Gjeopolitika globale dhe ekonomia kërcënojnë industrinë zvicerane të orëve

Ndërsa panairi prestigjioz i orëve Watches and Wonders hap dyert në Gjenevë, industria zvicerane e orëve përballet me një kontekst të ndërlikuar global, ku tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë ekonomike pritet të dominojnë diskutimet.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit “La Matinale”, eksperti i orëve Olivier R. Müller e cilësoi situatën aktuale si një krizë “veçanërisht të mprehtë”.

Faktorë të shumtë negativë

Sipas Müller-it, sektori po përballet me një kombinim faktorësh të pafavorshëm: forcimi i frangës zvicerane, rritja e ndjeshme e çmimit të arit dhe tensionet gjeopolitike.

“Po shohim një grumbullim faktorësh negativë, të cilët po rëndojnë mbi problemet strukturore ekzistuese”, thekson ai.

Lufta në Lindjen e Mesme konsiderohet një tjetër goditje e fortë për industrinë, duke u shtuar vështirësive në tregun kinez, i cili tashmë është në rënie. Sipas tij, rajoni i Lindjes së Mesme është pothuajse i paralizuar ekonomikisht, me disa përjashtime që gjithashtu janë prekur rëndë, transmeton albinfo.ch.

Rëndësia e tregut të Lindjes së Mesme

Presidenti i Federatës Zvicerane të Orëve, Yves Bugmann, nënvizon rëndësinë e këtij rajoni, i cili përthith rreth 10% të eksporteve zvicerane të orëve. Ai shton se turizmi në këtë zonë është gjithashtu një faktor kyç për industrinë.

Sipas të dhënave:

Emiratet e Bashkuara Arabe janë tregu i tetë më i madh,

Arabia Saudite renditet e 15-ta,

Katari në vendin e 21-të.

Frika nga ndikimi në SHBA

Përtej rënies së eksporteve, Müller paralajmëron për ndikime të mundshme në ekonominë amerikane, e cila aktualisht mbetet shtylla kryesore e mbijetesës së sektorit.

“Nëse stagflacioni (inflacion i lartë i kombinuar me stagnim ekonomik) prek SHBA-në, situata do të përkeqësohet ndjeshëm”, thotë ai.

Pasiguri për tarifat doganore

Një tjetër shqetësim madhor mbetet mungesa e qartësisë për tarifat doganore amerikane. Sipas Müller-it, vonesat në arritjen e marrëveshjeve dhe paqëndrueshmëria politike krijojnë një klimë të dëmshme për biznesin.

“Jetojmë në pasiguri – dhe kjo është helm për çdo biznes”, deklaron ai, duke shtuar se mbetet e paqartë nëse administrata amerikane do të ndryshojë kurs apo do të vendosë masa të reja ndëshkuese.

Rreziku për vendet e punës

Situata ekonomike po ndikon edhe në tregun e punës. Müller paralajmëron se sektori ka “një shpatë të Damokleut mbi kokë”.

Ai thekson rëndësinë e masave si reduktimi i orarit të punës (RHT), të cilat aktualisht po ndihmojnë industrinë të përballojë krizën. Megjithatë, këto masa duhet të rinovohen nga qeveria zvicerane deri më 31 korrik.

“Nëse vazhdojnë, do t’i japin sektorit pak frymëmarrje. Në të kundërt, mund të ketë pasoja serioze për punësimin, veçanërisht në nënkontraktim”, paralajmëron ai.

Sipas Bugmann, aktualisht një në katër kompani në sektorin e nënkontraktimit përfiton nga këto masa.

Megjithatë, Müller thekson se këto duhet të mbeten zgjidhje afatshkurtra dhe jo mbështetje e përhershme për vende pune.

Shpresa mes pasigurive

Pavarësisht sfidave, ka edhe arsye për optimizëm. Müller vëren se industria ka rifituar interesin e brezit të ri, veçanërisht të Gjeneratës Z.

“Të rinjtë po rikthehen drejt botës tradicionale të orëve, ndërsa industria po tregon inovacion të madh – me produkte të reja, materiale dhe dizajne të shumta”, shprehet ai.

Një tjetër faktor pozitiv është fakti që etiketa “Swiss Made” vazhdon të tërheqë interes, ndërsa shitjet në SHBA nuk kanë pësuar rënie drastike, pavarësisht tarifave.

Shtëpi të mëdha, pak banorë: Zvicra kërkon t’i lëvizë “baby boomers”

Qeveria zvicerane po shqyrton mënyra për të nxitur gjeneratën “baby boomers” të zhvendoset nga shtëpitë e mëdha, në një përpjekje për të lehtësuar krizën e banesave në vend.

Sipas të dhënave, rreth 300 mijë shtëpi njëfamiljare në Zvicër janë të nënshfrytëzuara, kryesisht të banuara nga persona të moshuar që jetojnë vetëm ose në çifte, edhe pse hapësira është shumë më e madhe se nevojat e tyre .

Megjithatë, statistikat tregojnë se kjo kategori e popullsisë rrallëherë vendos të zhvendoset: norma e lëvizjes për pronarët në moshë pensioni është vetëm rreth 1.5%, ndërsa shumë prej tyre largohen nga shtëpitë vetëm pas moshës 85-vjeçare, transmeton albinfo.ch.

Për këtë arsye, autoritetet federale planifikojnë një studim kombëtar për të analizuar potencialin e këtyre zonave dhe për të gjetur mënyra më efikase për përdorimin e hapësirave ekzistuese. Qëllimi është që këto prona të mund të shfrytëzohen më mirë, sidomos nga familjet që përballen me mungesë banesash .

Megjithatë, qeveria nuk pritet të ndërhyjë me masa të detyrueshme. Në vend të kësaj, po shqyrtohen stimuj vullnetarë, si ndarja e shtëpive në njësi më të vogla apo krijimi i kushteve më të përshtatshme për të moshuarit që të zhvendosen.

Ekspertët theksojnë se një zhvendosje më e madhe e kësaj grupmoshe do të ndihmonte në shpërndarjen më efikase të banesave, duke rritur ndjeshëm disponueshmërinë për familjet e reja.

Në një kohë kur mungesa e banesave po bëhet gjithnjë e më problematike në Zvicër, kjo çështje pritet të mbetet në qendër të debatit publik, mes nevojës për politika të reja dhe respektimit të pronës private.

Gjeneva vendos “frena” për Airbnb: Masa të reja për të mbrojtur banesat

Autoritetet në Gjenevë po planifikojnë të forcojnë kontrollin mbi qiratë afatshkurtra përmes platformave si Airbnb, në një përpjekje për të adresuar mungesën e banesave në qytet.

Masat e reja synojnë të kufizojnë përdorimin e apartamenteve për qëllime turistike, pasi rritja e këtij lloji të qirave konsiderohet si një faktor që po redukton ofertën për banorët lokalë, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva tashmë ka ndër rregulloret më të rrepta në Zvicër për qiratë afatshkurtra, përfshirë kufizime në numrin e ditëve që një pronë mund të jepet me qira pa leje të veçantë.

Ekspertët theksojnë se presioni mbi tregun e banesave është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke shtyrë autoritetet lokale të ndërmarrin hapa më të ashpër për të mbrojtur hapësirën e banimit për rezidentët. Në shumë qytete zvicerane dhe evropiane, Airbnb është bërë një çështje e debatit publik për shkak të ndikimit në çmimet e qirave dhe disponueshmërinë e banesave.

Me këto masa, Gjeneva synon të vendosë një ekuilibër mes turizmit dhe nevojës për strehim, duke garantuar që banesat të mos përdoren kryesisht për qëllime komerciale në dëm të banorëve lokalë.

Pse qeveria zvicerane nuk po ndërhyn për çmimet e larta të karburantit?

Çmimet e benzinës dhe naftës janë rritur ndjeshëm javët e fundit, kryesisht për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare dhe rritjes së çmimit të naftës në tregjet globale. Në disa raste, rritja ka qenë mbi 10% për benzinën dhe deri në 20–25% për naftën, duke reflektuar tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet në furnizim, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, ndryshe nga vendet si Gjermania apo Austria që kanë ndërhyrë me ulje taksash apo masa lehtësuese, autoritetet zvicerane nuk kanë ndërmarrë hapa të tillë. Arsyeja kryesore lidhet me filozofinë ekonomike të vendit, e cila favorizon tregun e lirë dhe shmang ndërhyrjet direkte në çmime.

Ekspertët theksojnë se në Zvicër çmimet e karburantit ndikohen më shumë nga faktorët globalë sesa nga politika e brendshme, prandaj ndërhyrjet e qeverisë do të kishin efekt të kufizuar. Për më tepër, sistemi tatimor dhe struktura e tregut bëjnë që çmimet të jenë relativisht më stabile krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Një tjetër arsye është se inflacioni në Zvicër mbetet relativisht i ulët, edhe pse është rritur së fundmi për shkak të energjisë dhe karburanteve. Autoritetet nuk shohin nevojë për masa urgjente, pasi ndikimi në ekonominë e përgjithshme konsiderohet i moderuar

Ndërkohë, qytetarët përballen me kosto më të larta në pompë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se çmimet mund të mbeten të larta edhe për një periudhë, për shkak të pasigurive në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Në këtë kontekst, qasja e Zvicrës mbetet e kujdesshme: më pak ndërhyrje direkte dhe më shumë besim në stabilitetin e tregut, ndonëse kjo nënkupton që konsumatorët duhet të përballen vetë me rritjen e çmimeve në afat të shkurtër.

Evropa rrezikon mungesë të karburantit për avionë në të ardhmen e afërt

Sipas raportimeve, rritja e kërkesës për fluturime, së bashku me kufizimet në prodhim dhe tranzicionin drejt karburanteve më të qëndrueshme, po krijojnë presion mbi furnizimin me karburant për avionë (jet fuel).

Një faktor kyç është kalimi gradual drejt karburanteve të qëndrueshme të aviacionit (SAF), të cilat synojnë reduktimin e emetimeve të karbonit. Megjithatë, prodhimi i këtyre karburanteve mbetet ende i kufizuar dhe nuk arrin të përmbushë kërkesën në rritje, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të çojë në rritje të çmimeve të biletave dhe në kufizime të mundshme të fluturimeve, sidomos gjatë sezonit të ngarkuar të verës.

Në të njëjtën kohë, infrastruktura aktuale e furnizimit dhe rafinimit në Evropë po përballet me sfida, përfshirë mbylljen e disa rafinerive dhe ndryshimet në zinxhirët globalë të furnizimit.

Industria e aviacionit po kërkon masa urgjente për të siguruar stabilitet në furnizim, ndërsa autoritetet evropiane po përpiqen të balancojnë objektivat klimatike me nevojat ekonomike dhe të transportit.

Nëse nuk gjenden zgjidhje afatshkurtra, ekspertët paralajmërojnë se Evropa mund të përballet me një periudhë të pasigurt për udhëtimet ajrore dhe industrinë e fluturimeve.

Pagat “dalin në dritë”: Rregullat e reja që po ndryshojnë tregun e punës në Evropë

Sipas direktivës së Bashkimit Evropian, që duhet të zbatohet deri më 7 qershor 2026, punëdhënësit do të detyrohen të bëjnë më transparente strukturat e pagave, duke përfshirë publikimin e intervaleve të pagave për pozitat e punës dhe shpjegimin e mënyrës se si përcaktohen ato, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është se kompanitë nuk do të mund të kërkojnë më nga kandidatët informacion për pagën e tyre aktuale apo të mëparshme, duke synuar të ndërpritet cikli i pabarazive të trashëguara në paga.

Po ashtu, punonjësit do të kenë të drejtë të kërkojnë informacion mbi pagën e tyre dhe ta krahasojnë atë me kolegët që bëjnë punë të njëjtë ose të barasvlershme, duke rritur presionin ndaj kompanive për të justifikuar çdo diferencë.

Rregullat e reja do të prekin edhe kompanitë e mëdha, të cilat do të detyrohen të raportojnë rregullisht për hendekun gjinor në paga. Në rast se diferenca kalon 5% dhe nuk justifikohet, ato duhet të ndërmarrin masa konkrete për ta korrigjuar.

Ekspertët vlerësojnë se këto ndryshime do të transformojnë procesin e rekrutimit, duke e bërë atë më transparent dhe më konkurrues, ndërsa kandidatët do të kenë më shumë informacion dhe fuqi negocimi që në fillim.

Në të njëjtën kohë, kompanitë do të përballen me presion më të madh për të ndërtuar sisteme të drejta dhe të dokumentuara pagash, pasi mosrespektimi i rregullave mund të sjellë pasoja ligjore dhe financiare.

Në përgjithësi, direktiva e re shihet si një hap i rëndësishëm drejt një tregu pune më të drejtë dhe transparent në Evropë, ku paga për punë të barabartë synohet të bëhet standard dhe jo përjashtim.

Rexhepi: Diaspora luan rol të shumëfishtë në ruajtjen e identitetit kombëtar

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, deklaroi në Samitin IV të Diasporës se diaspora shqiptare përbën një “forcë jetike kombëtare”, ndërsa ngriti shqetësime serioze për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në fjalën e tij në panelin “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: nga vota te përfaqësimi institucional”, Rexhepi theksoi se diaspora luan rol të shumëfishtë në ruajtjen e identitetit kombëtar, zhvillimin ekonomik dhe përfaqësimin ndërkombëtar të shqiptarëve, transmeton albinfo.ch.

“Diaspora është pjesë jetike e kombit tonë. Ajo ruan identitetin, gjuhën dhe lidhjet me atdheun edhe larg kufijve. Është forcë ekonomike, sociale dhe një urë lidhëse me botën”, u shpreh ai.

Rexhepi theksoi se për shqiptarët e Luginës së Preshevës diaspora ka edhe një dimension më të thellë, duke e cilësuar atë si mbështetje dhe shpresë për të ardhmen.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen me sfida të shumta që lidhen me të drejtat themelore dhe përfaqësimin institucional. Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Rexhepi ishte pasivizimi i adresave, të cilin ai e cilësoi si një praktikë administrative që, sipas tij, po ndikon në zvogëlimin e pranisë së shqiptarëve në regjistrat shtetërorë.

“Pasivizimi i adresave po i privon shqiptarët nga të drejtat bazë, nga vota te prona dhe qasja në shërbime publike. Kjo është një çështje që kërkon trajtim urgjent institucional”, deklaroi ai.

Rexhepi ngriti gjithashtu shqetësimin për mosnjohjen e diplomave, duke e cilësuar këtë si një pengesë serioze për zhvillimin e të rinjve në Luginë. “Një i ri që diplomohet përballet me realitet të padrejtë, sepse diploma e tij nuk njihet. Kjo nuk është çështje teknike, por një formë përjashtimi që prek të ardhmen e një brezi të tërë”, u shpreh ai.

Duke folur për situatën ekonomike, Rexhepi tha se papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike po ndikojnë në shpërnguljen e vazhdueshme të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.

Ai ngriti gjithashtu çështjen e marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve shqiptarë dhe institucioneve të Serbisë, duke theksuar se ato nuk janë zbatuar në praktikë. “Nuk është zbatuar asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara, pavarësisht pranisë së faktorit ndërkombëtar. Kjo ka bllokuar mbështetjen për bujqësinë dhe arsimin”, theksoi Rexhepi.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai bëri thirrje për angazhim më të madh të diasporës dhe institucioneve shqiptare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në rajon.

“Mbajeni në zemër Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun në çdo vendimmarrje. Por duhet të jemi të qartë: ruajtja e identitetit nuk zëvendëson garantimin e të drejtave të njeriut. Prandaj kërkojmë ndalimin e pasivizimit të adresave, njohje të diplomave, mbështetje të barabartë ekonomike dhe zbatim të marrëveshjeve”, deklaroi Rexhepi.

NATO-ja refuzon të përfshihet në bllokimin e Ngushticës së Hormuzit

Aleatët e NATO-s kanë deklaruar të hënën se nuk do të përfshihen në planin e presidentit amerikan Donald Trump për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke propozuar që ndërhyrja të bëhet vetëm pas përfundimit të luftimeve, përcjell albinfo.ch.

Ky qëndrim i vendeve aleate pritet të rrisë tensionet brenda aleancës dhe të shkaktojë pakënaqësi në Uashington, në një periudhë kur marrëdhëniet mes Trumpit dhe disa shteteve europiane kanë qenë të tensionuara.

Trump ka deklaruar se ushtria amerikane do të bashkëpunojë me vende të tjera për të ndaluar trafikun detar në këtë rrugë ujore strategjike, pas dështimit të bisedimeve të fundjavës për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit gjashtëjavor me Iranin.

Më pas, ushtria amerikane ka sqaruar se bllokada, e cila ka nisur në orën 16:00 me kohë të Kosovës, do të zbatohet vetëm për anijet që shkojnë drejt ose kthehen nga portet iraniane.

Që nga nisja e luftës më 28 shkurt, Irani ka bllokuar pjesërisht ngushticën për shumicën e anijeve, duke lejuar kryesisht vetëm lëvizjen e mjeteve të veta detare. Teherani ka kërkuar që kontrolli mbi këtë rrugë ujore të bëhet i përhershëm, madje duke lënë të hapur mundësinë për vendosjen e taksave ndaj anijeve që e përdorin atë.

“Bllokada do të fillojë së shpejti. Vende të tjera do të përfshihen në këtë bllokadë”, ka shkruar Trump të dielën në Truth Social.

Megjithatë, aleatët e NATO-s, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë veprim, duke deklaruar se po punojnë për një iniciativë që synon të mbajë të hapur rrugën ujore, ku normalisht kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë.

Refuzimi i aleatëve shihet si një tjetër pikë përplasjeje me Trumpin, i cili më herët ka kërcënuar me tërheqje nga NATO dhe po shqyrton mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Evropë. Situata është komplikuar edhe më shumë pasi disa vende europiane kanë refuzuar t’u lejojnë avionëve ushtarakë amerikanë përdorimin e hapësirës ajrore për sulme ndaj Iranit./Albinfo.ch.

Thirrjet telefonike të padëshiruara nga kompanitë e sigurimeve vazhdojnë në Zvicër, pavarësisht ndalimit

Pavarësisht se që nga 1 shtatori 2024 në Zvicër është në fuqi ndalimi i thirrjeve telefonike të pakërkuara nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore, kjo praktikë vazhdon të raportohet nga qytetarët, përcjell albinfo.ch.

Autoriteti zviceran i mbikëqyrjes së tregut financiar FINMA, i cili është përgjegjës për rregullimin e veprimtarisë së siguruesve shëndetësorë, ka bërë të ditur se shkeljet nuk janë ndalur plotësisht.

“Vazhdojmë të marrim rregullisht raportime për shkelje të kësaj rregulloreje,” deklaroi zëdhënësja e FINMA-s, Ursula Keel.

Sipas autoriteteve, një nga arsyet e mosrespektimit të ndalimit mund të jetë fakti se deri më tani nuk janë vendosur gjoba ndaj shkelësve, gjë që mund të ketë ndikuar në vazhdimin e kësaj praktike./Albinfo.ch

Komisioni miraton pjesëmarrjen e FSK-së në mision ndërkombëtar në Gaza

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar unanimisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, në kuadër të pjesëmarrjes në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, me misione humanitare dhe të sigurisë, përcjell albinfo.ch.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka vlerësuar këtë vendim si dëshmi të pjekurisë institucionale të Kosovës dhe të profesionalizmit të FSK-së. Sipas saj, pjesëmarrja në misione ndërkombëtare tregon besimin që është ndërtuar në kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe gatishmërinë e FSK-së për të marrë përgjegjësi jashtë kufijve shtetërorë.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, theksoi se FSK-ja është e gatshme të kontribuojë në misione paqeruajtëse së bashku me aleatët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë mbështetjen ligjore, financiare dhe logjistike për forcat e saj të sigurisë.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi këtë zhvillim si lajm pozitiv për Kosovën dhe për FSK-në, duke kërkuar që pjesëtarëve të saj në mision t’u sigurohet mbështetje e plotë në aspektin e pajisjeve dhe logjistikës.

Pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt angazhimit më të madh të Kosovës në operacione ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë./Albinfo.ch

Të huajt rezidentë po shndërrojnë zonat e Cyrihut në lagje luksoze

Disa nga zonat përreth Liqeni i Cyrihut po përjetojnë një transformim të shpejtë, duke u kthyer në lagje gjithnjë e më luksoze të dominuara nga blerës të huaj rezidentë, përcjell albinfo.ch.

E ashtuquajtura “Gold Coast”, e vendosur në bregun lindor të Cyrih, ka qenë prej vitesh një destinacion i preferuar për të pasurit e huaj. Megjithatë, tani ajo po përballet me konkurrencë të fortë nga “Platinum Coast”, e cila shtrihet në anën perëndimore të liqenit.

Ndërsa më parë konsiderohej më pak e zhvilluar, “Platinum Coast” ka arritur ta tejkalojë “Gold Coast” në tregun e pasurive të paluajtshme. Në komunat si Kilchberg dhe Horgen, çmimet për metër katror kanë arritur deri në 35,000 franga, ndërsa në “Gold Coast” ato qëndrojnë rreth 30,000 franga.

Sipas të dhënave, kjo zonë e re luksoze po tërheq gjithnjë e më shumë ekspatë, të cilët në disa pjesë tashmë janë më të shumtë në numër se banorët vendas zviceranë./Albinfo.ch

22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Në Tiranë ka nisur Samiti i IV-të i Diasporës, i cili po zhvillohet nga data 13 deri më 15 prill, nën logon “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke mbledhur përfaqësues të diasporës shqiptare nga e gjithë bota, shkruan albinfo.at.

Samiti ka bërë bashkë institucione shtetërore, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë këtyre ditëve janë paraparë të zhvillohen gjithsej 18 panele diskutimi, të cilat do të trajtojnë tema të rëndësishme si bashkëpunimi ekonomik, investimet e diasporës, turizmi, arsimi, inovacioni, digjitalizimi, si dhe ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor.

Në ceremoninë e hapjes që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi disa personalitete të diasporës shqiptare për kontributin e tyre.

Pjesë e këtij samiti janë edhe 22 afaristë të suksesshëm shqiptarë nga Austria, të udhëhequr nga kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, Yll Blakaj.

Në delegacionin nga Austria bëjnë pjesë edhe emra të njohur të komunitetit të biznesit si Hamdi Krasniqi, Arben Myftari, Avdi Rugova, Ardit Zendeli, Shiqeri Emrllahu, si dhe shumë afaristë të tjerë që po përfaqësojnë potencialin ekonomik të diasporës shqiptare në Austri.

Pjesëmarrja e tyre në Samitin e Diasporës shihet si një mundësi e rëndësishme për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe për nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri dhe rajon./Albinfo.at

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Turqi, plagosen 16 persona

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Turqi, ku të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar brenda një shkolle fillore në qytetin e Şanlıurfa, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave turke, një person i ri është futur në ambientet e shkollës dhe ka hapur zjarr me armë zjarri, duke shkaktuar panik mes nxënësve dhe stafit të shkollës. I dyshuari raportohet të jetë rreth 17–18 vjeç, ndërsa nga të shtënat janë plagosur rreth 16 persona.

Të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve për trajtim mjekësor. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet speciale të policisë turke si dhe ekipet e ambulancës, të cilat po ofrojnë ndihmën e parë për të lënduarit.

Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë momente paniku, ku nxënësit shihen duke vrapuar jashtë objektit të shkollës për t’u larguar nga rreziku.

Sipas raportimeve fillestare, i dyshuari pas kryerjes së sulmit dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Kurti me lëvdata për filmin “Dua” me premierë botërore në Kanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se filmi i metrazhit të gjatë “Dua” është përzgjedhur në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique” në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë, ku do të ketë edhe premierën e tij botërore, transmeton albinfo.ch.

Filmi “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është përfshirë në një nga seksionet më konkurruese të festivalit, duke shënuar një tjetër moment historik për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare.

Kurti ka vlerësuar se Basholli, pas suksesit të madh me filmin “Zgjoi”, po vazhdon të përfaqësojë denjësisht Kosovën në botën e filmit, duke sjellë projekte të fuqishme artistike që po marrin vëmendje në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kjo përzgjedhje konsiderohet edhe më e rëndësishme pasi është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në “Semaine de la Critique”, ku “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore.

Në reagimin e tij, Kurti ka theksuar edhe mbështetjen institucionale dhe ndërkombëtare që ka marrë filmi, duke përmendur se ai është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, si dhe Cineforom.

Filmi “Dua” pritet të jetë një nga projektet më të rëndësishme të këtij edicioni në Cannes, duke sjellë edhe një herë në fokus potencialin dhe zhvillimin e kinemasë kosovare./Albinfo.ch

Kaos në aeroportet evropiane nga sistemi i ri kufitar, radhë të gjata dhe vonesa për mijëra udhëtarë

Mijëra udhëtarë jashtë Bashkimit Evropian po përballen me radhë të gjata, vonesa të mëdha dhe në disa raste edhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane, si pasojë e zbatimit të sistemit të ri kufitar Entry/Exit System (EES) të Bashkimit Evropian, transmeton albinfo.ch.

Sistemi i ri parasheh që udhëtarët nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, të regjistrohen përmes të dhënave biometrike gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i BE-së. Kjo përfshin gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës, procedurë që po zgjat kohën e kontrollit në pikat kufitare.

Gjatë fundjavës janë raportuar radhë të gjata dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore evropiane, përfshirë Gjenevën, Lisbonën dhe Maltën, ndërsa probleme janë shënuar edhe në Bruksel dhe në disa aeroporte të Holandës.

Sipas raportimeve, situata ka vazhduar edhe në ditët në vijim, me udhëtarë në aeroportin e Brukselitdhe në Schiphol të Amsterdamit që kanë raportuar pritje deri në dy orë vetëm në kontrollin e pasaportave.

Zbatimi i këtij sistemi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të forcuar sigurinë dhe për të kontrolluar më saktë hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet e treta, por në ditët e para të implementimit, ai po krijon ngarkesë të konsiderueshme dhe shqetësime për udhëtarët në të gjithë Evropën./Albinfo.ch

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te memoriali Heroinat

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat”, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ata u shoqëruan nga dy prej të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Ramadan Nishori, si dhe nga aktivistja për të drejtat e të mbijetuarve Feride Rushiti, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe respekti për sakrificën dhe dinjitetin e viktimave.

14 prilli është shpallur zyrtarisht si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një vendim që synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të nxisë ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë plagë të rëndë të luftës.

Gjatë homazheve, Haxhiu theksoi rëndësinë e drejtësisë për të mbijetuarit, duke bërë të ditur se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Kemi tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Ajo shtoi se vajzat dhe gratë, djemtë dhe burrat që kanë mbijetuar këtë dhunë, janë dëshmi se institucionet e Kosovës kanë ende shumë punë për të bërë, sidomos në adresimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale.

“Kemi shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Kosovës, sidomos në adresimin e drejtësisë”, theksoi Haxhiu.

Memoriali “Heroinat” në Prishtinë është një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe dinjitetit të të mbijetuarve, duke kujtuar vuajtjet e tyre dhe duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës./Albinfo.ch

Miss Amerika 2025 merr pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Shqiptarja Samantha Shkreli Sarelli, e njohur për sukseset e saj në skenën e bukurisë dhe humanizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar nga Amerika në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur praninë e saj përmes një postimi në rrjete sociale, ku shprehu mirënjohje për ftesën dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Mirënjohëse që ndodhem këtu në Tiranë për ditën 1 të Samitit të Diasporës Shqiptare të ftuar nga Kryeministri Edi Rama! Faleminderit shumë për ftesën, jam e nderuar që jam këtu!”, ka shkruar Sarelli.

Samantha Shkreli Sarelli është shpallur Miss Amerika 2025 vitin e kaluar, duke fituar titullin prestigjioz “The Miss Globe USA 2025”, një arritje që e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes në botën e modës dhe bukurisë.

Ajo është gjithashtu e njohur edhe për titullin që mbante në vitin 2020, “Former Miss Connecticut Teen USA”, duke dëshmuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe ambicioz në karrierën e saj.

Me pjesëmarrjen në Samitin e Diasporës, Samantha Shkreli Sarelli i bashkohet figurave të tjera të suksesshme të diasporës shqiptare, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Samantha Shkreli Sarelli (Facebook)

Blerta Basholli i sfidoi 1050 filma nga 106 vende të botës

Regjisorja kosovare Blerta Basholli ka shënuar një tjetër sukses të madh ndërkombëtar, pasi filmi i saj më i ri, “Dua”, është përzgjedhur për të pasur premierën botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, transmeton albinfo.ch.

Filmi do të shfaqet në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique”, ku do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.

Ky sukses merr edhe më shumë peshë duke ditur se për këtë seksion kanë aplikuar gjithsej 1050 filma nga 106 vende të botës, ndërsa përzgjedhja e “Dua” dëshmon për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik të projektit të Bashollit.

Përfshirja në “Semaine de la Critique” konsiderohet një nga arritjet më të rëndësishme për një film të metrazhit të gjatë, pasi ky seksion i Cannes promovon zëra të rinj dhe projekte të veçanta me potencial të madh ndërkombëtar.

Me këtë përzgjedhje, Blerta Basholli konfirmon edhe një herë pozitën e saj si një nga emrat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së skenës botërore të filmit./Albinfo.ch

Edhe Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë

Raporti i ISTAT tregon rritje të ndjeshme të jetëgjatësisë që nga viti 1990, ndërsa vdekshmëria foshnjore ka rënë në nivele historike, përcjell albinfo.ch.

Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 83,4 vitesh, sipas raportit më të fundit të publikuar nga ISTAT.

Të dhënat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të jetëgjatësisë gjatë dekadave të fundit. Krahasuar me vitin 1990, jetëgjatësia është rritur me rreth 8 vite për burrat dhe 6,5 vite për gratë, duke arritur respektivisht në 81,5 vite për burrat dhe 85,6 vite për gratë në vitin 2024.

Raporti me titull “Shëndeti: Një arritje për t’u mbrojtur” analizon evolucionin historik të jetëgjatësisë në Itali, duke theksuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë progres. Ndër më të rëndësishmit, sipas ISTAT, mbetet ulja drastike e vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2023, norma e vdekshmërisë foshnjore zbriti në vetëm 2,7 për 1000 lindje, një nga nivelet më të ulëta në botë. Ndërkohë, në shekullin XIX kjo shifër ishte rreth 230 për 1000 lindje, duke reflektuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në standardet e jetesës dhe kujdesin shëndetësor.

Sipas analizës, ky përmirësim është rezultat i një procesi afatgjatë, ku kanë ndikuar faktorë si përmirësimi i kushteve të jetesës, ushqyerja më e mirë, higjiena, përparimet në mjekësi dhe përhapja e vaksinimit.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe krijimi i sistemit shëndetësor universal në vitin 1978, i cili garantoi akses më të gjerë në shërbime shëndetësore dhe ndihmoi në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk duhen marrë si të mirëqena. Sfidat e reja, si plakja e popullsisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe presioni mbi sistemin shëndetësor, kërkojnë politika të qëndrueshme për të ruajtur dhe përmirësuar më tej jetëgjatësinë në vend./Albinfo.ch

Futbollisti rikthen mbiemrin shqiptar dhe zgjedh të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e muajit mars, ku bie në sy përfshirja e mbrojtësit të AEK-së, Stavros Pelios, i cili pritet të debutojë me fanellën kuqezi në kualifikueset e Kupës së Botës, përcjell albinfo.ch.

 

Bëhet fjalë për një futbollist 24-vjeçar që aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes dhe këtë sezon ka qenë një nga lojtarët më aktivë të skuadrës së tij. Ai ka zhvilluar 33 ndeshje, duke kontribuar edhe me katër asistime, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv të Shqipërisë.

Sipas raportimeve, futbollisti kishte marrë më herët shtetësinë greke dhe kishte ndryshuar mbiemrin nga “Pilo” në “Pelios”, megjithatë së fundmi ka vendosur të rikthejë mbiemrin origjinal shqiptar, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt identitetit të tij.

Nën emrin Stavro Pilo, ai tashmë është përfshirë në thirrjet e Kombëtares shqiptare. Lojtari është me origjinë nga fshati Finiq në Delvinë dhe ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë, duke mbajtur mbiemrin e lindjes në fanellë.

Ky vendim shihet si një kapitull i ri në karrierën e tij ndërkombëtare, ndërsa për Shqipërinë përfaqëson një fitore të rëndësishme, pasi Kombëtarja siguron një mbrojtës modern, dinamik dhe me eksperiencë në kampionatin grek.

Zgjedhja e tij për të rikthyer mbiemrin shqiptar dhe për të veshur fanellën kuqezi konsiderohet një hap domethënës, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë identitar, duke forcuar më tej lidhjen e futbollistëve me origjinën e tyre./Albinfo.ch

Shqipe Sylejmani me lexim letrar në Bernë

Autorja shqiptare Shqipe Sylejmani do të mbajë ndalesën e fundit të turit të saj letrar në qytetin e Bernës, ku do të prezantojë librin e saj të tretë me titull “Stolz und Widerstand” (Krenari dhe Rezistencë), transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet të enjten, më 23 prill, duke filluar nga ora 20:00, në ambientet e librarisë së njohur Orell Füssli në Spitalgasse, Bernë.

Sipas njoftimit, romani “Krenari dhe Rezistencë” sjell një rrëfim të ndjerë që shpalos tema të fuqishme si forca e brendshme, dinjiteti njerëzor dhe format e ndryshme të rezistencës, duke prekur emocionalisht lexuesin dhe duke reflektuar realitete të thella jetësore.

Ky takim letrar konsiderohet një mundësi e veçantë për komunitetin shqiptar dhe dashamirët e letërsisë në Zvicër, për të dëgjuar nga afër autoren dhe për të bashkëbiseduar rreth veprës së saj.

Moderimi i mbrëmjes do të bëhet nga Lirija Sejdi, ndërsa biletat mund të sigurohen online ose në arkën e ngjarjes./Albinfo.ch

Instagram profil Shqipe Sylejmani

Anglia kufizon ushqimet e pashëndetshme në shkolla: fruta më shumë, ëmbëlsira vetëm një herë në javë

Në Angli po planifikohet një reformë e re për ushqimin në shkolla që synon të ulë konsumin e ushqimeve të skuqura dhe atyre me shumë sheqer, sipas BBC.

Sipas propozimeve të qeverisë, frutat do të zëvendësojnë shumicën e produkteve me sheqer gjatë javës shkollore, ndërsa ushqimet e shpejta si picat dhe role me salsiçe nuk do të lejohen më të ofrohen çdo ditë.

Organizatat e drejtuesve të shkollave dhe kolegjeve e kanë përshëndetur nismën për përmirësimin e cilësisë së ushqimit, por kanë theksuar se do të nevojiten fonde shtesë për të mbuluar kostot e ndryshimeve.

Ndërkohë, Liberal Demokratët kërkojnë mbështetje financiare për shkollat për shkak të rritjes së shpenzimeve, ndërsa “Reform UK” e ka kritikuar planin si ndërhyrje të tepërt në jetën e përditshme. Partia e Gjelbër, nga ana tjetër, e ka vlerësuar si një masë të vonuar, por të nevojshme.

Departamenti për Arsimin deklaron se këto ndryshime do të ndihmojnë miliona fëmijë të marrin ushqime më të shëndetshme çdo ditë, duke theksuar se një pjesë e madhe e nxënësve përfundojnë shkollën fillore me mbipeshë dhe se dietat me shumë sheqer lidhen me probleme dentare te fëmijët.

Sipas rregullave të reja, ëmbëlsirat do të lejohen vetëm një herë në javë, ndërsa në menutë shkollore do të rritet përdorimi i frutave, perimeve dhe drithërave të plota.

Këto janë ndryshimet e para në standardet e ushqimit shkollor në rreth një dekadë dhe pritet të hyjnë në fuqi nga shtatori i vitit 2027, pasi të finalizohen këtë shtator.