori çek Michael Stavaric për romanin “Brenntage”.

Po kështu, fondacioni i përmendur ka ndarë ehe dy çmime stimuluese me vlerë prej nga 7000 eurosh. Fituesi i njërit çmim është autori shqiptar Ilir Ferra, i cili jeton në Austri, për romanin e shkruar në gjuhën gjermane “Rauchschatten” (Hijet e tymit), ndërsa i tjetrit, hungarezi Akos Doma për romanin “Die allgemeine tauglichkeit”.

Çmimet do të dorëzohen më 1 mars në Munih.

Çmimi “Chamisso”, është i vetmi i këtij lloji në hapësirën gjermane dhe ndahet nga viti 1985.

Ilir Ferra është i lindur në vitin 1974 në Durrës dhe jeton në Vjenë nga viti 1991.

Arbanita, ylli që po troket në skenën muzikore të Zvicrës

Sërish një shqiptare nga Berna në mesin e më të mirëve në një spektakël të madh zviceran garash të këndimit. Pas Edita Abdieskit (Abdiu), Albana Azizit dhe Lira Gashit, në dyert e sukseseve në skenën muzikore po troket edhe një këngëtare me potencial të madh.

Kësaj radhe është 15 vjeçarja Arbanita Avdija, e cila me zërin e saj të mrekullueshëm dhe me interpretimin bindës ka siguruar vend në mesin e më të mirëve, që do të garojnë në gjysmëfinalen e spektaklit “Die grösste Schweizer Supertalente”. Ajo, më 25 shkurt në Kreuzlingen do të këndojë së bashku me moshatarin e saj zviceran Nico Minnig, me shpresën se do të zgjidhen në finale.

 

Familja Avdija

Por, kush është Arbanita, çfarë e dallon atë nga mijëra moshataret e saj që dëshirojnë të këndojnë? Arbanita Avdija është vajza e Nexhmedin dhe Hamide Avdiut nga Mikushnica-Komuna e Skënderajt. Ajo është lindur në Grantschen-Weinsberg të Repubilkës së Baden-Württenbergut të Gjermanisë, në vitin 1996. Katër vite më vonë, familja e saj u shpërngul në Belp, një qytezë e vogël e Kantonit të Bernës, në Zvicër. Ndodhi kështu sepse babai i saj gjeti punë në Klinikën e Ortopedisë të Fakultetit të Mjekësisë –Inselspital, në Bernë. Ai punon sot si instruktor i Kirurgjisë në Inselspital Bern dhe docent i Kirurgjisë Maxillofaciale dhe Otorinolaringologjise në Medizentrum në Wankdorf.

Nëna e Arbanitës punon në Spitalin e Münsingenit, si asistente medicinale ndërsa vëllai, Ariani 18 vjeçar, është nxënës i vitit të dytë të shkollës së mesme të mjekësisë.

Arbanita ka kryer shkollën fillore në Belp. Gjatë gjithë kohës ajo, krahas mësimit e kishte gjithherë pasion muzikën. Në shkollën e Muzikës Gürbetal për tre vjet me radhë mori mësimet për piano, te mësuesja Annemarie Schürch.

Deri më tash, Arbi, siç e quajnë shkurt, ka pasur shumë herë rastin të tregojë talentin e saj në manifestime të ndryshme. Janë shumë aktivitete të komunitetit shqiptar që organizohen këtu në Zvicër me rastin e kremtes së Vitit të Ri pastaj Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës ku ajo ka kënduar dhe ka rënë në sy me talentin e saj të veçantë.

Arbi dhe Nico

Por, Arbanita, me gjithë moshën shumë të re, tashmë ka një bagazh të pasur suksesesh edhe në gara të ndryshme për këngëtarë, në regjionin ku jeton dhe më gjerë. Kështu ajo me “Tanzgruppe Breakthrough” në garën e quajtur Kampionati i Zvicrës Veriore, të mbajtur në Aarau, ka zënë vendin e dytë; po me këtë grup është shpallur e para në Bernë. Po kështu në garën e talenteve në Kehrsatz, Arbanita në duet me Nico Minnig ka zënë vendin e parë. Në garën lokale “Belp sucht den Superstar” ajo po kështu ka dalë e para. Dhe, lista e sukseseve të Arbanitës nuk përfundon me kaq. Ajo, duke luajtur rolin kryesor në mjuziklin “The Pirates” në Belp ka fituar tashmë edhe përvojën e shfaqjeve më komplekse muzikore.

Muzika e preferuar e Arbanitës është soul, RnB dhe jazz por e kultivon edhe muzikën shqipe. Nga këngëtaret e skenës botërore adhuron Beyonce, ndërsa nga shqiptaret, Dafina Zeqirin.

Duke qenë se ajo është dëshmuar shumëfish me talentin e saj për këndim dhe ka një shkollim bazik muzikor, Arbanita mendon se muzika do jetë edhe profesioni i saj në të ardhmen.

Aktualisht, kurorëzimi i sukseseve të saj të deritashme për Arbanitën është sigurimi i pjesëmarrjes në gjysmëfinalen e garës “Die grösste Schweizer Supertalente” (Supertalentet më të mëdhenj zviceranë”. Më 25 shkurt në Kreuzlingen, Arbanita dhe Nico do të japin gjithçka nga vetja për të siguruar finalen. Por sigurisht, për të bërë këtë hap gjigant atyre u duhet edhe ndihma e jonë.

Prandaj, ajo lut të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre nga Zvicra, Gjermania, Austria, Franca dhe Italia që më 25 shkurt të telefonojnë dhe të dërgojnë sa më shumë sms-a në adresë të këngës së saj. Kështu do të ndihmojnë që një shqiptare të sigurojë finalen e Zvicrës të kësaj gare të madhe.

Shefik Osmani, promotor i mësimit plotësues të gjuhës shqipe

Prof . dr. Shefik Osmani është dijetar i madh, pedagog përparimtar, didakt i shquar, promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor – pedagogjik i shkollës shqipe jashtë atdheut. Natyrisht se pohimet e këtilla kanë mbështetje mbi fakte dhe vepra të tij.

Prof. dr. Shefik Osmani është i lindur në Shkodër, në vitin 1923. Në këtë qytet me tradita arsimore e atdhetare, që fëmijë, u dha i tëri pas “dritës së diturisë”. Është laureat i çmimit të Republikës.

Ish drejtor i shkollave pedagogjike në Shkodër, Peshkopi, Tiranë. Inspektor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të kulturës, punonjës shkencor në ISP, publicist. Shefik Osmani ka shkruar e botuar shumë. Ç’është e vërteta nuk janë pak 40 tituj të fiksuar në bibliografinë e tij shkencore.

Kur të shkruhet historia e diasporës shqiptare, krahas me shumë pedagogë të shquar që janë marrë me rëndësinë e gjuhës amtare larg atdheut apo me mësimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj, një vend nderi i takon pa dyshim prof dr Shefik Osmanit.

Shkolla e parë shqipe e pavarur në Zvicër zë fill në vitin 1990 në kantonin Glarus, me mësuesen Drita Krasniqi, për t’u përhapur më vonë anembanë Kantoneve të Zvicrës. Përparime në këtë drejtim ishin arritur sidomos gjatë vitit 1994/95.

Shkolla shqipe jashtë atdheut është e organizuar në 14 shtete të botës: në Gjermani, Zvicër, Francë, Angli, Austri, Suedi, Norvegji, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Belgjikë, Luksemburg, SHBA dhe në fillim të punës në Kroaci”. (Dr. Muhamet Bicaj). Për organizimin e shkollës shqipe, Ministria e Arsimit e Qeverisë së Republikës së Kosovës kishte përgatitur gjithçka të nevojshme: Plan-programin, dokumentacionin shkollor (regjistri, dëftesa, libreza nxënësish) tekstet shkollore udhëzime didaktike të hartuara dhe vënien në jetë të të cilit, prof dr. Shefik Osmani ka qenë promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor pedagogjik. Ai theksonte rolin shoqëror e pedagogjik të shkollës dhe edukatës përmes gjuhës amtare në kushte dygjuhëshe.

Rëndësia e gjuhës amtare dhe roli i saj në përvetësimin e një gjuhe tjetër u bë objekt hulumtimi edhe nga pedagogë evropianë, si: dr. Rudolf de Cillia në Austri, dr.dr. Basil Schader në Zvicër, dr. Katrin Hohman në Gjermani etj. Në këtë frymë u paraqit edhe mendimi pedagogjik e didaktik i prof Shefik Osmanit, në artikullin “Teknologjia didaktike dhe mësimi shqip në diasporën e re”. Ai këtu shkruan: “Shkollat e mësimit plotësues janë një dukuri e re në fushën e arsimit botëror, janë shtojca të shkollave të rregullta vendëse, por që mbarështohen me kurrikula të veçanta – të ngritura mbi bazën e të drejtave ndërkombëtare për arsimimin e fëmijëve refugjatë të punonjësve të huaj, që zakonisht emigrojnë si fuqi punëtore në vendet e zhvilluara, ku formojnë enklavat e tyre”.

Mbi 15 vite bashkëpunoi me organizatorë të mësimit plotësues, mësues e intelektualë të diasporës për hartimin e një vargu tekstesh shkollore me bashkautorësi, që u shërbyen nevojave shkollore në mësimin plotësues, si burim i rëndësishëm i diturisë. Fjala është për tekstet si: “Plotësori i abetares”, “Zemra ime” për klasat (I-II-III) “Shkollë e jetë” për klasat IV-V-VI, “Leximi im” së bashku me fletore pune, teksti “Fjalë pas fjale”, “Fjalor me figura” etj.

Jo vetëm në pikëpamje pedagogjike por edhe në fushën e kulturës ai mori pjesë në seminare të shumta të arsimtarëve si në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi etj. gjithkund ku jetonin shqiptarët, duke dhënë kontribut, në veçanti për zhvillimin e arsimit dhe të shkollave në gjuhën amtare.

Për hapjen dhe mbajtjen e shkollave të mësimit plotësues në Zvicër ishte përgjegjësi e madhe jo vetëm në përqasjen e tyre me shkollat tradicionale zvicerane, por edhe me shkollat simotra të komuniteteve tjera si spanjolle, italiane, portugeze, turke etj., të cilat kanë mbështetje të fortë të qeverive përkatëse.

Siç shkruan edhe vet ai, “Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues është një hallkë e re në sistemin tonë arsimor për veçoritë që ka në krahasim me shkollat e tjera të rrjetit arsimor, nga përbërja e nxënësve me origjinë fshatare e qytetare, me prurje dialektore në ligjërim dhe nivele të ndryshme njohurish. Ajo dallon edhe nga shkollat publike e ato private. Kjo shkollë shkruan ai, – i përgatit nxënësit në drejtim të përvetësimit të gjuhës amtare shqipe dhe vlerave të saj artistike e shkencore, të njohjes së historisë së shqiptarëve, karakteristikave kryesore të gjeografisë së vendlindjes të të parëve të tyre dhe njohjes së disa tipareve të artit popullor, që është përpunuar në truallin tonë. Kjo shkollë mësimin e zhvillon njëherë në javë mbi bazën e klasave të bashkuara (I-X), u përshtatet rrethanave ku ndodhet dhe kushteve që kanë nxënësit në mesin dy gjuhësh”.

Për rolin e edukatës dhe shkollës bën fjalë në shkrimin “Roli dhe perspektiva e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë”, ku ndër të tjera shkruan: “Roli i shkollës në këto momente mbetet në epiqendër. Ajo e mëson, aftëson, e përgatit brezin e ri me dije, me shprehi, me aftësi që kur nxënësi të mbarojë klasën e nëntë të jetë një njeri i mësuar, një bamirës, një atdhetar i përgatitur, një person i edukuar në frymën e idealit kombëtar.”

Sipas tij angazhimi i mësuesve kushtëzon mbijetesën e fizionomisë kombëtare të brezit të ri shqiptar të kësaj diaspore, traditat e së cilës: gjuha shqipe, doket e zakonet tona ruhen, trashëgohen dhe transmetohen, “..nëse do të funksionojnë si duhet shkollat tona, nëse në kuvende, në vatra familjare, në mjediset e shkollës do të mbizotërojë gjuha shqipe, nëse do të kumbojë kënga shqipe. Ai komb që ka në dorë arsimin siguron të ardhmen e vet. Dhe e ardhmja sigurohet me përgatitjen e brezit të ri për kthim në vendlindje”.

Shkolla është një institucion shtetëror që përfshinë të gjithë nxënësit shqiptarë pa dallim krahine, pa dallim ideje e feje. Shkolla dhe mësuesi i edukojnë nxënësit që të miqësohen me njëri tjetrin, ta ndihmojnë njëri tjetrin, ta përkrahin njëri – tjetrin, së bashku ta lartësojnë emrin shqiptar, të mishërojë kudo nderin shqiptar, ta përfaqësojë kudo kulturën shqiptare dhe popullin shqiptar triumfues mbi dhunën, mbi forcën, mbi barbarët.

Shkolla shqipe është institucion i depolitizuar. Ajo është institucion kombëtar. Mësuesi personifikon personazhin numër një. Të mësuesi, prindërit shohin edukatorin e fëmijës së tyre, shohin zëvendësin e tyre që i mbulon me kujdes e dashuri të gjithë fëmijët e tyre pa asnjë dallim, pa asnjë iluzion tjetër. Shkolla është vatër e patriotizmit shqiptar, qendra e kulturës kombëtare shqiptare, institucion ku kalitet shkenca e gjuhës shqipe, shkenca e historisë dhe gjeografisë etnike, punishtja e botës së artit shqiptar, prezantuesja e figurave të shquara shqiptare.

“Ne intelektualët e Shqipërisë që na drithërohet zemra për të ardhmen e kombit “qëndrimin tuaj patriotik e shohim me kryelartësi, tubimet tuaja me krenari, shkollat tuaja me admirim të madh. Shqiptarët e mëdhenj nga Kosova si Ymer Prizreni, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj etj le të na shërbejnë si shembull se si duhet kombi dhe gjithçka kombëtare.”

Ndërsa në artikullin “Gjuha jonë është e bukur” i këshillon prindërit: “E pra, fëmijët tuaj nëse nuk ndjekin shkollën shqipe, nëse prindërit kënaqen vetëm me mësimin në gjuhën e huaj dhe nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues, nëse mësuesve shqiptarë u mungon vokacioni kombëtar dhe ai profesional këto të fundit shkallë – shkallë do të humbin gjënë më të shtrenjtë që ka çdo njeriu, Gjuhën amtare. Humbja e gjuhës amtare dobëson marrëdhëniet me vendlindjen. Atdheu i dytë zë vendin e atij të parit. Vendlindja e prindërve, përkatësisht atdheu i parë mbetet vetëm në kujtesë sa për të treguar origjinën”.

Ai gjithnjë mendonte se si të përparojnë nxënësit shqiptarë në shkollat e vendit ku ata kanë vendosur të jetojnë. “Nxënësit shqiptarë padyshim se duhet integrohen në shoqërinë pritëse së bashku me gjuhën shqipe. Duke ditur shqipen ata do të mësojnë një gjuhë tjetër më mirë”

.

Për nevoja të mësuesve prof Osmani hartoi “Dokumentet didaktike bazë të SHSHMP” që përfshin 41faqe.

Aty përshkruhen me imtësi si kurrikula të një institucioni të ri në teori e praktikë: nga plan- programet, struktura, paraqitja e tyre analitike. Cikli i ulët përfshin klasat:I-II-III. Cikli i mesëm, kl. IV –V- VI. Cikli i lartë, kl. VII-VII-IX( me orët përkatëse të mësimit dhe temat në lëndët Gjuhë e Lexim), si dhe udhëzimet metodike e përshkrimi i teksteve e leximeve ndër lëndore deri te kultura muzikore dhe ajo figurative.

Ky plan vetvetiu është voluminoz, me përmbajtje të pasur dhe autentike, kështu që ai meriton të gjurmohet duke e çmuar apo vlerësuar rolin e tij në zhvillimin e pedagogjisë së Mësimit Kombëtar jashtë atdheut. Plani dhe programi i shkollës shqipe të mësimit plotësues përmban: Qëllimi dhe detyrat e shkollës shqipe. 2. Struktura e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues. 3. Programi analitik orientues. Para sheh 3 orë mësimore në ditë, sasia e temave dhe përmbajtja etj. …..4. Udhëzime metodike.

(Autorja është mësuese në Jura)