Qytetarët ankohen për mungesën e gjuhës zyrtare shqipe në produkte

Shumë konsumatorë blejnë produkte duke mos e ditur se çka përmban, pasi që shumë produkte të cilat importohen në Kosovë ndodh të mos kenë mbishkrimin në gjuhën shqipe. Kjo mund të paraqesë edhe një rrezik për ata konsumatorë të cilët kanë ndonjë sëmundje dhe përdorin produktin duke mos e ditur përmbajtjen. Por, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë deklarojnë që Inspektorati i tregut në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyr dhe inspekton tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës. 

Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i Inspektoratit të tregut në MTI, ka thënë se kemi arritur që në shumicën e podukteve të importuara dhe të prodhuara të vendosim “Etiketa”  dhe “Dekleracionin e mallit”  në gjuhët zyrtare të Kosovës – shqipe,  me të dhënat informuese: emrin e produktit, emrin e prodhuesit, datën e prodhimit, afatin e përdorimit, karakteristikat  për përmbajtjen e tyre, si peshën e produktit, mënyrën e përdorimit për llojet e veçanta të produktit, rrezikun e mundshëm gjatë përdorimit si dhe ambalazhimin e produktit.  Sipas tij, aktualisht janë 12 inspektorë të cilët gjatë mbikëqyrjes  së mallrave në treg kontrollojnë edhe “Etiketën” dhe “Deklaracionin e mallit” për  produktet e importuara, të prodhuara për tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës.

Ai ka theksuar se ky Inspektorat gjatë mbikëqyrjes jep këshilla për importuesit që malli të ketë etiketën me gjuhën zyrtare shqipe. “Inspektorati i tregut i MTI-së, gjatë mbikëqyrjes inspektuese gjithnjë jep këshilla, sugjerime, propozime për  importuesit dhe prodhuesit e vendit, që malli i importuar apo i prodhuar të ketë etiketën dhe deklaracionin e mallit  në gjuhët zyrtare shqipe, dhe  si rezultat i dhënies së këshillave gjatë mbikëqyrjes kemi arritur që shumë produkte të konsumit te përgjithshëm, të vendosura në tregun e brendshëm të Kosovës, të kenë deklaracionin e mallit në gjuhët zyrtare shqipe, ka thënë ai.

Po ashtu ai ka shtuar se duhet të ketë dokumentet e tjera përcjellëse: dokumentet e servisimit dhe të përdorimit si  për qumështin dhe produktet e tij, si dhe për mallrat me rrezikshmëri të lartë përdoruese, me qëllim që konsumatori të njoftohet apo të ketë një pasqyrë të qartë  për produktin e blerë.

Shehu ka theksuar se ka produkte në tregun e Kosovës që nuk përmbajnë etiketën me gjuhën zyrtare shqipe. “Një numër i konsideruar i kompanive importuese dhe prodhuese kanë vendosur në produktet e importuara a të prodhuara “Etiketën” dhe “Dekleracionin e Mallit”  në gjuhët zyrtare shqipe, mirëpo ka edhe produkte që gjenden në tregun e brendshëm të Kosovës, e që nuk e kanë akoma të vendosur etiketën dhe dekleracionin e mallit  në gjuhët zyrtare të Kosovë, ka thënë Shehu.

Por, Inspektorati i tregut në mënyre të vazhdueshme gjatë inspektimit i këshillon subjektet afariste për vendosjen e  etiketës dhe të deklaracionit të mallit në gjuhët zyrtare shqipe. Shehu nuk ka mundur të japë shifra të sakta  për numrin e produkteve që nuk e kanë mbishkrimin në gjuhët zyrtare të Kosovës, e që janë të vendosura në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se kërkesat e tregut të Kosovës për produktet e konsumit të përgjithshëm mbulohen kryesisht  nga importi. Sipas tij, në rast se një kompani pavarësisht vërejtjeve të dhëna vazhdon të importojë produkte pa i vendosur “Etiketën” dhe “Deklaracionin e mallit” në gjuhën shqipe,  Inspektorati i tregut i MTI-së për kompanitë të cilat nuk i zbatojnë kërkesat ligjore ndërmerr masa konform ligjit.

Por, ata që ankohen më së shumti janë konsumatorët. Studenti Shkëlqim Haliti ka thënë se gjuha shqipe, e cila mungon nëpër produktet ushqimore dhe joushqimore, krijon mjaft probleme jo shumë për të rinjtë sa për gjeneratat më në moshë. “Problemi është sepse gjeneratat e vjetra nuk flasin gjuhë të huaja, ka prej tyre që flasin rrallë serbisht dhe për këtë arsye krijon problem. Organet kompetente duhet të angazhohen dhe të shkruajnë në produkte gjuhët zyrtare që janë në Kosovë, pasi që me këtë rritet edhe siguria në produkte”, theksoi Haliti.

Ndërsa Besnik Krasniqi ka thënë se kjo është mungesë e marrëveshjes tregtare  në mes të palëve, duke thënë se kjo është në dëm të qytetarëve të vendit.  “Po, kjo është në dëm te qytetarëve, sepse nuk mund ta dinë përmbajtjen e produktit, si mineralet, vitaminat, proteinat, yndyrat etj.”, deklaroi Krasniqi. Të njëjtin mendim e ka edhe Lavdim Xhemajli, duke thënë se është shumë e dëmshme për konsumatorët, sidomos për të rinjtë dhe ata në moshë, pasi që e kanë të vështirë të dinë përmbajtjen e produkteve.

Ndërsa Besart Hasani ka theksuar se me këtë tregu kosovar po injorohet nga prodhuesit e jashtëm. “Me këtë që po ndodh po injorohet tregu kosovar nga ai i jashtëm, dhe ne nuk duhet t’ua blejmë produktet këtyre shteteve”, ka thënë Hashani. E të njëjtit mendim ka qenë edhe Teuta Haxholli. “Është tejet e rëndësishme që produktet të kenë edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe, sepse sidomos gjeneratat e reja e njohin shumë pak gjuhën e produkteve të fqinjit tonë verior, e që në vendin tonë janë me bollëk. Dhe shumica prej tyre nuk mund ta kuptojnë përmbajtjen”, ka theksuar ajo.

Kritika për këtë ka dhënë edhe eksperti për ekonomi, Musa Limani, i cili ka thënë se është ligji për mbrojtjen e konsumatorit dhe ai duhet të zbatohet.  “Ka disa ligje që e rregullojnë këtë për mbrojtjen e konsumatorit, ku thuhet se çdo produkt që shitet në Kosovë duhet të ketë edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe. Do të thotë, të gjitha ato produkte që nuk e kanë mbishkrimin sipas ligjit nuk duhet lejuar të shiten, sepse konsumatori duhet të dijë se çka po blen”, ka thënë Limani. Ai ka theksuar po ashtu se është rrezik për konsumatorin, e sidomos ata që blejnë barna e nuk e dinë çka përmban dhe kjo është keq. Sipas tij, çdo shtet u përmbahet këtyre rregullave.

Por, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishit, Burim Piraj, ka thënë se edhe lënda e parë që importohet në Kosovë, e që plasohet në tregun e Kosovës ka mbishkrimet në gjuhën shqipe, ose së paku një prej gjuhëve zyrtare, domethënë edhe në gjuhën serbe, në këtë rast.

“Ne i kemi në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze për shkak të rritjes në treg, domethënë produktet finale që janë për treg janë të përkthyera në 4 gjuhë, në gjuhën shqipe, anglishte, boshnjake edhe maqedonishte. Sepse shitja jonë është në këto tregje, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, po pse jo edhe në Serbi”, ka thënë ai. Piraj ka theksuar se të gjitha shënimet se çfarë përmbajtje ka produkti dhe data e skadencës, edhe prodhuesi kush është dhe të gjitha gjërat elementare që duhet t’i ketë një produkt në bazë të ligjit të Kosovës i kanë të shënuara. Ai ka theksuar se nuk ka shans të hyjnë në kufi produkte ta papërkthyera. Në qoftë se vjen pa përkthim do të duhet domosdoshmërish të përkthehet në Kosovë që të dalë në shitje.

Edhe Ramiz Kelmendi nga kompania Elkos Group që merret me importimin e produkteve në Kosovë ka thënë se të gjitha produktet që i importon kanë etiketën me gjuhën zyrtare shqipe. “Mbi 99 % e produkteve që ne importojmë e kanë përkthimin në gjuhën shqipe. Ju kemi përmbajtur ligjit që secili produkt të ketë gjuhën amtare. Gjuhë zyrtare janë shqipja, anglishtja dhe serbishtja dhe të gjitha produktet që kanë përmbajtjen në gjuhën angleze i plotësojnë kushtet për Evropë, por ne kemi kërkuar që të kenë edhe gjuhën shqipe për ato që vijnë në Kosovë”, ka thënë Kelmendi.  Ndryshe, ky problem do të vazhdojë të jetë aktual edhe më tutje, kur dihet që është një numër i vogël i inspektorëve që duhet të parandalojnë këtë dukuri.