Ndërkombëtarët e duan likuidimin e Trepçës, vendorët nuk dorëzohen

Kombinati metalurgjik Trepça, që dikur ishte krenaria e Kosovës, është në fazës e transformimit, por dilemat e mëdha kanë dal nëse duhet të likuidohet dhe të privatizohet tërësisht, apo të vazhdojë së punuari dhe Qeveria të mbajë shumicën e aksioneve edhe nëse shitet.

Për variantin e parë janë ndërkombëtarët, ndërsa për variantin e dytë janë udhëheqësit e këtij kompleksi më të madh industrial në Kosovë janë vendorët.

Në përkrahje të udhëheqësisë ka dal edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

Kryetari I OEK-ut, bërë Safet Gërxhaliu ka thënë se për rimëkëmbjen e Trepçës duhet lejuar investimet private-publike. OEK do të hartojë një plan kombëtar për zhvillimin e Trepçës, i cili do t’i paraqitet Qeverisë brenda tri javësh.

“E ardhmja e Kosovës është e ndërlidhur ngushtë me të ardhmen e Trepçës. Shteti duhet të gjejë mekanizma të mbështetjes drejt rivitalizimit të saj”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka kërkuar që të tërhiqet moratoriumi rreth Trepçës, të tërhiqet vendimi për administratorin e huaj, pasi ai vendim dobëson këtë kompleks dhe fuqizon UNMIK-un.

“Fati i Trepçës duhet të jetë në duar të Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas drejtuesve, kompleksi industrial Trepça për herë të parë pas luftës është rentabile dhe është duke operuar me mjete vetanake.

“Trepça ka nevojë për përkrahje si aset i Kosovës, për fuqizim, për rivitalizim dhe të kthehet në burim zhvillimi të vendit”, ka thënë menaxheri i Trepçës, Ferat Shala.

Ai ka potencuar punën e madhe që bëhet nga i gjithë stafi, që nga minatorët e deri tek menaxherët. 

“Koncepti dhe vendosmëria jonë është se nuk ka likuidim, nuk ka privatizim dhe nuk ka administrator të huaj”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Trepça, tani 12 vjet pas çlirimit, është një kompani likuide, e cila është në gjendje të kryejë të gjitha pagesat dhe obligimet e veta.