Zvicra ndihmon mësimin për mbrojtjen e mjedisit

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Maqedoni do të ndihmojë në edukimin e nxënësve për mbrojtjen e mjedisit.

Kjo agjenci prej disa vjetësh është duke ndërmarrë aktivitete në këtë fushë, por tashmë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka institucionalizuar veprimet.

Agjencia Zvicerane do të ndihmojë në futjen e kurikulave mësimore edukimin për mjedisin që nga ato parashkollore deri në kurikulat të shkollave të mesme.

Tatjana von Steger Weber, Shefja e Agjencisë Zvicerane në Shkup thotë se “ky program filloi si një veprim vullnetar në disa shkolla në gjithë vendin, me mësues dhe nxënës entuziastë, që tani Ministria e Arsimit të jetë partneri kryesor si dhe OJQ OXO që mbështet implementimin”.

Sipas asaj që parashikohet mbështetja për këtë nismë do të zgjasë deri në vitin 2013.

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim konsideron si një nga aspektet e rëndësishme ndihmën për mjedisin ku në programet e saj përfshihen edhe ndihma për menaxhimin e ujërave.

Aktualisht janë duke u zbatuar dy projekte, njëra që ka të bëjë me një impiant të ri të trajtimit të ujërave të ndotur në Gjevgjeli, kurse tjera me zbatimin e një ligji për ujërat të miratuar kohë më parë nga Parlamenti i Maqedonisë.

Nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim thonë se besojnë që mbështetja që kanë dhënë në fushën e aktiviteteve rreth mjedisit “ka pasur ndikimin e vet, kjo në mënyrë specifike tek programi i edukimit për mjedisin”.

Konsiderohet si tejet i rëndësishëm edukimi i moshave të reja për këtë çështje, ndërkohë që është mirëpritur angazhimi i Ministrisë së Arsimit që për mjedisin të mësojnë edhe nxënësit e shkollave të mesme. Kjo sipërmarrje nënkupton një sërë përgatitjesh, trajnimesh të mësuesve madje dhe prindërve dhe zbatim të programit.

Kjo Agjenci zvicerane është prezente në Maqedoni thuajse menjëherë që nga pavarësia e saj në vitet ’90. Për veç ndihmës në fushën e mjedisit akordon ndihma edhe në programe të tjera që kanë të bëjnë me demokratizimin, decentralizimin si dhe përforcimin e sektorit civil.