Kantonet hezitojnë të strehojnë refugjatët

Karin Keller-Sutter ka thënë se "refugjatët mund të verifikohen që në Lampeduza lidhur me bazën e tyre për azil"

Drejtorët e policive të kantoneve i druajnë valës së refugjatëve nga Afrika e Veriut dhe kërkojnë nga federata një procedurë më të detajuar lidhur me pritjen e tyre. Këtë kërkesë kantonet ia kanë drejtuar federatës javën e kaluar.

Sipas gazetës “Sonntags Zeitung”, kryetarja e konferencës së drejtorëve të policive kantonale, Karin Keller-Sutter ka thënë se “refugjatët e atjeshëm mund të verifikohen që në Lampeduza lidhur me bazën për azil.

Po ashtu, federata do të duhej që refugjatët të cilët dyshohen të kenë ardhur për motive ekonomike t` i vendoste në qendra federale strehimi dhe jo t`i ndajë nëpër kantone. Në këtë mënyrë do të ruheshin kapacitetet për strehimin e refugjatëve të vërtetë, në rast se ata mbërrijnë në Zvicër nga Libia.

Federata po ashtu duhet të kujdeset që refugjatët e ardhur në Zvicër, por që para kësaj janë të regjistruar në Itali, të pranohen sërish nga Italia, ashtu siç e parashohin rregullat e Dublinit. Kantonet pohojnë se kohëve të fundit kanë mundur të kthejnë në Itali fare pak refugjatë.