Gjithkund të pa integruar

Vetëm brenda tre muajve të parë të këtij viti, janë riatdhesuar vullnetarisht ose me forcë, 1 mijë e 473 persona.

Edhe pse në pamje të parë mund të duket e  dhimbshme dhe e ashpër, por riatdhesimi i kosovarëve që jetojnë pa dokumente në shtetet e Evropës perëndimore është kusht shumë i rëndësishëm që vendi të hyjë në zonën e bardhë Schengen, ose siç njihet më mirë-  të fitojë  liberalizimin e vizave.

Për këtë arsye vetëm gjatë këtij viti, pritet që nga shtetet e ndryshme, drejt Kosovës të riatdhesohen rreth 5 mijë qytetarë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Vetëm disa javë më parë, nga Belgjika, me të cilën Kosova ka nënshkruar së fundi marrëveshje për riatdhesim, janë kthyer më shumë se 150 shtetas kosovarë të cilët në këtë shtet të Beneluksit qëndronin atje pa dokumentet përkatëse.

Këta të kthyer i bashkohen numrit prej mijëra  refugjatësh  të Kosovës që janë kthyer nga shtetet e Evropës perëndimore, që nga fillimi i procesit të riatdhesimit, nisur  në fund të vitit 2009.

Më të gjitha ato vende me të cilat shteti ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe për riatdhesim, ka bërë që drejt Kosovës të riatdhesohen refugjatë të të gjitha nacionaliteteve, si shqiptarë, romë, shkali, boshnjak apo egjiptas.

E deri më tash, Kosova ka nënshkruar numër të madh marrëveshjesh me shumë shtete, ndërkohë që sipas Bajram Rexhepi,  ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, shteti është në proces të nënshkrimit të marrëveshjeve të tilla dhe me disa vene të tjera.

Kreu i ministrisë që ka rol shumë të madh në plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave, tregon se Kosova së shpejti do të nënshkruajë marrëveshje të tilla edhe me Çekinë, Kroacinë, Hungarinë, Finlandën, Letoninë dhe Suedinë.

Së fundi, marrëveshje për këtë qëllim janë nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë si dhe vendeve të Beneluksit-Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg.

Pavarësisht nëse kanë qenë ose jo të integruar në vendet përkatëse, në rast se këta refugjatë nuk kanë pasur dokumentet e rregulluara, brenda disa orëve ata vetën e kanë gjetur në Kosovë.

© albinfo.ch

Të “humbur” në Kosovë

Riatdhesimi është një prej kritereve të forta që Qeveria e Kosovës duhet të plotësojë për të fituar lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit në zonën Schengen.

Por përveç kthimit të refugjatëve, ajo ka për detyrë edhe riinegrimin e tyre në shoqëri, pavarësisht se vendi ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin nga Komisioni Evropian, që përcakton rrugën që duhet ndjekur.

Megjithëkëtë, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, në një konferencë të mbajtur disa ditë më parë, tha se shpreson që vendi të fitojë liberalizimin e vizave deri në fund të vitit të ardhshëm.

© albinfo.ch

“Brenda këtyre njëqind ditëve ne kemi vazhduar në zbatimin e kritereve teknike për liberalizimin e vizave dhe këtë proces e kemi koordinuar në vazhdimësi”, është shprehur ministri Rexhepi.

Por kur të gjithë shpresojnë se edhe Kosova nuk do të mbetet për shumë kohë vendi i vetëm i izoluar i Evropës, ata që nuk e duan liberalizimin për shkak të riatdhesimit të detyrueshëm, janë refugjatët që presion të kthehen apo që tashmë janë riatdhesuar.

Një prej tyre është edhe Nazmija Shahinoviq, nënë e tetë fëmijëve e riatdhesuar vetëm disa ditë më parë nga Munihu i Gjermanisë.

Në këtë familje me nënshtetësi kosovare, por me përkatësi etnike boshnjake, thonë se që nga kthimi i tyre në Kosovë, disa javë më parë, janë duke hequr shumë.

Ata janë vendosur në një banesë që ndodhet në lagjen rome në Plemetin të Obiliqit, e cila nuk është pronë e tyre, por e kanë zënë me qira.

“Burri smut, unë me tetë fëmijë nuk di nga të shkoj e çfarë të bëj”, thotë Nazmija  për Albinfo, e cila papritur e ka gjetur veten në një vend prej të cilit kishte ikur dikur. “Nuk na nguc askush, por nuk ka punë, nuk kemi çfarë të bëjmë jemi si të humbur”, rrëfen kjo 48 vjeçare, e cila në Gjermani kishte shkuar para më shumë se dhjetë vjetësh. Edhe pse disa nga fëmijët e saj kishin lindur në shtetin gjerman, dhe ishin mirë të integruar, ata janë riatdhesuar menjëherë, në kuadër të marrëveshjes për riatdhesim të nënshkruar nga ministrat përkatës të dy shteteve-Kosovës dhe Gjermanisë.

Flasin për integrim

Pikërisht për situatën e vështirë të minoriteteve që riatdhesohen, është mbajtur në Prishtinë edhe një konferencë e organizuar nga Ambasada e Finlandës, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe organizata joqeveritare e komunitetit romë, shkali e egjiptas- Rrograek.

Me temën “integrimi i grave të riatdhesuara të komuniteteve rom, shkali dhe egjiptas”, të pranishmit u munduan të japin mënyra se si duhet ndihmuar.

Në fakt, aty pati shumë vërejtje për punën e institucioneve sepse përtej letrave dhe fjalëve, disa të pranishëm kërkuan angazhim konkret në këtë çështje.

Në këtë konferencë edhe një herë i saktësua se me riatdhesimin e pjesëtarëve të minoriteteve, sidomos gratë, përballen me probleme në shkollim, kujdesin shëndetësor, strehimin, përfitimet sociale dhe shumë pak prej tyre mund të gjejnë punë.

Qëllimi i konferencës ishte krijimi i iniciativave konkrete nga aktorët kyç për mbështetjen e riintegrimin dhe riatdhesimin e grave dhe vajzave të rikthyera nga vendet perëndimore në Kosovë.

Megjithëkëtë, me kapacitetet e veta, vendi duket se është duke u munduar të ndihmojë këta të riatdhesuar. Prej 7 dhjetorit të vitit 2010, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është instaluar Zyra për Pritjen e Personave të Riatdhesuar, e cila në intervale të rregullta kohore përcjell të dhënat te Zyra për Integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tek komunat, në të cilat nëpërmjet koordinatorëve lokalë menaxhohen situatat gjatë procesit të riatdhesimit.

Kjo ministri ka angazhuar 250 zyrtarë komunalë që merren në baza ditore për riintegrimin e personave të riatdhesuar .