Osmani: Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Poklekut për të cilën tha se është dëshmi e gjenocidit të kryer në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani kujtoi viktimat e kësaj masakre duke potencuar që në këtë gjenocid u vranë kryesisht fëmijë dhe gra.

“Liri Muqolli ishte 6 muajshe kur së bashku me 53 anëtarë të familjes, kryesisht fëmijë e gra, u ekzekutuan, u dogjën njëherë, pastaj u dogjën sërish. Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë:

Liri Muqolli ishte 6 muajshe kur së bashku me 53 anëtarë të familjes, kryesisht fëmijë e gra, u ekzekutuan, u dogjën njëherë, pastaj u dogjën sërish.

Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë.

Kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, le të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës. Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta.

Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë.

Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë.

Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

Prokurorja e Shtetit, Javorka Perlinqeviq, në çështjen penale për vrasjen e Liridona Ademajt, ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, raporton Klankosova.tv

Propozimi për shpalljen e tyre fajtorë, u dha në fjalën përfundimtare, të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria i propozon gjykatës që të sjellë aktgjykim dënues dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, duke i dënuar me burgim të përjetshëm” tha prokurorja.

Gjatë fjalës përfundimtare, Perlinqeviq po ashtu tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, që paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët./Albinfo.ch 

Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën

Deputeti i ardhshëm në Parlamentin Federal të Zvicrës me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, ka reaguar pas takimit që zhvilloi dje në Prishtinë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, transmeton albinfo.ch.

Në një postim publik, Bullakaj theksoi se kjo vizitë shënon takimin e tij të parë zyrtar para fillimit të mandatit në Parlamentin Zviceran, i cili nis në fund të këtij muaji.

“Takimi im i parë zyrtar para fillimit të mandatit tim në Parlamentin Zviceran në fund të këtij muaji më solli në Prishtinë. Ishte një nder i madh të pritem kaq ngrohtësisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, shkroi ai.

Bullakaj bëri të ditur se me Kurtin kanë zhvilluar një bisedë konstruktive për lidhjet mes Zvicrës dhe Kosovës, duke theksuar rolin e diasporës kosovare në Zvicër, transmeton tutje albinfo.ch.

“Diaspora kosovare në Zvicër nuk është vetëm një histori suksesi e integrimit, por edhe një motor qendror për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas Bullakajt, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, përmes projekteve ekonomike, shkëmbimit kulturor dhe ndërtimit të urave politike.

Ai u shpreh i gatshëm që në rolin e tij të ri si deputet të kontribuojë në thellimin e partneritetit mes Zvicrës dhe Kosovës.

“Mezi pres që në rolin tim të ri si deputet të kontribuoj në thellimin e këtij partneriteti të rëndësishëm”, përfundoi Bullakaj, duke falënderuar Kurtin për pritjen dhe shkëmbimin e vlefshëm./ Albinfo.ch

 

Arbër Bullakaj takohet me kryeministrin Kurti, diskutojnë integrimin dhe sukseset e mërgatës

Albin Pllashniku, shembull suksesi i diasporës në Suedi

Albin Pllashniku, student i ekonomisë në Universitetin e Östersundit në Suedi, po shquhet si një nga të rinjtë më premtues të diasporës sonë, me angazhim të veçantë në fushën e diplomacisë ekonomike, transmeton albinfo.ch.

Kontributi i tij është fokusuar në hartimin dhe analizimin e pranisë ekonomike të diasporës shqiptare në Suedi, duke sjellë të dhëna të rëndësishme për ndikimin e saj në tregun suedez.

Pllashniku ka kontribuar në një raport profesional, ku janë evidentuar rreth 70 kompani me përfaqësim pronësie nga diaspora jonë, të cilat realizojnë një qarkullim total prej rreth 3.3 miliardë korona suedeze (SEK) dhe kanë krijuar mbi 1,000 vende pune, transmeton tutje albinfo.ch.

 

Albin Pllashniku

 

Sipas raportit, sektorët kryesorë ku diaspora është më aktive janë:

Ndërtim & Infrastrukturë – 28.8%

Tregti & Financë – 27.6%

IT, Konsulencë & Shërbime ligjore – 25.2%

Transport – 10.8%

Industri & Prodhim – 7.5%

Përveç angazhimit akademik, Albin Pllashniku ka përfunduar me sukses edhe praktikën profesionale në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Stokholm, ku kontribuoi në aktivitetet e institucionit dhe në avancimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe bizneset e diasporës.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij, duke i uruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin profesional.

Me pak fjalë, Albin Pllashniku mbetet një shembull i qartë se si të rinjtë e diasporës mund të kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin e tyre personal, por edhe në fuqizimin e rolit ekonomik të komunitetit shqiptar në Suedi./Albinfo.ch

 

 

Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps

Revista prestigjioze Forbes ka përfshirë shqiptarin Brendon Ahmeti, CEO dhe bashkëthemelues i start-upit austriak Synaps, në listën e saj të profileve të suksesshme, transmeton albinfo.at.

Brendon Ahmeti është CEO dhe bashkëthemelues i start-upit PropTech Synaps, me seli në Vjenë, të cilin e themeloi së bashku me Kevin Cobaj (CTO) dhe Agron Bajraktari (COO). Synaps synon të bëhet një lloj “Canva për dizajn arkitekturor”, duke sjellë një qasje të re në fushën e projektimit përmes teknologjisë moderne.

Platforma është konceptuar në mënyrë që çdo përdorues të mund të përshkruajë një hapësirë, ndërsa sistemi, përmes inteligjencës artificiale, të gjenerojë dizajne të sakta, të realizueshme dhe profesionale për përdorim praktik.

Sipas Forbes, Synaps ka arritur një sukses të rëndësishëm që para lansimit zyrtar, duke siguruar 1.4 milionë euro financim, çka dëshmon interesin e madh të investitorëve ndaj këtij projekti inovativ.

Kompania ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm edhe në treg, pasi sipas deklarimeve të saj, rreth 8 mijë kompani tashmë janë në listën e pritjes për të përdorur platformën Synaps, ndërsa bashkëpunimet e saj shtrihen me mijëra kompani nga mbarë bota.

Në një mesazh të tij, Brendon Ahmeti ka theksuar se rrugëtimi i tij profesional ka qenë gjithmonë i orientuar drejt krijimit të ndikimit real.

“Nga projektimi dhe investimi në projekte të pasurive të paluajtshme në tre kontinente, deri te ndërtimi i një kompanie që po e ripërcakton arkitekturën përmes inteligjencës artificiale, motivimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë: të krijoj ndikim të vërtetë,” shprehet Ahmeti.

Përfshirja e Brendon Ahmetit në Forbes konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit të shqiptarëve në diasporë, veçanërisht në fushat e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale. /Albinfo.at

Brendon Ahmeti – Forbes

Berlini u ofron turistëve përfitime në këmbim të mbledhjes së mbeturinave

Vizitorët që zgjedhin të kalojnë verën në Berlin mund të shpërblehen me kupona dhe përfitime të ndryshme nëse kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, përfshirë mbledhjen e mbeturinave ose angazhimin në projekte sociale.

Nisma e re, e quajtur “BerlinPay”, synon të inkurajojë sjelljen miqësore me mjedisin duke lidhur veprimet e turistëve me shpërblime konkrete si hyrje në muze, zbritje në restorante apo përvoja të ndryshme kulturore në qytet. Projekti është i frymëzuar nga një model i ngjashëm i zbatuar më herët në Kopenhagë.

Sipas autoriteteve të qytetit, ideja është të krijohet një cikël pozitiv ku vizitorët angazhohen për pastërtinë e qytetit, ndihen të vlerësuar dhe më pas shpërblehen për këtë sjellje, gjë që nxit edhe më shumë pjesëmarrje.

Berlini po kërkon aktualisht partnerë lokalë, si muze, restorante, operatorë turistikë dhe institucione kulturore, që do të ofrojnë përfitimet për pjesëmarrësit në program. Fokusi kryesor do të jetë turizmi i lidhur me ujin, në kuadër të temës së vitit 2026.

Programi pritet të nisë gjatë verës së vitit 2026 si një fushatë pilot, ndërsa detajet përfundimtare do të prezantohen në muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, qyteti i Berlinit përballet me një problem në rritje të mbeturinave dhe kostove të pastrimit, të cilat kanë arritur miliona euro në vit. Autoritetet kanë forcuar edhe masat ndëshkuese për ndotjen e hapësirave publike, përfshirë gjoba më të larta për hedhjen e mbeturinave.

Megjithatë, mbetet e diskutueshme sa mund të ndikojnë turistët në zgjidhjen e këtij problemi, pasi një pjesë e madhe e mbetjeve të paligjshme lidhet me banorët dhe jo me vizitorët.

Modeli i Kopenhagës, i cili ka shërbyer si frymëzim, ka treguar rezultate pozitive, duke nxitur mijëra turistë të adoptojnë sjellje më miqësore me mjedisin përmes shpërblimeve të ndryshme.

Shkollat në Suedi rikthehen te librat fizikë, kufizohet mësimi digjital

Në Suedi po vihet re një ndryshim i dukshëm në sistemin arsimor, ku autoritetet po inkurajojnë përdorimin më të madh të librave fizikë, letrës dhe mjeteve tradicionale të shkrimit në shkolla, me synimin për të përmirësuar aftësitë e leximit dhe shkrimit të nxënësve.

Kjo qasje e re ka hapur debat të gjerë, pasi disa kompani teknologjike, mësues dhe ekspertë të fushës së IT-së shprehin shqetësime se reduktimi i mjeteve digjitale mund të ndikojë në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit, raportojnë mediat ndërkombëtare, përfshirë BBC.

Në një shkollë të mesme në Nacka, afër Stokholmit, nxënësit e vitit të fundit po përdorin sërish libra dhe fletore krahas laptopëve që vazhdojnë t’i kenë me vete. Një nxënëse 18-vjeçare tregon se një pjesë e materialeve tashmë po printohen dhe platformat digjitale po zëvendësohen gradualisht me tekste të shtypura.

Suedia, e njohur si një nga vendet më të avancuara në digjitalizimin e arsimit, kishte integruar gjerësisht teknologjinë në shkolla që nga fundi i viteve 2000 dhe fillimi i viteve 2010. Deri në vitin 2015, rreth 80% e nxënësve kishin pajisje digjitale personale, ndërsa në vitin 2019 tabletët u bënë pjesë edhe e edukimit parashkollor.

Megjithatë, qeveria aktuale, e ardhur në pushtet në vitin 2022, ka ndryshuar drejtim, duke synuar uljen e përdorimit të ekraneve, sidomos te fëmijët e vegjël, me argumentin se metodat tradicionale ndihmojnë në përqendrim dhe përvetësim më të mirë të njohurive bazë.

Gjithashtu, pritet të hyjë në fuqi ndalimi i përdorimit të telefonave në shkolla, ndërsa janë ndarë fonde të konsiderueshme për blerjen e teksteve shkollore dhe materialeve fizike.

Qeveria suedeze shpreson se kjo kthesë do të përmirësojë rezultatet në testet ndërkombëtare, pasi vendi ka shënuar rënie në lexim dhe matematikë, ku rreth 24% e nxënësve nuk arrijnë nivelin minimal të kuptimit të tekstit.

Nga ana tjetër, kritikët paralajmërojnë se reduktimi i digjitalizimit mund t’i lërë nxënësit të papërgatitur për kërkesat e së ardhmes, duke theksuar se aftësitë digjitale janë thelbësore për tregun modern të punës.

Debati mbetet i hapur mes forcimit të bazave tradicionale të mësimit dhe nevojës për përshtatje me një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.

BE synon të hapë tregun e kërkimit online – Google mund të detyrohet të ndajë të dhënat me rivalët

Komisioni Evropian ka propozuar masa të reja që do të detyronin Google të ndajë disa të dhëna të rëndësishme të motorit të kërkimit me kompani rivale, në kuadër të Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA).

Sipas KE-së, kjo nismë ka për qëllim rritjen e konkurrencës në tregun e kërkimit online dhe krijimin e mundësive më të barabarta për motorët e tjerë të kërkimit që të konkurrojnë me Google Search.

Propozimi parashikon që Google të japë qasje në të dhëna si renditja e rezultateve, kërkimet, klikimet dhe shikimet, por gjithmonë në kushte të drejta, të arsyeshme dhe jo diskriminuese. Po ashtu, përfshihen edhe rregulla për mënyrën e ndarjes së të dhënave, shpeshtësinë e tyre dhe mbrojtjen e privatësisë përmes anonimizimit.

Komisioni ka theksuar gjithashtu se edhe shërbimet e inteligjencës artificiale me funksione kërkimi mund të përfitojnë nga këto të dhëna për të përmirësuar shërbimet e tyre.

Palët e interesuara do të kenë mundësi të japin komentet e tyre në një konsultim publik që nis më 17 prill, ndërsa procesi pritet të përfundojë brenda gjashtë muajve.

A mund t’ju kërkojë një punëdhënës zviceran të provoni se nuk keni probleme me borxhet?

Disa kërkues pune në Zvicër janë ankuar se gjatë një procesi rekrutimi u është kërkuar të paraqesin një ekstrakt nga një zyrë përmbarimi borxhesh që vërteton se nuk ka pagesa të papaguara. Por a është kjo praktikë e ligjshme?

Media zvicerane ka raportuar se disa kandidatëve për punë u është kërkuar të paraqesin këtë dokument për të gjitha llojet e vendeve të punës – përfshirë edhe si makinist lokomotivash.

“Do ta kisha kuptuar këtë kërkesë për një pozicion si krupier në një kazino, por për shumë të tjerë, nuk ka kuptim”, tha një kërkues pune.

Pra, pyetja e qartë që lind këtu është: a lejohen kompanitë të kërkojnë këtë informacion?

Por së pari: Çfarë është saktësisht një ekstrakt nga një zyrë përmbarimi borxhesh?

Thënë thjesht, është një certifikatë zyrtare që deklaron nëse kundër jush janë hapur ndonjë procedurë përmbarimi borxhesh në pesë vitet e fundit.

Konkretisht, përmban informacion mbi çdo pagesë të papaguar që ju keni borxh, por nuk po e bëni, dhe kreditorët tuaj kanë nisur procedura ligjore kundër jush.

Megjithatë, nuk i rendit hipotekat tuaja ose kreditë e tjera që po i shlyeni.

Ky dokument mund të kërkohet në internet, kundrejt një pagese të vogël, nga zyra e mbledhjes së borxheve të kantonit tuaj (Betreibungsamt në gjermanisht, office des poursuites në frëngjisht dhe ufficio esecuzioni e fallimenti në italisht), shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Zakonisht kërkohet kur dëshironi të merrni me qira një apartament, të kërkoni hipotekë ose ndonjë lloj tjetër kredie dhe, nëse jeni i huaj, të aplikoni për natyralizim.

Në të gjitha rastet e mësipërme, të kesh probleme me ligjin për borxhe të papaguara është një pengesë për një përfundim të suksesshëm.

Po në lidhje me punësimin?

Nëse një kompani mund t’ju kërkojë ligjërisht të jepni certifikatën tuaj të borxhit varet nga lloji i punës për të cilën po aplikoni.

Është një kërkesë e vlefshme për punë që përfshijnë përgjegjësi financiare, për shembull.

Sipas David Raedler, një avokat i specializuar në të drejtën e punës, një dokument i tillë mund të kërkohet vetëm “në raste të caktuara, nëse lidhet drejtpërdrejt me pozicionin”.

Ai përmendi punë të tilla si kontabilist, bankier ose profesionist sigurimesh si shembuj se ku mund të nevojitet një dokument borxhi, “por jo si rregull i përgjithshëm”.

Megjithatë, kërkohet një ‘ekstrakt’ tjetër

Ndërsa detyrimi për të ofruar një dokument borxhi nuk është universal, punëdhënësit zviceranë mund – dhe e bëjnë – t’u kërkojnë të gjithë kandidatëve të përfshijnë një ekstrakt nga dosja e tyre penale (Strafreregisterauszüge/ carnet judicaire / Estratto del casellario giudiziale) në aplikimin e tyre.

Kjo vlen për të gjitha vendet e punës, në vend që të kufizohet vetëm në fusha të caktuara.

Në fakt, ekziston një listë e gjatë gjërash që punëdhënësit në Zvicër nuk mund t’u kërkojnë aplikantëve për punë – duke përfshirë jetën e tyre personale, historinë mjekësore, orientimin seksual, fenë dhe etninë.

Sipas Zyrës Federale të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Informacionit, “Punëdhënësit mund t’i kërkojnë një aplikanti vetëm informacionin dhe dokumentet e nevojshme për të përcaktuar nëse aplikanti i plotëson kërkesat për punën dhe është i përshtatshëm për biznesin. Nëse puna është si arkëtar, për shembull, një punëdhënës mund t’i pyesë aplikantët nëse ata janë dënuar ndonjëherë për një krim të pandershmërisë. Por t’i pyesësh sistematikisht kandidatët për dënimet e shlyera ose që nuk kanë lidhje me punën në fjalë do të ishte e tepërt.”

Katër të dyshuar të tjerë akuzohen në hetimin e zjarrit në Crans-Montana

Lista e personave të akuzuar në lidhje me tragjedinë e zjarrit në Crans-Montana në Zvicër është rritur në 13, me katër të dyshuar të tjerë që do të paraqiten para prokurorëve në maj dhe qershor.

Agjencia e lajmeve Keystone-ATS mësoi për zhvillimin nga një burim i afërt me çështjen.

Këshilltari aktual bashkiak përgjegjës për sigurinë për Crans-Montana është thirrur të paraqitet më 11 maj. Zëvendësdrejtori aktual i sigurisë publike të komunës do të merret në pyetje të nesërmen.

Jean-Claude Savoy, ish-president i komunës së Chermignon (2009-2016), do të duhet t’u përgjigjet pyetjeve nga grupi i prokurorëve dhe avokatëve më 13 maj. Së fundmi, ish-kryetari i bashkisë përgjegjës për sigurinë (2013-2016) është thirrur të paraqitet më 3 qershor, transmeton albinfo.ch.

Jacques Moretti, menaxher i barit Constellation, do të rishfaqet para hetimit më 5 qershor.

Të 13 të pandehurit akuzohen për vrasje nga pakujdesia, dëmtim trupor nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Kjo kompani ajrore zvicerane anulon fluturimet për në SHBA dhe Oman

Linja ajrore zvicerane Edelweiss ka anuluar disa itinerare për në Shtetet e Bashkuara dhe Oman për shkak të kërkesës së reduktuar të pasagjerëve dhe rritjes së çmimeve të karburantit, të përkeqësuara nga situata gjeopolitike.

Në një deklaratë të lëshuar sot, linja ajrore zvicerane e pushimeve shpjegon se përshtatja ndikon veçanërisht në lidhjet me Amerikën e Veriut në orarin e verës.

Fluturimet për në Denver dhe Seattle janë eliminuar plotësisht, ndërsa në itinerarin për në Las Vegas frekuencat do të reduktohen në fund të pranverës dhe në vjeshtë, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Lidhjet për në Mascate dhe Salalah në Oman në Gadishullin Arabik do të anulohen gjithashtu në orarin e dimrit 2026/27.

Ndër arsyet kryesore për këto ndryshime, Edelweiss përmend pasojat e vazhdueshme të situatës gjeopolitike, me referencë të veçantë konfliktin në Lindjen e Mesme, i cili ndikon si në koston e karburantit ashtu edhe në kërkesën për disa destinacione në SHBA.

Pasagjerët që tashmë kanë bileta për fluturime të anuluara do të ridrejtohen në lidhje alternative, kryesisht brenda grupit Lufthansa, ose do të jenë në gjendje të marrin një rimbursim të plotë të çmimit të biletës së tyre.

Zvicra do të filloj më shumë shërbime hekurudhore drejt jugut të Francës

Për verën, Hekurudhat Federale Zvicerane do të ofrojnë shërbime të mëtejshme direkte për destinacione evropiane si Rimini, Aix-en-Provence dhe Marsejë.

Megjithatë, pasagjerët do të duhet të jenë të duruar, pasi punimet pritet të ndërpresin disa shërbime.

Shërbimet direkte TGV do të funksionojnë nga e enjtja deri të hënën në qytetet franceze të Avignon, Aix-en-Provence dhe Marsejë. Ato do të funksionojnë çdo ditë nga 27 qershori deri më 23 gusht.

Megjithatë, midis 27 korrikut dhe 16 gushtit 2026, për shkak të punimeve në La Plaine, kantoni i Gjenevës, TGV-të do të nisen dhe do të mbërrijnë vetëm në Annemasse, ku do të jetë e nevojshme të ndërrohen trenat, transmeton albinfo.ch.

Punime në linjën për në Itali

Nga fundi i majit deri në fillim të tetorit, një tren direkt do të lidhë Cyrihun me Rimini në Itali. Ashtu si në vitet e kaluara, RFI, menaxheri italian i infrastrukturës, do të kryejë punime në rrugën Simplon. “Si rezultat, nga 7 qershori deri më 26 korrik, trenat e EuroCity midis Gjenevës, Lozanës, Bazelit, Bernës dhe Milanos nuk do të funksionojnë, ose nuk do të funksionojnë drejtpërdrejt”, sipas njoftimit për shtyp.

Nga 26 qershori deri më 27 korrik, trenat RegioExpress midis Iselle di Trasquera dhe Domodossola do të anulohen gjithashtu. “Do të ofrohen autobusë zëvendësues”, thanë Hekurudhat Federale Zvicerane.

Operatori hekurudhor thekson se fundjavat e gjata, festat zyrtare dhe nisjet/mbërritjet gjatë festave janë periudhat më të njohura. “Prandaj, duhet të rezervoni paraprakisht për t’u siguruar që të merrni një vend me një çmim të mirë”.

Ndalimet e hyrjes në Zvicër u katërfishuan në vitin 2025

Policia federale zvicerane (Fedpol) lëshoi ​​614 ndalime hyrjeje në vend në vitin 2025, katër herë më shumë se në vitin e kaluar.

Shumica dërrmuese e këtyre (512) u lëshuan për arsye të lidhura me terrorizmin.

Kjo rritje është për shkak të të dhënave të ofruara nga Europol mbi anëtarët e Shtetit Islamik që jetojnë jashtë vendit, tha Fedpol në raportin e saj vjetor të enjten.

52 ndalime hyrjeje për spiunazh u lëshuan në vitin 2025, krahasuar me 34 në vitin 2024, raporton swissinfo. Në vitin 2022, një vit i shënuar nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe aktivitetet pasuese të spiunazhit të vendeve të ndryshme, u regjistruan 276 raste, transmeton albinfo.ch.

Për herë të parë, Fedpol lëshoi ​​një ndalim hyrjeje për ‘përhapje’ – transmetimin e armëve atomike ose mjetet për t’i prodhuar ato. Përveç kësaj, u lëshuan 45 ndalime për krim të organizuar dhe katër për ekstremizëm të dhunshëm.

Policia federale lëshoi ​​gjithashtu pesë dëbime në vitin 2025.

Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj

Kostot e strehimit për studentët janë rritur vitet e fundit, në përputhje me trendet që prekin grupet e tjera të popullsisë, sipas Anketës së re Sociale të Studentëve të publikuar të martën. Rritja ka qenë veçanërisht e theksuar në konviktet e studentëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë, numri i studentëve që raportojnë vështirësi financiare ka rënë pak. Pjesa e studentëve në punësim të paguar gjithashtu ka rënë pak.

Anketa Sociale e Studentëve është kryer që nga vitet 1970 dhe përfshin pyetësorë të dërguar të gjithë studentëve të regjistruar. Tani kryhet në internet. Në semestrin veror të vitit 2025, rreth 36,000 studentë – pak më shumë se një e dhjeta e totalit – e përfunduan anketën plotësisht, tha udhëheqësja e projektit Anna Dibiasi e Institutit për Studime të Avancuara (IHS) në një konferencë për shtyp.

Studentët shpenzojnë gati 590 euro në muaj për strehim

Studentët që nuk jetojnë me prindërit ose të afërmit e tyre, nuk ndjekin mësimin në distancë dhe kontribuojnë në kostot e strehimit të paguara mesatarisht prej 586 euro në muaj për strehim gjatë semestrit veror të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 7 përqind që nga viti 2023 dhe një rritje nominale prej 51 përqind krahasuar me vitin 2015. Të përshtatura për inflacionin, kostot e strehimit janë rritur vetëm pak që nga viti 2023 (0.3 përqind) dhe me 9 përqind që nga viti 2015.

Megjithatë, ka dallime të konsiderueshme. Një e katërta e studentëve paguajnë më pak se 400 euro në muaj. Gjysma paguan deri në 505 euro, ndërsa çereku më i lartë shpenzon më shumë se 700 euro në muaj. Mesatarisht, studentët ndajnë 38 përqind të buxhetit të tyre të përgjithshëm për strehim (2015: 36 përqind).

Lloji i strehimit është faktori vendimtar. Studentët që jetojnë vetëm (664 euro) ose me një partner (634 euro) paguajnë mesatarisht më shumë. Ata që jetojnë në apartamente të përbashkëta ose në konvikte të drejtuara nga ofrues jofitimprurës ose privatë paguajnë rreth 500 euro. Ndryshe nga llojet e tjera të strehimit, kostot e konvikteve janë rritur edhe pas inflacionit gjatë dy viteve të fundit (rritje prej 7 përqind). Që nga viti 2015, kostot e konvikteve janë rritur me 61 përqind nominalisht dhe 16 përqind në terma realë, kryesisht për shkak të numrit në rritje të operatorëve privatë, komercialë, raporton theinternational, transmeton albinfo.at.

Ministrja e Shkencës Eva-Maria Holzleitner (SPÖ) e përshkroi trendin si një “sinjal alarmi”. Programi qeveritar përfshin plane për të rifutur subvencionet e strehimit të studentëve, të cilat do të trajtohen në negociatat e ardhshme të buxhetit. Ajo nuk specifikoi një shifër. Megjithatë, Kryetarja e Unionit të Studentëve Selina Wienerroither (VSStÖ) përsëriti një kërkesë të mëparshme prej 50 milionë eurosh financim.

Më pak studentë raportojnë vështirësi financiare

Përtej kostove të strehimit, anketa tregon disa trende pozitive. Pjesa e studentëve që raportojnë vështirësi financiare ka rënë nga 29 në 25 përqind që nga anketa e fundit, megjithëse nivelet para krizës ende nuk janë arritur. Përqindja e studentëve të punësuar ka rënë pak në 68 përqind. Orët mesatare të punës kanë rënë gjithashtu në 20.2 orë në javë, krahasuar me 21 orë në vitin 2023 dhe 20.5 në vitin 2019 – afër nivelit të vitit 2015 prej 19.9 orësh.

Për të lehtësuar presionin financiar, ministria planifikon të prezantojë një vakt studentor të subvencionuar prej 5 eurosh në mensa universitare duke filluar nga semestri i ardhshëm i dimrit. Operatorët duhet të përmbushin standarde të caktuara cilësie. Programi fillimisht do të fillojë në vende të zgjedhura përpara se të zgjerohet.

Partia e Gjelbër i bëri thirrje Holzleitner të zbatojë angazhimet e saj, duke deklaruar se veprimet konkrete duhet të ndjekin të dhënat. Dhoma e Punës (AK) kërkoi një rritje të konsiderueshme të granteve studimore, të paktën mbi pragun e rrezikut të varfërisë. Grupi studentor AktionsGemeinschaft i lidhur me ÖVP bëri thirrje për rregullimin e pragjeve të të ardhurave për të drejtën për grante, aktualisht të vendosura në 17,212 euro në vit.

Çfarë do të thotë për pasagjerët mbyllja e pistës në EuroAirport

Në Aeroportin EuroAirport Basel kanë nisur sot punime të gjera në pistën kryesore, e cila do të qëndrojë jashtë funksionit për disa javë. Mbyllja pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në udhëtimet ajrore dhe në oraret e fluturimeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve të aeroportit, pista 15/33 po rinovohet pasi ka qenë në përdorim intensiv për dekada dhe dëmtimet nuk mund të riparohen më vetëm pjesërisht. Për këtë arsye është vendosur që sipërfaqja të zëvendësohet tërësisht, një proces që do të kryhet më shpejt duke e mbyllur pistën plotësisht, në vend që punimet të bëhen gjatë operimit të përditshëm apo vetëm gjatë natës.

Pista kryesore do të mbetet e mbyllur nga 15 prilli deri më 20 maj 2026. Gjatë kësaj kohe, i gjithë trafiku ajror do të zhvendoset në pistën më të shkurtër 07/25, gjë që kufizon ndjeshëm kapacitetin e aeroportit.

Si pasojë, shumë linja ajrore do të anulojnë ose do të kufizojnë fluturimet e tyre. Aktualisht, vetëm kompania EasyJet do të vazhdojë operimet me një ofertë të reduktuar, duke shërbyer rreth 30 destinacione evropiane si Londra, Madridi, Hamburgu dhe Berlini. Trafiku i përgjithshëm i pasagjerëve pritet të bjerë në rreth 10% të nivelit normal.

Aeroporti mbetet i hapur, por me funksionim të reduktuar. Autoritetet parashikojnë një ulje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve gjatë vitit 2026, si dhe reduktim të shërbimeve në restorante, dyqane dhe transportin e aeroportit.

Ndryshime priten edhe për banorët e zonës përreth: megjithëse numri i fluturimeve do të ulet, disa komunitete mund të përjetojnë rrugë të reja të fluturimit dhe ndryshime në shpërndarjen e zhurmës ajrore, varësisht nga kushtet atmosferike./Albinfo.ch

Për shkak të luftës me Iranin, të pasurit nga Dubai po kërkojnë strehim në Zvicër

Përshkallëzimi i konfliktit me Iranin po shtyn shumë persona të pasur nga Dubai të kërkojnë një vend më të sigurt për të jetuar dhe investuar. Zvicra, e njohur për stabilitetin politik dhe ekonomik, është kthyer në një nga destinacionet kryesore për ta, përcjell albinfo.ch.

Veçanërisht kantoni Zug po shihet si një magnet për të pasurit nga Dubai. Ky kanton tërheq investitorët dhe milionerët falë stabilitetit të vendit dhe normës së ulët të taksave, e cila konsiderohet më e ulëta në Zvicër.

Edhe pse nuk janë publikuar shifra të sakta për numrin e personave që kanë shprehur interesim për t’u zhvendosur, autoritetet lokale konfirmojnë se kërkesat janë në rritje.

Drejtori i Financave i kantonit Zug, Heinz Tännler, tha se është vërejtur një rritje e interesimit nga Dubai për t’u vendosur në këtë kanton.

“Sigurisht që na vjen keq për konfliktin, por duhet të pranojmë se Zug po përfiton nga kjo situatë”, u shpreh ai. /Albinfo.ch

BE nis pagesën e parë prej 61.8 milionë euro për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike

Bashkimi Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë euro për Kosovën, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, ky hap vjen pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjeve të lidhura me planin dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës.

“Pas ratifikimit në Kuvend të Kosovës të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Parafinancimi përbën rreth 7% të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh, që Kosova pritet të përfitojë deri në fund të vitit 2027 në formë grantesh dhe kredish të favorshme.

Sipas BE-së, këto mjete do të mbështesin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe infrastrukturore të financuara përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Nga totali i parë, 28.74 milionë euro janë transferuar si kredi në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) do të kanalizohet përmes WBIF-it.

Në kuadër të Agjendës së Reformave, Kosova është zotuar për zbatimin e 111 hapave reformues në fusha të ndryshme, përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen, zhvillimin ekonomik, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe kapitalin njerëzor.

Sipas afateve të përcaktuara, 13 hapa reformash duhet të përmbushen deri më 30 qershor 2026, me vlerë prej 90.8 milionë eurosh, ndërsa deri në fund të vitit janë paraparë edhe 27 hapa të tjerë me vlerë prej 165.9 milionë eurosh.

BE ka theksuar se disbursimi i fondeve do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të dakorduara, duke paralajmëruar se mjetet nuk do të paguhen në rast të mos-përmbushjes së tyre brenda afateve.

Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e ekonomisë së Kosovës me tregun e BE-së.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se vendi është i përkushtuar në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive të ofruara nga plani evropian.

BE mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, ndërsa përmes këtij mekanizmi synohet përshpejtimi i reformave dhe integrimi më i afërt ekonomik i vendit me Bashkimin Evropian./Albinfo.ch

BQK dhe Banka e Francës nënshkruajnë marrëveshje të re për menaxhimin e rezervave ndërkombëtare

Në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të mbajtura në Washington DC, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim bilateral me drejtues të Bankës së Francës, me qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përcjell albinfo.ch. 

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Ismaili dhe Ivan Odonnat, Drejtor i Përgjithshëm për Operacione dhe Stabilitet Financiar në Bankën e Francës (Banque de France), nënshkruan një Marrëveshje të re, e cila zgjeron bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, duke përfshirë edhe kategori të reja të aseteve.

Me këtë rast, Ismaili theksoi rëndësinë strategjike të kësaj marrëveshjeje për sektorin financiar të Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit dhe modernizimit të kornizës për menaxhimin e rezervave, në përputhje me zhvillimet globale.

“Korniza e vendosur përmes kësaj Marrëveshjeje i mundëson BQK-së hapjen e llogarive të alokuara për rezerva jo-monetare, duke garantuar pronësi të plotë dhe ndarje të qartë nga asetet e palëve të treta. Po ashtu, kjo kornizë i mundëson BQK-së përdorimin e këtyre rezervave si kolateral në operacione ndërkombëtare, duke ofruar fleksibilitet shtesë dhe mundësi për menaxhim më efikas të likuiditetit”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Në kuadër të bashkëpunimit, palët diskutuan gjithashtu për ngritjen e kapaciteteve profesionale të BQK-së, zhvillimin e trajnimeve të specializuara, si dhe mundësitë për përfshirje në fusha të tjera, përfshirë edhe avancimin e kapaciteteve në fushën ESG, pjesëmarrjen në rrjete përkatëse dhe bashkëpunimin me institucione të tjera të rëndësishme të mbështetura nga Banka e Francës.

Sipas njoftimit, Odonnat theksoi përkushtimin e Bankës së Francës për të mbështetur bankat qendrore në zbatimin e praktikave të qëndrueshme, transparente dhe të sigurta për menaxhimin e rezervave.

BQK vlerëson se kjo marrëveshje plotëson iniciativat ekzistuese, përfshirë mandatin aktiv të investimeve dhe pjesëmarrjen në Programin e Thesarit të Grupit të Bankës Botërore (RAMP), duke forcuar më tej kapacitetet për menaxhim efektiv të aseteve rezervë.

Në përfundim, BQK thekson se kombinimi i efikasitetit operacional, transparencës dhe përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare përfaqëson një avancim të rëndësishëm në menaxhimin strategjik të rezervave, duke kontribuar në stabilitetin financiar afatgjatë dhe qëndrueshmërinë institucionale të Kosovës. /Albinfo.ch 

Itali: Shqiptarja dënohet me 30 vjet burg për vrasje të dyfishtë

Gjykata e Kasacionit në Itali ka dënuar me 30 vite burg 41-vjeçaren shqiptare E.K, e shpallur fajtore për vrasjen e dyfishtë të T.P dhe Sh.P, prindërit e të dashurit të saj të atëhershëm, T.P, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, dy viktimat u zhdukën në nëntor të vitit 2015, vetëm një ditë para se djali i tyre, i cili ndodhej i ndaluar në burgun Sollicciano për çështje të lidhura me drogën, të lirohej nga burgu.

Trupat e tyre u gjetën vetëm pas pesë vitesh, të copëtuar dhe të futur në katër valixhe, të braktisura në një fushë mes autostradës Fi-Pi-Li dhe burgut Sollicciano.

Hetimet kanë ngritur dyshime se E.K mund të ketë pasur më shumë se një motiv për kryerjen e këtij krimi të rëndë. Njëri prej motiveve dyshohet të ketë qenë financiar, pasi viktimat thuhet se mbanin me vete një shumë të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se kishin lidhje me aktivitetet e paligjshme të djalit të tyre në trafikun e drogës.

Sipas autoriteteve, me këto para E.K dyshohet se i ka kthyer të dashurit të saj një borxh prej 20 mijë eurosh, të marrë para se ai të përfundonte në burg.

Një tjetër motiv, sipas dyshimeve, lidhet me rrethana personale. Prokuroria ka ngritur dyshime se viktimat mund të kishin zbuluar shtatzëninë e saj, të cilën ajo dyshohet se e kishte ndërprerë vullnetarisht në spitalin Careggi, vetëm pak ditë para krimit.

Gjykata e Kasacionit, me vendimin e saj, ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg, duke e bërë përfundimtar verdiktin ndaj 41-vjeçares shqiptare./Albinfo.ch

 

Keystone SDA

Kosova nis sot garën në Evropianin e xhudos në Tbilisi, synon vazhdimin e traditës së medaljeve

Xhudistet e Kosovës e nisin sot garën në Kampionatin Evropian për seniorë, që po mbahet në Tbilisi, ku vendi ynë përfaqësohet me gjashtë garues dhe synon të vazhdojë traditën e medaljeve në këtë sport, përcjell albinfo.ch.

Ky kampionat zhvillohet nga 16 deri më 19 prill, duke mbledhur rreth 400 xhudistë nga 46 shtete evropiane, çka e bën një nga ngjarjet më të mëdha sportive të vitit në arenën evropiane.

Në ditën e parë të garave, në tatami do të zbresin tri xhudistet kosovare: Erza Muminoviq në kategorinë -48 kg, si dhe Distria Krasniqi dhe Fatjona Kasapi në kategorinë -52 kg.

Këto kategori janë në programin e ditës së parë të Evropianit, duke e vendosur Kosovën menjëherë në fokus të garës dhe pritjeve për rezultate të rëndësishme.

Distria Krasniqi hyn në këtë kampionat si njëra ndër emrat më të fuqishëm të ekipit kosovar dhe me përvojë të madhe në arenën evropiane, ndërsa Muminoviq dhe Kasapi synojnë të bëjnë hapin e madh drejt medaljeve të para në nivelin senior.

Ndërkohë, pjesa tjetër e ekipit kosovar do të garojë në ditët në vijim, me synimin që Kosova të vazhdojë serinë e gjatë të medaljeve në Kampionatet Evropiane, duke konfirmuar edhe një herë suksesin e xhudos kosovare në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Çmimet e karburantit në Gjermani vazhdojnë të bien

Çmimet e karburanteve në Gjermani kanë shënuar rënie të ndjeshme, duke u larguar nga niveli më i lartë i javës së kaluar. Pas shpërthimit të luftës me Iranin, çmimet kishin ndjekur vetëm një drejtim, rritjen, por tani trendi duket se ka filluar të ndryshojë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga ADAC, pas rritjes së çmimeve në mesditën e së mërkurës, një litër Super E10 kushtonte mesatarisht rreth 2.16 euro në nivel kombëtar, që është 1.6 cent më pak krahasuar me të njëjtën kohë një ditë më parë. Ndërkohë, nafta kishte rënë në 2.31 euro për litër, ose 4.7 cent më pak se 24 orë më parë, shkruan DW, transmeton KosovaPress.

Çmimi mesatar kombëtar më i ulët

ADAC bën të ditur se si para ashtu edhe pas rritjes së vetme të lejuar gjatë ditës në orën 12:00, çmimi mesatar kombëtar ishte më i ulët se një ditë më parë. Në veçanti, nafta ka shënuar ulje edhe në mesataren ditore kombëtare të së martës.

Edhe analiza e çmimeve e realizuar nga SWR arrin në përfundim të ngjashëm. Sipas saj, një litër benzinë super (E5) kushton mesatarisht 2.14 euro, ndërsa çmimi i E10 është rreth 2.08 euro për litër. Në rastin e naftës, çmimi mesatar është 2.25 euro.

Kjo analizë është bazuar në të dhënat e regjistruara nga rreth 1500 pika karburanti në Gjermani, të mbledhura në orën 13:00.

Vetëm një “korrigjim i parë” i çmimeve

Sipas ADAC, çmimet e karburanteve kanë rënë dukshëm nga kulmi i arritur rreth periudhës së Pashkëve. Megjithatë, klubi automobilistik e konsideron këtë ulje vetëm si një “korrigjim të parë”, pasi çmimet kishin pësuar rritje të fortë kohët e fundit.

ADAC paralajmëron se për shkak të pasigurisë që lidhet me konfliktin me Iranin, kjo rënie mund të jetë vetëm një lehtësim i përkohshëm, ndërsa situata në tregun e karburanteve mbetet ende e paqëndrueshme.

“Jemi larg nga një situatë alarmante, por ende nuk mund të flasim për stabilizim të plotë”, vlerëson ADAC./Albinfo.ch

Gjermania ul përkohësisht taksën për naftën dhe benzinën për dy muaj

 

Forbes prezanton Betim Djambazin, shqiptarin nga Zvicra që po ndërton robotët e së ardhmes

Revista prestigjioze Forbes ka publikuar profile suksesi të figurave të reja dhe inovative, ku ndër emrat e përzgjedhur është edhe shqiptari Betim Djambazi, një nga bashkëthemeluesit e kompanisë teknologjike RoBoa, transmeton albinfo.ch.

RoBoa u themelua në vitin 2025 si një spin-off i ETH Zürich, një nga universitetet më të njohura në botë për shkencë dhe teknologji. Kompania u krijua nga katër bashkëthemelues: Alexander Kübler (CEO), Betim Djambazi (CCO), Pascal Auf der Maur (CTO) dhe Nicolas Aymon (COO).

RoBoa po zhvillon robotë të avancuar që mund të operojnë në ambiente të rrezikshme dhe të vështira për t’u arritur. Një nga përdorimet më të rëndësishme të këtyre robotëve është në situata emergjente, si pas tërmeteve, ku ata mund të futen në rrënoja për të kërkuar të mbijetuar.

Përveç fushës së kërkim-shpëtimit, teknologjia e RoBoa po gjen aplikim edhe në sektorin industrial. Robotët e kompanisë mund të ndihmojnë në mirëmbajtjen e impianteve dhe të identifikojnë probleme potenciale në fazat e hershme, duke rritur sigurinë dhe duke ulur kostot.

Në mesazhin që shoqëron profilin e tij, Djambazi thekson se suksesi në teknologji kërkon më shumë sesa njohuri profesionale.

“Inovacioni lind kur kapërcehen barrierat, si teknike ashtu edhe personale,” është mesazhi që ai përcjell, duke reflektuar qartë filozofinë e tij të punës dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të zgjidhjeve me ndikim real./Albinfo.ch

Forbes