Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik

Kosova ka marrë pjesë për herë të parë si vend partner në konferencën ndërkombëtare Future Industry Minds 2026, e cila po zhvillohet në Cologne të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar është një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Sipas tij, në konferencë marrin pjesë shumë kompani nga Gjermania dhe vende të tjera, si dhe biznese nga Kosova, të cilat kanë mundësi të diskutojnë në panele të ndryshme dhe të krijojnë kontakte të reja bashkëpunimi.

Kurti theksoi se aktiviteti po mbahet në kështjellën Schloss Bensberg, ndërsa përmendi edhe zhvillimet ekonomike në Kosovë, duke thënë se vendi po shënon rritje ekonomike rreth 4 për qind, me rritje të qarkullimit të bizneseve, eksporteve dhe investimeve të huaja.

Gjatë vizitës në Gjermani, ai ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të landit North Rhine-Westphalia, ku është diskutuar edhe roli i mërgatës kosovare në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve. Në këtë kuadër, Kurti vizitoi edhe Düsseldorf, ku u prit nga kryeministri i këtij landi.

Ai shtoi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të përqendrohet në investime strategjike në ekonomi, industri dhe infrastrukturë, duke përfshirë sektorë si minierat, gazifikimin e linjitit, hekurudhat, digat dhe zhvillimin e turizmit në Brezovica Ski Resort.

Sipas Kurtit, synimi i qeverisë është zgjerimi i eksporteve dhe tërheqja e investimeve të huaja, duke shfrytëzuar potencialin zhvillimor të sektorëve kyç të ekonomisë së Kosovës./Albinfo.ch

Kosovë: Sot përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

Subjektet politike në Kosovë kanë afat edhe sot për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se afati 11-ditor për dorëzimin e listave përfundon të martën në mesnatë.

“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se dorëzimi i listave duhet të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së, ndërsa procedura është e njëjtë me atë të përdorur në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas KQZ-së, gjithsej 27 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Prej tyre 22 janë parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

KQZ u ka bërë thirrje subjekteve politike që listat e kandidatëve t’i dorëzojnë sa më shpejt, në mënyrë që të sigurohet certifikimi dhe përgatitja në kohë e procesit zgjedhor./Albinfo.ch

Riviera shqiptare mes 5 vendeve më të mira në Evropë për “wild camping”

Kampimi në natyrë, i njohur si “wild camping”, po bëhet gjithnjë e më i preferuar për ata që duan të përjetojnë natyrën larg hoteleve dhe zonave turistike të mbipopulluara. Megjithatë, në shumë vende europiane kjo formë kampimi është e kufizuar ose e ndaluar, ndaj turistët duhet të informohen gjithmonë për rregullat lokale, transmeton albinfo.ch.

Në një listë të pesë destinacioneve më të veçanta në Europë për këtë lloj përvoje, përfshihet edhe Riviera shqiptare, e cila konsiderohet një ndër vendet më interesante për kampim në natyrë.

Sipas rekomandimeve për udhëtarët aventurierë, Shqipëria mbetet ende një destinacion relativisht i pazbuluar për shumë turistë europianë. Kampimi në natyrë është më pak i kufizuar krahasuar me shumë vende të tjera, për sa kohë respektohen mjedisi dhe pronat private.

Veçanërisht përgjatë Rivierës shqiptare gjenden plazhe të izoluara ku mund të kampohet pranë detit. Një nga zonat më të përmendura është Vlora, ku udhëtarët mund të ndalojnë pranë bregdetit dhe të shijojnë natyrën, qetësinë dhe pamjen e detit.

Lista e destinacioneve përfshin gjithashtu vende të njohura për natyrën e tyre të paprekur si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, si dhe rajonin unik të Kapadokisë në Turqi.

Pavarësisht vendit të zgjedhur, ekspertët këshillojnë që kampuesit të respektojnë rregullat lokale, të mos lënë mbeturina dhe të kujdesen për natyrën, në mënyrë që këto destinacione të mbeten të paprekura edhe për vizitorët e ardhshëm. /Albinfo.ch

“Një gjuhë për dhimbjen”, historia e një familjeje kosovare nominohet për çmimin prestigjioz të gazetarisë në Zvicër

Dhimbja e mijëra familjeve shqiptare që për vite të tëra jetuan të ndara për shkak të emigrimit të detyruar po rikujtohet sot në zemër të Zvicrës. Një reportazh i gazetares Tugba Ayaz është nominuar për Zurich Journalism Prize, një nga vlerësimet më prestigjioze në gazetarinë zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Artikulli me titull “Eine Sprache für den Schmerz” (“Një gjuhë për dhimbjen”) rrëfen historinë e Nazmi Kadriu dhe familjes së tij, një histori që pasqyron fatin e mijëra shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, kur shumë prej tyre u detyruan të punonin në Zvicër si punëtorë sezonalë larg familjeve.

Shkrimi është përzgjedhur ndër nëntë punimet më të mira të vitit në Zvicër. Tre fituesit e çmimit do të shpërblehen me nga 10 mijë franga zvicerane, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet më 12 maj 2026 në lokalin e njohur të eventeve Kaufleuten, në Cyrih.

Reportazhi u publikua më 15 shkurt 2025 në platformën zvicerane Republik dhe trajton dramën njerëzore të punëtorëve sezonalë që për dekada punuan në Zvicër pa pasur të drejtë të sillnin familjet e tyre.

Në qendër të rrëfimit është historia e Nazmi Kadriut, sot 75 vjeç. Në vitin 1990 ai u largua nga Prishtina pasi humbi punën në minierë dhe përfundoi duke punuar në një fermë në kantonin Jura, me një pagë prej rreth 1200 frangash në muaj dhe me orare të gjata pune, deri në 12 orë në ditë.

Në atë kohë, statusi i punëtorit sezonal në Zvicër ua ndalonte rreptësisht punëtorëve të merrnin familjet me vete. Për pesë vite me radhë, ai jetoi i ndarë nga bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij në Kosovë, ndërsa familja përballej me varfërinë dhe pasigurinë e kohës.

Djali i tij, Lulzim Kadriu, kujton në reportazh momentet e vështira të fëmijërisë. “Si fëmijë nuk e kuptoja pse babai duhej të ikte gjithmonë”, rrëfen ai, transmeton tutje albinfo.ch.

Familja arriti të ribashkohej vetëm në vitin 1995, kur Nazmiu fitoi lejen e qëndrimit në Zvicër. Megjithatë, plagët emocionale të ndarjes mbetën të thella.

Sot, Lulzimi është pjesë e shoqatës Tesoro, e cila kërkon njohjen e vuajtjeve të familjeve të ish-punëtorëve sezonalë. Sipas historianit Toni Ricciardi, rreth gjysmë milioni familje janë prekur nga kjo politikë e ndarjes së detyruar në Zvicër.

Reportazhi i nominuar jo vetëm që rikujton një kapitull të dhimbshëm të historisë së migrimit, por gjithashtu lidhet me debatin aktual në Zvicër për kufizimin e bashkimit familjar për migrantët.

“Ata punuan në punë që zviceranët nuk i bënin, u paguan pak dhe shpesh u trajtuan si njerëz të dorës së dytë”, thotë Lulzimi, duke kërkuar që sakrifica e punëtorëve sezonalë të njihet si pjesë e historisë që kontribuoi në zhvillimin e Zvicrës./Albinfo.ch

Sukses akademik, Fikri Hajdari fiton doktoraturën në Norvegji

Psikologu shqiptar Fikri Hajdari është pranuar në një program doktorature (PhD) në Norvegji, pas një procesi përzgjedhës me konkurrencë të lartë. Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij profesional dhe akademik, duke e pozicionuar atë në një nga sistemet më të zhvilluara evropiane të kërkimit dhe shëndetit mendor, transmeton albinfo.ch.

Pozita e Hajdarit është në Akershus universitetssykehus (Ahus), në bashkëpunim me Universitetin e Oslos. Ai do të jetë pjesë e një projekti kërkimor të financuar nga Norges Forskningsråd (Këshilli Norvegjez i Kërkimeve), një prej institucioneve kryesore që mbështet zhvillimin shkencor dhe inovacionin në Norvegji.

Rrugëtimi i tij pasqyron sfidat me të cilat përballen shumë të rinj në Kosovë, veçanërisht mungesën e mundësive të mjaftueshme për zhvillim profesional dhe integrim në tregun e punës. Megjithatë, historia e tij dëshmon se këto vështirësi mund të shndërrohen në motiv për të kërkuar rrugë të reja dhe për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në nivel ndërkombëtar.

Gjatë qëndrimit në Norvegji, Hajdari ka ndërtuar përvojë në sektorin e kujdesit social dhe të shëndetit mendor, duke u integruar gradualisht në një sistem të ri profesional. Ky angazhim i vazhdueshëm dhe përkushtimi ndaj profesionit kanë qenë baza e avancimit të tij akademik dhe shkencor.

Ndërkohë, ai është angazhuar edhe në fushën e botimeve akademike, duke bashkëpunuar si bashkautor në librin universitar “Psikologji Edukimi”, ndërsa aktualisht është në proces botimi edhe libri “Vështirësitë në të nxënë”, një projekt tjetër që pasqyron kontributin e tij në zhvillimin e literaturës profesionale në gjuhën shqipe.

Pranimi i Fikri Hajdarit në studimet e doktoraturës konsiderohet jo vetëm një arritje personale, por edhe një mesazh motivues për gjeneratat e reja, se investimi në dije, puna e vazhdueshme dhe guximi për të dalë nga zona e rehatisë mund të hapin rrugë drejt suksesit edhe jashtë vendit.

Ky rrugëtim shërben si shembull se potenciali ekziston, ndërsa dallimin e bën këmbëngulja dhe vendosmëria për të ecur përpara pavarësisht sfidave./Albinfo.ch

Besa Sharrah emërohet anëtare e Komisionit për Evropën Lindore në Ohio

Besa Sharrah, profesioniste shqiptaro-amerikane, është emëruar anëtare e Komisionit për Evropën Lindore në shtetin e Ohio, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Emërimi është bërë nga guvernatori i Ohio-s, Mike DeWine, në një kohë që konsiderohet vendimtare për zhvillimet politike dhe strategjike në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, në sfondin e sfidave të vazhdueshme dhe luftës që po ndikon rajonin.

Në reagimin e saj pas këtij emërimi, Sharrah e cilësoi këtë si një nder të madh dhe një përgjegjësi të rëndësishme. Ajo theksoi se do të angazhohet për promovimin e vlerave demokratike dhe për mbështetjen e forcimit të institucioneve në vendet e Evropës Lindore.

Sipas saj, bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm është thelbësor për të garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe demokracia të vazhdojë të zhvillohet pavarësisht vështirësive dhe krizave aktuale.

Ky emërim shihet si një hap domethënës, duke reflektuar rolin gjithnjë e më aktiv të profesionistëve shqiptaro-amerikanë në strukturat institucionale dhe vendimmarrëse në SHBA./Albinfo.ch

Kriza në burgjet e Belgjikës: Punonjësit në grevë, sistemi në prag kolapsi

Punonjësit e burgjeve në Belgjikë kanë nisur një grevë mbarëkombëtare që nga mëngjesi i sotëm, duke paralajmëruar se sistemi penitenciar ndodhet në një situatë të rëndë dhe rrezikon kolapsin.

Greva filloi në orën 06:00 në të gjitha burgjet e vendit, si reagim ndaj mbipopullimit, rritjes së dhunës dhe mungesës së stafit. Sindikatat thonë se kushtet e punës janë përkeqësuar ndjeshëm dhe ngarkesa për punonjësit është bërë e papërballueshme.

Sipas të dhënave më të fundit, në burgjet belge ndodhen 13,733 të burgosur, ndërsa kapaciteti zyrtar është 11,064 vende. Si pasojë e mbingarkesës, rreth 754 të burgosur flenë në dyshekë të vendosur në dysheme.

Negociatat mes sindikatave dhe kabinetit të Ministres së Drejtësisë, Anneliese Verlinden, nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete për uljen e mbipopullimit apo përmirësimin e kushteve të punës, duke çuar në përshkallëzimin e protestës.

Administrata e burgjeve paralajmëron se situata po përkeqësohet, me rritje të incidenteve të dhunshme dhe mungesa të stafit për shkak të lëndimeve. Sipas tyre, rastet e sulmeve janë dyfishuar brenda një viti, ndërsa mungesat nga puna janë rritur mbi 30% në dy vitet e fundit.

Autoritetet paralajmërojnë se gjendja mund të rëndohet edhe më shumë gjatë verës, kur një pjesë e madhe e punonjësve marrin leje vjetore.

Botërori 2026 nën hijen e shqetësimeve për të drejtat e njeriut

Organizata “Human Rights Watch” ka paralajmëruar se Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, mund të sjellë probleme serioze për të drejtat e njeriut.
Drejtoresha e organizatës, Minky Worden, tha për portalin ntv.de se turneu duhet të organizohet duke respektuar një kornizë të qartë të të drejtave të njeriut.
Sipas saj, edhe pse ky mund të jetë Botërori më i madh në histori, nuk pritet të jetë më i miri në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Ajo shprehu shqetësim për rolin e mundshëm të agjencisë amerikane të emigracionit dhe doganave (ICE) në masat e sigurisë gjatë turneut. Worden e përshkroi këtë agjenci si problematike për shkak të politikave të saj ndaj emigrantëve.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ICE do të ketë rol konkret në sigurinë e ndeshjeve. Autoritetet në Miami kanë deklaruar se kanë marrë garanci nga zyrtarë amerikanë se agjentët e ICE nuk do të jenë të pranishëm brenda stadiumeve.
Worden gjithashtu kritikoi mungesën e masave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në qytetet pritëse, duke theksuar se vetëm Atlanta ka përfshirë në planet e saj çështje që lidhen me komunitetet LGBT.
Ajo kritikoi edhe vendimin e FIFA-s për t’i dhënë Çmimin e Paqes presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një veprim të papërshtatshëm.

Juventusi nuk ndalet: Zhegrova magjeps klubin me vetëm 10 minuta lojë

Kanë kaluar më shumë se një javë nga ndeshja mes Juventusit dhe Hellas Veronës në Serie A, e cila përfundoi me rezultat 1-1.

Në këtë takim të zhvilluar më 3 maj në “Allianz Stadium”, Edon Zhegrova u aktivizua për rreth dhjetë minuta me fanellën e Juventusit. Gjatë kësaj kohe, ai ishte shumë afër golit, por tentativa e tij u ndal nga shtylla.

Pavarësisht minutazhit të kufizuar, paraqitja e tij ka vazhduar të tërheqë vëmendje te klubi italian. Juventusi ka publikuar sërish një video me momentet më të mira të Zhegrovës nga ajo ndeshje.

“Aftësi e pastër. Edon Zhegrova i pastër”, ka shkruar klubi në përshkrimin e videos.

Në pamjet e publikuara shihet sulmuesi kosovar duke kaluar kundërshtarët me driblime të shpejta dhe teknikë të lartë.

Zhegrova iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Lille për 15.5 milionë euro, shumë që mund të arrijë deri në 20 milionë me bonuse. Deri tani, ai ka luajtur 25 ndeshje, por vetëm një herë ka qenë titullar, në përballjen ndaj Pafosit në Ligën e Kampionëve.

Në total, ai ka regjistruar 492 minuta lojë, pa shënuar apo asistuar ende për klubin italian.

Juventusi do të rikthehet në aksion fundjavën e ardhshme ndaj Fiorentinës, më 17 maj, në Serie A.

Një punë nuk mjafton më: të rinjtë kërkojnë të ardhura shtesë për të përballuar jetesën

Gjithnjë e më shumë të rinj nga Gjenerata Z dhe Millennials po detyrohen të kërkojnë burime shtesë të të ardhurave, pasi një punë me orar të plotë shpesh nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet mujore.

Ky trend, i njohur si “polyworking”, nënkupton mbajtjen e disa punëve njëkohësisht, përfshirë punë të dytë apo aktivitete shtesë (side hustles) si freelancing, punë me projekte apo angazhime të pjesshme.

Sipas studimit të Deloitte “Global Gen Z and Millennial Survey 2025”, më shumë se gjysma e të rinjve të anketuar jetojnë nga paga në pagë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme përballen me vështirësi në mbulimin e shpenzimeve mujore. Rritja e kostos së jetesës është identifikuar si shqetësimi kryesor për shumë prej tyre.

Edhe në Zvicër, ku niveli i të ardhurave është i lartë, rreth gjysma e të rinjve shprehin pasiguri financiare dhe shqetësim për të ardhmen, përfshirë pensionin.

Tendenca është në rritje edhe globalisht. Sipas të dhënave të raportuara nga Reuters në vitin 2026, numri i personave që punojnë më shumë se një punë ka arritur nivelin më të lartë në dhjetë vitet e fundit, ku rreth 55% e tyre i përkasin Gjeneratës Z.

Në rrjetet sociale, të rinjtë ndajnë gjithnjë e më shumë mënyra për të fituar të ardhura shtesë, si anketa online, punë të pavarura, shërbime të ndryshme apo edhe aktivitete të vogla me pagesë.

Ekspertët vlerësojnë se “polyworking” po shndërrohet nga një zgjedhje në një domosdoshmëri për shumë të rinj, për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës dhe pamjaftueshmërisë së një të ardhure të vetme.

Zvicër: Platforma për lënien e duhanit kushton miliona, por përdoret pak

Platforma shtetërore zvicerane Stopsmoking.ch, e financuar nga Fondi për Parandalimin e Duhanit, është vënë nën kritika pasi përdorimi i saj ka rënë ndjeshëm pas ridizajnimit në vitin 2025. Sipas të dhënave të paraqitura në parlament, faqja regjistron rreth 150,000 vizita në vit, pavarësisht investimeve të mëdha publike.

Fondi që e financon platformën siguron rreth 12 milionë franga zvicerane në vit, ndërsa kostot e funksionimit të shërbimit arrijnë në rreth 1.5 milionë franga në vit. Shërbimet e këshillimit kushtojnë rreth 500 franga për seancë, por janë falas për përdoruesit.

Deputetja e FDP-së dhe mjekja Bettina Balmer e ka kritikuar rënien e përdorimit, duke kërkuar më shumë efikasitet dhe objektiva më të qarta për platformën. Ajo thekson se rritja e kostove në raport me vizitat nuk është e kënaqshme.

Nga ana tjetër, deputetja e SP-së Sarah Wyss e konsideron parandalimin e duhanit shumë të rëndësishëm, por pranon se përmirësimet janë gjithmonë të nevojshme.

Ndërkohë, deputeti i SVP-së Andreas Glarner kritikon ndërhyrjen e shtetit, duke thënë se qeveria duhet të ketë prioritete të tjera dhe të mos krijojë një “shtet kujdestar”.

Qeveria zvicerane mbron platformën, duke deklaruar se ndihma për lënien e duhanit mbetet një nga masat më efektive në parandalimin e dëmeve shëndetësore dhe se programi vlerësohet rregullisht nga institucionet përkatëse.

Basel-Stadt voton për një vendim themelor: zbritja direkte e taksave nga paga

Më 14 qershor, qytetarët e kantonit Basel-Stadt do të vendosin për një propozim me pasoja të gjera: a duhet që taksat të mund të zbriten drejtpërdrejt nga paga në të ardhmen?

Kjo është një temë politikisht e ndjeshme, pasi prek çështje thelbësore si përgjegjësia personale dhe ndërhyrja e shtetit. Ajo që në shikim të parë duket si lehtësim për shumë tatimpagues, është kthyer në një çështje të debatueshme në Basel. Një model i ri tatimor, i miratuar nga Këshilli i Madh, do të vihet në votim më 14 qershor. Kundër tij kanë dalë shoqatat ekonomike dhe partitë e qendrës së djathtë, të cilat kanë nisur referendum.

Zbritje tatimore nga paga – me pjesëmarrje vullnetare

Thelbi i ndryshimit është një transformim i sistemit të pagesës së taksave: kompanitë me më shumë se 50 punonjës do të detyrohen të zbresin rregullisht një pjesë të të ardhurave të punonjësve për qëllime tatimore dhe t’ia transferojnë kantonit. Megjithatë, punonjësit që nuk dëshirojnë të marrin pjesë mund të dalin nga ky sistem.

“Borxhi tatimor është problemi numër një për personat në borxh,” thotë Pascal Pfister, deputet i Partisë Socialdemokrate (SP) në Këshillin Kantonal të Basel-Stadt.
Sipas tij, shpesh kalon shumë kohë nga momenti kur merren të ardhurat deri te fatura tatimore, “dhe në atë kohë mund të ndodhin shumë gjëra”. Zbritja direkte e taksave, sipas tij, e zgjidh këtë problem: “Një pjesë e madhe e taksave paguhet menjëherë dhe problemi zgjidhet.”

Kritikët: barrë për punëdhënësit

Nga ana tjetër, kundërshtarët nuk e mohojnë ekzistencën e problemit, por kundërshtojnë mënyrën e zgjidhjes. “Punëdhënësit po detyrohen të marrin një detyrë që nuk është pjesë e përgjegjësive të tyre,” thotë Dominik Marbet, drejtor i Shoqatës së Punëdhënësve të Rajonit të Basel-it. Sipas tij, kjo krijon barrë shtesë dhe ndryshon në mënyrë thelbësore sistemin e mbledhjes së taksave.

Edhe pse pjesëmarrja është vullnetare për punonjësit, Marbet nuk e konsideron këtë argument bindës: “Për kompanitë nuk është vullnetare – ato duhet ta zbatojnë zbritjen.” Ai gjithashtu dyshon se përfituesit kryesorë do të jenë ata që kanë më shumë vështirësi financiare, pasi “ata kanë më shumë nevojë për paratë dhe ka gjasa të mos e pranojnë zbritjen”.

Ndarje e qartë politike

Fushata e votimit ndjek linjat klasike politike: partitë e majta si SP, Të Gjelbrit, Basta dhe organizatat sociale e mbështesin propozimin. Ndërsa shoqatat ekonomike dhe pjesa më e madhe e kampit të qendrës së djathtë – përfshirë FDP, SVP, LDP dhe GLP – e kundërshtojnë atë.

Edhe tema të tjera në Basel-Stadt

Në të njëjtën votim, Basel-Stadt do të trajtojë edhe çështje të tjera, përfshirë masat për kufizimin e popullatës së pëllumbave

16 familje franceze padisin TikTok për “keqpërdorim të ndjeshmërisë së përdoruesve”

Gjashtëmbëdhjetë familje në Francë kanë ngritur një padi kundër rrjetit social TikTok, duke e akuzuar platformën për “keqpërdorim të ndjeshmërisë” së të rinjve dhe për nxitjen e përmbajtjeve që lidhen me vetëvrasjen, anoreksinë dhe vetëlëndimin.

Sipas familjeve, të cilat janë bashkuar nën kolektivin “Algos Victima”, algoritmi i TikTok-ut i mban adoleshentët të “bllokuar” në një cikël videosh me përmbajtje të rrezikshme dhe të dëmshme për shëndetin mendor.

Padia përfshin edhe prindërit e pesë vajzave adoleshente që kanë kryer vetëvrasje, ndërsa disa të rinj të tjerë vuajnë nga depresioni, çrregullime ushqimore dhe mendime vetëvrasëse.

Avokatja e familjeve deklaroi për mediat franceze se TikTok po “krijon burgje mendore për adoleshentët”, duke e krahasuar platformën me një “drogë digjitale” për shkak të varësisë që krijon.

Hetime dhe presion politik në Francë

TikTok tashmë është nën hetim në Francë, pasi në tetor 2025 në Paris u hap një procedurë penale për “nxitje të vetëvrasjes”. Kjo padi e re konsiderohet si një përshkallëzim i rëndësishëm, pasi tani sulmohet drejtpërdrejt sistemi i rekomandimit të videove të platformës.

Qeveria franceze ka shprehur gjithashtu shqetësim për ndikimin e rrjeteve sociale te të miturit. Ministri i Arsimit ka deklaruar më herët se, duke përdorur një llogari të rreme për një 14-vjeçar, kishte hasur brenda pak minutash video me përmbajtje depresive dhe shqetësuese, duke e quajtur këtë një “spirale të rrezikshme”.

Në Francë po diskutohet edhe një nismë ligjore për ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç, e cila është miratuar në Asamblenë Kombëtare, por ende nuk është zbatuar.

Debat ndërkombëtar

Australija është aktualisht vendi i vetëm që ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç. Disa vende të tjera, përfshirë Austrinë, po shqyrtojnë masa të ngjashme.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndalimet e plota mund të kenë efekt të kundërt, pasi të rinjtë mund t’i anashkalojnë ato dhe të ekspozohen pa kontroll. Ata sugjerojnë më shumë rregullim dhe edukim digjital, në vend të ndalimeve totale.

Kurti takohet me kryeministrin e Nordrhein-Westfalen, fokusi në bashkëpunim dhe mërgatën

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, gjatë vizitës së tij në Gjermani.

Në këtë takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe përfshirjen e mërgatës si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke përmendur pritjen e refugjatëve kosovarë gjatë luftës së viteve 1998–1999 dhe kontributin e mëvonshëm në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës. Ai theksoi se kjo mbështetje përbën bazën e partneritetit aktual mes dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Gjatë takimit u trajtuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional dhe rritjen e shkëmbimeve kulturore, si elemente të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe landit gjerman Nordrhein-Westfalen.

Netanyahu: Udhëheqësi suprem iranian besohet të jetë gjallë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se mendon që udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është gjallë.

Khamnei nuk ka bërë asnjë paraqitje publike që kur pasoi të atin, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet ajrore SHBA-Izrael në fillim të luftës, duke shkaktuar pyetje rreth gjendjes së tij.

Udhëheqësi i ri suprem besohet të jetë plagosur rëndë në sulmin që vrau edhe pesë anëtarë të tjerë të familjes.

Netanyahu deklaroi se cila është gjendja e tij, është e vështirë të thuhet.

“Ai është fshehur në ndonjë bunker ose në ndonjë vend të fshehtë dhe mendoj se po përpiqet të ushtrojë autoritetin e tij. Nuk mendoj se ka të njëjtin autoritet që kishte i ati”, ka deklaruar ai për CBS, transmeton albinfo.ch.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars pretendoi të dielën se Khamenei u takua me një shef ushtarak dhe dha “masa të reja udhëzuese për të ndjekur operacionet dhe për t’u përballur me vendosmëri me kundërshtarët”.

PDK i thotë ‘JO’ hyrjes së Fatmir Limaj në listën zgjedhore të kësaj partie

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që Fatmir Limaj të mos jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Vendimi u konfirmua nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.

Hamza deklaroi se PDK e mirëpret mbështetjen dhe kontributin e Limajt dhe të Nismës Socialdemokrate, duke vlerësuar se kjo përkrahje do ta fuqizojë partinë në garën elektorale. Megjithatë, ai theksoi qartë se Limaj nuk do të kandidojë në kuadër të listës së PDK-së.

“Është një qëndrim i përgjithshëm i partisë. E vlerësojmë kontributin e zotit Limaj dhe mbështetjen e Nismës për PDK-në”, u shpreh Hamza.

Ai shtoi se lista zgjedhore do të përfshijë emra të rinj, gra dhe burra me potencial, ku shumë prej tyre do të garojnë për herë të parë për deputetë.

Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate nuk ka aplikuar për të garuar e vetme në zgjedhje, pasi në procesin e kaluar zgjedhor nuk arriti të kalojë pragun prej 5 për qind.

Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve në KQZ përfundon nesër në mesnatë.

Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra

Mbi 50 mijë qytetarë nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, vetëm gjatë gjashtë ditëve të para të procesit të regjistrimit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se shumica e aplikimeve tashmë janë pranuar dhe procesuar. Sipas tij, deri më tani janë aprovuar mbi 36 mijë aplikime, ndërsa më shumë se 10 mijë të tjera vazhdojnë të jenë në shqyrtim, transmeton albinfo.ch

Të dhënat tregojnë se numri më i madh i aplikimeve për votim nga diaspora vjen nga Gjermania dhe Zvicra, vende ku jeton një numër i madh i qytetarëve të Kosovës.

Procesi i aplikimit për regjistrimin e votuesve nga diaspora mbetet i hapur edhe në ditët në vijim.

Cyrihu duartroket filmin e Ibër Dearit “Krejt e thirrin Rexhën”

Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” (“Everybody Calls Redjo”), me regji të Iber Deari, konfirmoi edhe në Cyrih fuqinë e tij artistike dhe emocionale. Mbrëmjen e 10 majit 2026, në kinemanë Kino Riffraff, dy shfaqjet e organizuara nga albinfo.ch u mbajtën në salla të mbushura, duke dëshmuar interesimin e madh të publikut shqiptar në Zvicër për kinemanë bashkëkohore shqiptare.

Pas një rrugëtimi të suksesshëm në kinematë e Ballkanit dhe në qendra të rëndësishme kulturore evropiane, filmi vazhdon të ndërtojë një lidhje të veçantë me publikun, duke dëshmuar se temat që trajton tejkalojnë ekranin dhe prekin drejtpërdrejt realitetin social të rajonit dhe të diasporës.

Në të dyja shfaqjet ishte i pranishëm një pjesë e ekipit të filmit, ndërsa diskutimet me publikun pas projeksionit u përqendruan te emigrimi, boshatisja e vendit, vetmia dhe transformimi i jetës në hapësirat shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Moderimi i mbrëmjes u realizua nga Pritë Bytyqi.

“Everybody calls Redjo” ndjek jetën e Rexhës, një njeriu që mbetet pothuajse i vetëm në një fshat të zbrazur nga emigrimi. Përmes një narrative të heshtur, por emocionalisht të ngarkuar, filmi ndërton portretin e një realiteti që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në Ballkan, largimi masiv i të rinjve dhe rrënimi gradual i strukturës sociale në vendlindje.

Regjisori Iber Deari tha se filmi është ndërtuar mbi përvoja reale dhe figura që ai i ka njohur nga afër gjatë jetës së tij. “Jam shumë i lumtur për këtë mundësi të realizuar nga albinfo.ch dhe Sevdail Tahirin, si dhe për energjinë mikpritëse të publikut. Tema është shumë aktuale në vendin tonë. Po zbrazet Maqedonia, po zbrazet vendi dhe kjo krijon një realitet që ne e kemi jetuar dhe ndjerë gjatë gjithë kohës”, u shpreh regjisori Deari.

Sipas tij, personazhi i Rexhës është frymëzuar nga historia e një punëtori të vetëm në një fshat të Kumanovës, ku shumica e banorëve tashmë janë larguar jashtë vendit.

“Ka qenë një temë shumë kuptimplote emocionalisht për mua. Ikja e të rinjve është një realitet i gjallë dhe i rëndë që vazhdon çdo ditë. E kemi parë para se ta shkruanim filmin, gjatë xhirimeve dhe vazhdojmë ta shohim edhe sot nëpër premierat ku po e prezantojmë. Ky film nuk trajton vetëm emigrimin, por edhe jetën e njerëzve që mbesin pas, boshllëkun emocional dhe heshtjen që krijohet kur një vend zbrazet gradualisht. Për mua ka qenë e rëndësishme që kjo histori të rrëfehet me ndershmëri dhe me një qasje sa më reale”, deklaroi regjisori Deari për albinfo.ch.

Një nga vlerësimet më domethënëse për filmin mbetet çmimi “Filmi më i Mirë” në kategorinë konkurruese “Meridiana” në Bari International Film Festival, një nga festivalet më prestigjioze të kinemasë në Itali.

Filmi është vlerësuar gjithashtu me çmimin për Regjinë më të Mirë në Tirana International Film Festival, me çmimin “Filmi më i Mirë” në TIFF ODA, me çmimin për aktorët më të mirë në të njëjtin festival, si dhe me çmimin “Hyjnesha në Fron” në Prishtinë.

Në kastin kryesor interpretojnë Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mulaku në rolet dytësore Adem Karaga, Bujar Ahmeti etj.

Protagonisti i filmit, Afrim Muçaj, i cili interpreton Rexhën, e cilësoi rrugëtimin evropian të filmit si një përvojë të pazakontë për kinemanë shqiptare.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Filmi i ka tejkaluar pritjet tona nëpër Evropë. Një vit e gjysmë pas premierës në kinema, ai vazhdon të udhëtojë dhe interesi vazhdon të jetë shumë i madh. Kjo ndodh rrallë për një film”, deklaroi Muçaj.

Ai tregoi se, para Cyrihut, kishte marrë pjesë në shfaqje në Berlin dhe Hamburg, në kuadër të turneut “3 Diaspora”, duke theksuar se publiku shqiptar në Evropë po dëshmon një lidhje të veçantë me filmin shqip. “

Në këto 20 vite karrierë nuk më kujtohet një film me një jetëgjatësi kaq të madhe në kinema. Është një ndjenjë shumë e veçantë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jemi sot në Cyrih, sepse Zvicra ka një publik që e ndjek dhe e mbështet fuqishëm kulturën shqiptare. Ka qenë një rrugëtim shumë kërkues dhe i vështirë, por këto premiera janë duartrokitje për gjithë atë punë. Në fund, rezultati ka qenë jashtëzakonisht i mirë”, tha aktori Muçaj.

Skenari, i shkruar nga Ibër Deari dhe Artin Selmani, sjell në dy orë e gjashtë minuta një rrëfim filmik të ndërtuar mbi një univers fiktiv me elemente imagjinare, por që pasqyron një realitet thellësisht të njohur për shoqërinë ballkanike. Komedia, drama dhe romanca ndërthuren në jetën e Rexhës, një figurë që mishëron vazhdimësinë, përgjegjësinë dhe rezistencën njerëzore në një fshat ku gjithçka duket se po shuhet gradualisht.

Vetëm gjatë viteve të fundit, nga Maqedonia e Veriut janë larguar mbi 300 mijë qytetarë, prej të cilëve rreth 66 për qind shqiptarë.

 

Ja sa zviceranë e marrin bonusin prej 15,000 frangash për ndërprerjen e kontratës

Kompania zvicerane mëmë Lufthansa shtrëngon masat e kursimit: më pak pastrim avionësh, ndalim punësimi, ndalim udhëtimi dhe shkurtime buxhetore. Swiss është gjithashtu e prekur nga kjo. Një reduktim i stafit duhet të ndihmojë gjithashtu.

Swiss u josh për këtë me një bonus largimi. Në fillim të marsit, ajo u ofroi afërsisht 4,000 asistentëve të saj të fluturimit në bazën në Cyrih deri në 15,000 franga nëse ata largohen vullnetarisht deri në fund të prillit dhe largohen nga kompania deri në fund të gushtit.

Me një pagë fillestare prej rreth 4,000 frangash, ky kompensim korrespondon me disa paga mujore për shumë asistentë fluturimi.

Drejtori ekzekutiv i Swiss, Jens Fehlinger, tha në një intervistë me “NZZ am Sonntag” se qëllimet ishin arritur. Rreth 140 persona do të largohen nga Swiss. “Falë këtyre masave thjesht vullnetare, ne ishim në gjendje të zvogëlonim tepricën”, thotë Fehlinger, shkruan albinfo.ch.

Por Fehlinger dëshiron të kursejë edhe diku tjetër. Që nga java e kaluar, ai ka ofruar edhe stimuj financiarë për punonjësit në tokë. “Për shembull, ju merrni 20 përqind të pagës bazë të kursyer nëse merrni pushime të papaguara. Qëllimi është të ulim rreth 10 përqind të stafit tonë administrativ.

Lufthansa “sigurisht pret diçka” për investimet

Lidhur me akuzën se Swiss duhet të financojë linjat e tjera ajrore të Lufthansa me fitimet e saj, Fehlinger thotë: “E kuptoj këtë, por duhet të dallojmë gjëra të ndryshme këtu. Grupi Lufthansa kursen 20 përqind në administratë, ne vetëm 10 përqind për momentin. Swiss është fitimprurëse, por disa konkurrentë e kanë tejkaluar linjën ajrore në fitimprurësi.

Lufthansa nuk e shtyn as Swiss. “Ne aktualisht investojmë një miliard franga çdo vit në Swiss.” Çdo vit ka tre Airbus të rinj A350 për fluturime të gjata dhe tre A320neo të rinj për fluturime më të shkurtra. “Pothuajse asnjë linjë ajrore zgjeron flotën e saj në një mënyrë të tillë. Nëse kompania mëmë investon kaq shumë, natyrisht pret që kjo të shpërblehet.”

Rriten çmimet e naftës pasi Trumpi hodhi poshtë propozimin iranian

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se përgjigjja e Iranit ndaj propozimeve të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës ishte “krejtësisht e papranueshme”, gjë që ka çuar në rritjen e çmimit të naftës.

Çmimi ndërkombëtar i naftës Brent është rritur me 4.1% në 105.50 dollarë për fuçi në tregtinë aziatike.

Teherani zyrtar ka dërguar përgjigjen e tij nëpërmjet Pakistanit, i cili ka shërbyer si ndërmjetës midis dy palëve, duke kërkuar një përfundim të menjëhershëm të konfliktit, dhe garanci që nuk do të ketë sulm të mëtejshëm SHBA-Izrael ndaj Iranit, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim të Iranit, transmeton albinfo.ch.

Duke iu përgjigjur kushteve të Teheranit, Trumpi ka postuar në mediat sociale se nuk i pëlqente përgjigja e Iranit.

Kushtet e Uashingtonit në propozimin 1 faqësh përfshinin rivendosjen e tranzitit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe pezullimin e pasurimit bërthamor iranian, sipas agjencisë amerikane të lajmeve Axios.

Akademik Fehmi Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90

Të shtunën që kaloi, më 5 maj u hap në Cyrih Ekspozita Tematike-Muzeore kushtuar jetës dhe veprës së Fehmi Aganit. Me titullin “Kontributi Atdhetar, Intelektual dhe Politik i Akademik Fehmi Agani”, kjo ekspozitë ishte e realizuar nga Besnik Rracaj dhe Sadik Krasniqi, punonjës të Muzeut Historik të Kosovës.

 

Aktiviteti u bë i mundur falë angazhimit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, me udhëheqësin e saj Vigan Berisha, Shoqatës Bamirëse Kulturore (SHBK) “Salih Çekaj” në Zvicër dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës, të përfaqësuar nga Besnik Rracaj dhe Sadik Krasniqi.

Në muret e sallës së madhe të një qendre kulturore në Cyrih ishin vendosur një numër i mdh fotografishë dhe dokumentesh, si eksponate që synonin të sillnin në vëmendjen e publikut jetën dhe veprën e profesor Aganit, personalitetit që identifikohet si “truri” i lëvizjes paqësore të Kosovës, të viteve `90 të shekullit të kaluar dhe si dora e djathtë e Presidentit Rugova.

Fjalën e ka marrë e para Donika Gërvalla, zëvedskryeministre dhe ministre e drejtësisë, në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ajo ka shprehur konsideratën më të lartë për Akademikun Fehmi Agani, të cilin e ka quajtur truri i rezistencës civile të viteve `90 në Kosovë. Rezistencë “aspak pasive por edhe të armatosur”, ka nënvizuar zonja Gërvalla duke vënë theksin në nevojën që kjo rezistencë të mos përshkruhet njëanshëm si vetëm paqësore.

“Agani ishte njeri pranë të cilit je rritur politikisht dhe kombëtarisht. Ajo ka evokuar kështu kohën e bashkëpunimit të saj si aktiviste dhe nënkryetare e LDK-së për Gjermani me Profesor Aganin, nënkryetar i LDK-së, bashkëpunëtori më i ngushtë i Presidentit Rugova.

Për folësin e radhës, ambasadorin e Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifin, Akademik Agani ishte “udhëheqësi praktik i lëvizjes pqësore në Kosovë. Ishte njeri i dialogut dhe i aksionit. Ai është dalluar si negociator dhe ndërteus urash dhe unifikimi edhe mes rivalëve politikë, duke pasur për synim, ndërtimin e Kosovës së pavarur”, ka thënë veç tjerash mbasdori Latifi.

Në emrin e organizatorëve të aktivitetit ka folur Saim Tahiraj, kryetar i shbk “Salih Çekaj“ në Zvicër. Ai ka sqaruar rrjedhën e organizimit të kësaj ekspozite, duke thënë se ajo vinte si kurorëzim i serisë prej tri ekspozitave kushtuar Presidentit Rugova, Salih Çekajt dhe tani, Profesor Aganit.

Tahiraj i ka quajtur këto tri personalitete “Një trinom që identifikohet me atë që ne sot e njohim si filozofi rugoviane. “Këto tri ekspozita synojnë të hedhin poshtë zërat e njëanshëm që e kanë etiketuar këtë filozofi politike si lëvizje pasive dhe kundër luftës”, ka thënë veç tjerash z. Tahiraj.

Lidhur me përgatitjen e ekspozitës nga ana profesionale, ka folur Besnik Rracaj nga Muzeu i Kosovës. Ai ka vënë theksin në punën e realizuar për ndriçimin e figurës madhore të Akademik Aganit, nga vështrimi historik dhe ekspozicional. Projekti përkatës i punuar në bshkëveprim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka filluar në vitin 2024 ndërsa një ekspozitë me këto eksponate ishte hapur në Prishtinë, në vitin 2025.

Me praninë e tyre, hapjen e ekspozitës e kanë nderuar edhe z. Ermal Dredha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë, zonja Shukrie Ramadani-zëvendësambasadore e Republikës së Kosovës në Bernë, z. Vigan Berisha, drejtues i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës Nik Gjeloshi etj.

Moderimin e aktivitetit e ka bërë aktivisti Qamil Çekaj.

Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet

Këtë javë, në Vjenë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit.

Këtë vit, konkursi më i madh evropian i këngës po përballet me një nga krizat më të mëdha të viteve të fundit, pasi pesë vende Irlanda, Spanja, Holanda, Sllovenia dhe Islanda, kanë bojkotuar konkursin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Mungesa e Spanjës konsiderohet goditja më e madhe për organizatorët, pasi vendi është një shtetet që sigurojnë financimin kryesor të konkursit dhe kualifikohen automatikisht në finale, transmeton albinfo.at.

 Megjithatë, rreth 95 mijë bileta janë shitur për nëntë shfaqje të planifikuara në Vjenë, ndërsa mijëra fansa nga më shumë se 70 vende kanë mbërritur në kryeqytetin austriak për të ndjekur nga afër spektaklin muzikor.

Gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 12 maj dhe do të përfshijë 17 shtete pjesëmarrëse, ndërsa gjysmëfinalja e dytë zhvillohet më 14 maj me 18 vende konkurruese. Nga secila gjysmëfinale do të kualifikohen 10 shtete për finalen e 16 majit.

Mes favoritëve të këtij viti përmenden kënga e Finlandës ndërsa kënga e Alis, “Nan”, përfaqësuese e Shqipërisë, e cila do të garojë në në gjysmëfinalen e dytë konsiderohet si një nga këngët që ka shanse për t’u kualifikuar në finale.

Eurovisioni do të transmetohet drejtpërdrejt nga transmetuesit publikë pjesëmarrës dhe online në kanalin zyrtar të konkursit në YouTube.