Zviceranët, dorëlëshuar për blerjen e kompjuterëve

Për blerjen e prodhimeve kompjuterike janë shpenzuar 3.9 miliardë franga ose 8.5% (305 milionë franga) më shumë se një vit më parë

Sipas publikimit të specializuar për tregtinë me teknikë kompjuterike «ICT-Marktreport Schweiz », gjatë vitit të kaluar zviceranët kanë shpenzuar dukshëm më shumë se një vit më parë për blerjen e kompjuterëve.

Marrë në përgjithësi, për blerjen e të gjitha produkteve që bëjnë pjesë në sferën e kompjuterëve janë shpenzuar 3.9 miliardë franga ose 8.5% (305 milionë franga) më shumë se një vit më parë.

Këtu nuk hyjnë paratë që zviceranët kanë dhënë për blerjen e smartphone-ve ose iPad-ëve

Vetëm për blerjen e laptopëve dhe kompjuterëve shtëpiakë janë dhënë 1.9 miliardë franga ose 6.7 % më shumë se një vit më parë.

Po ashtu shifra më të mëdha se vitin e kaluar janë realizuar edhe në shitjen e serverëve dhe shtypësve.

Gjithsej gjatë vitit 2010 janë shitur mbi 2 milionë kompjuterë dhe laptopë, shifër kjo rekorde deri më tash.

Çmimet mesatare të kompjuterëve kanë zbritur për 4.5% krahasuar me një vit më parë.