Trumpi i pakënaqur me propozimin e Iranit për t’i dhënë fund luftës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur i pakënaqur me propozimin e fundit të Iranit për zgjidhjen e konfliktit dymujor, sipas një zyrtari amerikan, përcjell albinfo.ch.

Propozimi i Teheranit parashikon që diskutimet për programin bërthamor të shtyhen deri pas përfundimit të luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mbi transportin detar në Gjirin Persik. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk pritet ta pranojnë këtë qasje, duke këmbëngulur që çështja bërthamore duhet të jetë pjesë e negociatave që në fillim.

Sipas zyrtarit amerikan, Trump ka shprehur pakënaqësi pikërisht për këtë arsye.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se SHBA nuk zhvillon negociata përmes mediave dhe se vijat e kuqe të Uashingtonit janë bërë tashmë të qarta.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e nënshkruar mes Iranit dhe disa fuqive botërore, kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit, të cilin Teherani e ka cilësuar gjithmonë si paqësor. Megjithatë, ajo marrëveshje u rrëzua pasi SHBA u tërhoq gjatë administratës Trump./Albinfo.ch

Elona Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku sjellin lexim skenik në Cyrih mbi migrimin dhe kujtesën e luftës në Kosovë

Në kuadër të festivalit letrar “Zwischentext”, në Cyrih do të mbahet një lexim skenik me autorë shqiptarë me titull “Çka ka mbetur mes nesh”, një performancë e realizuar nga Elona Beqiraj dhe Fatbardh Kqiku, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja ndërthur tekstin, tingullin dhe performancën, duke sjellë kujtime dhe rrëfime që lidhen me migrimin, luftën në Kosovë dhe përjetimin e jetës mes dy vendeve e dy realiteteve.

Përmes një qasjeje artistike, leximi skenik synon t’i afrohet asaj që thuhet dhe asaj që mbetet e pathënë, duke hapur hapësirë për reflektim mbi kujtesën, identitetin dhe përvojat personale.

Ngjarja do të mbahet në Cyrih, në adresën Kirchgasse 14, ndërsa biletat mund të sigurohen përmes faqes zyrtare të festivalit, zwischentext.ch. Këtu

OVL e UÇK-së kërkon respektim të Kushtetutës dhe stabilitet institucional

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit politike në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe funksionimit të rregullt të institucioneve demokratike.

Në reagimin e saj, organizata ka kërkuar që të gjitha veprimet institucionale të jenë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke paralajmëruar se çdo proces që cenon bashkëpunimin institucional mund të rrezikojë stabilitetin demokratik dhe besimin e qytetarëve.

OVL UÇK i ka bërë thirrje shumicës parlamentare që të veprojë me maturi dhe përgjegjësi, duke siguruar procese të rregullta dhe gjithëpërfshirëse në Kuvend.

Po ashtu, organizata ka theksuar se veteranët e luftës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e rendit kushtetues, shtetit ligjor dhe institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre, janë ndërtuar mbi sakrificën e luftës çlirimtare.

Shqiptari Kristian Prenga përballet në ring me ish-kampionin e botës Anthony Joshua

Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, do të përballet me ish-kampionin e botës Anthony Joshua më 25 korrik në Riad, në një meç që pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Joshua, i cili po rikthehet në ring pas një pauze, tha se ndihet i përgatitur për këtë fazë të re të karrierës së tij dhe se është i kënaqur me marrëveshjen e re për disa ndeshje. Ai theksoi se synon të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt majës së boksit profesional.

Nga ana tjetër, Kristian Prenga është shprehur i bindur në aftësitë e tij, duke deklaruar se është i gatshëm për një fitore të madhe dhe se kjo përballje mund të ndryshojë rrjedhën e karrierës së tij dhe të kundërshtarit.

Pas këtij meçi, Joshua pritet të përballet me një tjetër duel të madh, atë ndaj britanikut Tyson Fury, një ndeshje e shumëpritur mes dy ish-kampionëve të botës në peshat e rënda që nuk janë përballur më parë në ring.

Sipas promotori Eddie Hearn, marrëveshja për meçin Joshua–Fury tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për një nga përballjet më të mëdha në historinë e boksit profesionist./Albinfo.ch

Zvicra mban rezerva ekskluzive të karburantit në kohë krize energjetike

Zvicra disponon rezerva të posaçme të karburantit që përdoren në rast mungese dhe janë të dedikuara vetëm për vendin. Këto rezerva nuk ndahen me shtete të tjera, ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht tensioneve ndërkombëtare dhe krizave energjetike, furnizimi me benzinë dhe naftë në Zvicër vazhdon normalisht. Megjithatë, situata me kerozinën për avionë mbetet më e ndjeshme.

Autoritetet zvicerane vlerësojnë se furnizimi i aeroporteve është i sigurt deri në maj 2026, ndërsa në rast nevoje qeveria mund të lirojë rezervat nga depot shtetërore.

Zvicra nuk është pjesë e mekanizmit të solidaritetit energjetik të BE-së, por ka marrëveshje të veçanta për bashkëpunim në sektorin e gazit me disa vende fqinje.

Në situata ekstreme, qeveria mund të japë prioritet fluturimeve emergjente, ndërsa ushtria mban rezerva të veçanta të karburantit për përdorim të saj.

Ushtria zvicerane bashkon kuajt dhe dronët në patrullime moderne

Ushtria zvicerane po ndërthur traditën me teknologjinë moderne duke përdorur kuajt dhe dronët në operacionet e patrullimit në terren. Kjo qasje e re është pjesë e një trajnimi të veçantë në Shkollën Rekrute, ku një grup i vogël rekrutësh të rinj mësojnë të punojnë me të dyja sistemet, përcjell albinfo.ch.

Rekrutët trajnohen si patrullues kalorës dhe kryejnë misione vëzhgimi në zona të ndryshme, përfshirë edhe pyjet dhe terrenet e vështira. Sipas tyre, bashkëpunimi mes kalit dhe dronit kërkon stërvitje të kujdesshme, pasi kafshët fillimisht reagojnë me frikë ndaj teknologjisë së re dhe duhet të ambientohen gradualisht.

Ushtria zvicerane ka një traditë të gjatë në përdorimin e kuajve. Dikur, para rreth 100 vitesh, ajo kishte dhjetëra mijëra kuaj, ndërsa sot numri i tyre është rreth 300. Këto kafshë përdoren kryesisht për mbikëqyrje të zonave të gjera dhe objekteve kritike, siç është edhe Aeroporti i Cyrihut, ku terreni nuk lejon shumë rrugë të aksesueshme.

Sipas komandantit Kim Schätti, kuajt kanë avantazhe të veçanta në terrene të vështira, pasi mund të lëvizin më shpejt se patrullat këmbësore dhe të reagojnë në mënyrë relativisht të qetë në mjedise të paqarta.

Nga ana tjetër, dronët përfaqësojnë teknologjinë më të re ushtarake. Ata mund të përdoren për vëzhgim edhe gjatë natës, falë kamerave termike që zbulojnë nxehtësinë e njerëzve dhe kafshëve, duke i bërë të dallueshëm edhe në errësirë.

Kombinimi i kuajve dhe dronëve shihet si një qasje inovative që bashkon përvojën tradicionale me aftësitë moderne të mbikëqyrjes./Albinfo.ch

Zvicra mes vendeve kryesore në Evropë për qendra të të dhënave

Zvicra po forcon gjithnjë e më shumë rolin e saj si një pikë strategjike në Evropë për qendrat e të dhënave (data centers), një infrastrukturë që sot konsiderohet thelbësore për zhvillimin e inteligjencës artificiale, cloud-it dhe ekonomisë digjitale, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga Cloudscene, të cilat përdoren edhe në analizat e Euronews Next, Zvicra ka gjithsej 121 qendra të të dhënave, duke u renditur ndër vendet evropiane me mbi 100 objekte të këtij lloji. Për nga numri, ajo qëndron pas Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Holandës, Italisë, Spanjës dhe Polonisë, por mbetet përpara shumë shteteve të tjera të kontinentit.

Qendrat e të dhënave janë baza ku ruhen dhe përpunohen informacionet që përdoren çdo ditë nga miliona përdorues: nga videot online dhe shërbimet cloud, deri te platformat e inteligjencës artificiale dhe chatbot-et. Raporti “AI Index 2026” i Institutit Stanford thekson se këto objekte janë “vendi ku strehohet kompjuteri”, duke ndikuar drejtpërdrejt se ku dhe si mund të ndërtohen sistemet e IA-së.

Në rang global, megjithatë, dominimi i Shteteve të Bashkuara është i pakrahasueshëm. SHBA kryeson me 5,427 qendra të të dhënave në vitin 2025, më shumë se dhjetë herë krahasuar me çdo vend tjetër. Pas saj renditen Gjermania me 529 dhe Mbretëria e Bashkuar me 523, të cilat tejkalojnë edhe Kinën me 449 qendra.

Në total, vendet e Bashkimit Evropian së bashku kanë 2,269 qendra të të dhënave, që përbëjnë vetëm 42% të nivelit të SHBA-së. Kur përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar, kjo shifër rritet në rreth 51%, duke treguar hendekun e madh mes Evropës dhe Amerikës në këtë sektor.

Ekspertët theksojnë se numri i qendrave të të dhënave nuk është gjithçka, pasi rëndësi ka edhe kapaciteti i tyre, madhësia dhe fuqia kompjuterike. Sipas Bankës Botërore, investimet në këtë fushë varen kryesisht nga katër faktorë: energjia e qëndrueshme dhe e lirë, interneti i fuqishëm, qasja në tokë dhe stabiliteti politik e ekonomik.

Zvicra, me infrastrukturën e zhvilluar, stabilitetin dhe reputacionin e saj si vend i sigurt për të dhënat, vazhdon të jetë një nga destinacionet më të favorshme në Evropë për këtë industri, e cila po bëhet gjithnjë e më vendimtare për të ardhmen digjitale./Albinfo.ch

Dita vendimtare: Zgjedhja e presidentit ose zgjedhje parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit, ndërsa në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e shefit të shtetit, përcjell albinfo.ch.

Seanca e së hënës përfundoi pa rezultat, pasi partitë opozitare bojkotuan votimin, duke pamundësuar arritjen e kuorumit të nevojshëm. Opozita e ka cilësuar procesin si shkelje kushtetuese, duke kritikuar nisjen e seancës pa praninë e 80 deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra të rinj për kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Ndërkohë, kandidatët e mëparshëm të propozuar më 5 mars, Glauk Konjufca dhe Xhelal Mulhaxha, janë tërhequr nga gara.

Në rundin e parë të votimit, Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në mesnatë, vendi do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare./Albinfo.ch

Ftesë për mbrëmjen e prindërve: Së bashku për fëmijët tanë

Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara shpesh kanë shumë pyetje dhe përballen me sfida në jetën e përditshme. Prandaj ju ftojmë përzemërsisht në një mbrëmje të veçantë për prindër: „Së bashku për fëmijët tanë“.

Kjo mbrëmje është e dedikuar për familjet shqiptare në Zvicër. Këtu mund të merrni informacione të rëndësishme dhe të njiheni me prindër të tjerë që kanë përvoja të ngjashme.

Do të ketë prezantime të shkurtra dhe stenda informative për tema si ADHD, jeta me aftësi të kufizuara, kujdesi dhe mbështetja. Profesionistët do t’i shpjegojnë gjërat në mënyrë të thjeshtë dhe do të japin këshilla për jetën e përditshme. Ju gjithashtu mund të bëni pyetje.

Donjete Hajrizaj – Organizatore 

Pas pjesës zyrtare do të ketë një apero. Kjo ju jep mundësi të shkëmbeni përvoja, të krijoni kontakte të reja dhe të mbështesni njëri-tjetrin, nëse dëshironi.

Ejani – nuk jeni vetëm. Së bashku mund t’i mbështesim më mirë fëmijët tanë dhe të forcojmë të ardhmen e tyre.

 

E premte, 5 qershor 2026

Hapja e dyerve: ora 17:30

Fillimi: ora 18:00

Hyrja falas

“Nyjet e Kohës” hapet në Leipzig: Një mbrëmje arti që bashkon kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë

Në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Leipzig është hapur ekspozita “Nyjet e Kohës”, një ngjarje e veçantë kulturore që mblodhi artdashës, artistë dhe përfaqësues institucionalë në një atmosferë dialogu dhe reflektimi artistik, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita, e kuruar nga Simon Kurti, sjell para publikut veprat e tre artistëve të talentuar: Rina Krasniqi, Kemil Bekteši dhe Denys Shantar. Përmes qasjeve të tyre unike, artistët trajtojnë tema të rëndësishme si kujtesa, identiteti dhe trashëgimia kolektive, duke krijuar një rrëfim vizual që fton vizitorët të mendojnë mbi kohën dhe lidhjet e saj me përvojën njerëzore.

Një dimension të veçantë kësaj mbrëmjeje i dha edhe pjesëmarrja dhe mbështetja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, e përfaqësuar nga diplomatja Blerta Ademi. Prania e saj u vlerësua si një sinjal i rëndësishëm për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor dhe promovimin e artit bashkëkohor nga rajoni në skenën ndërkombëtare.

Ekspozita “Nyjet e Kohës” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 23 gusht 2026, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të përjetojnë nga afër një prezantim artistik me mesazh të thellë dhe vlerë kulturore.

Vizitorët në Leipzig kanë tashmë një arsye më shumë për të mos e humbur këtë ekspozitë, e cila dëshmon se arti vazhdon të ndërtojë ura të fuqishme komunikimi mes kulturave dhe shoqërive./Albinfo.ch

Hoffenheimi rikthehet në Ligën e Evropës, Asllani, Hajdari dhe Avdullahu vendimtarë në suksesin historik

Hoffenheimi nuk konsiderohet ndër klubet e mëdha të futbollit gjerman, por historia e tij mbetet një nga rrëfimet më të veçanta të rritjes së shpejtë në Bundesligë. Në vitin 2000, skuadra luante në kategorinë e pestë gjermane, ndërsa në vitin 2008 arriti për herë të parë në Bundesligë, ku ka mbetur vazhdimisht deri më sot, përcjell albinfo.ch.

Edhe në garat evropiane, Hoffenheimi është klub me histori relativisht të re. Për herë të parë në Evropë u paraqit në edicionin 2017/18, ndërsa debutimin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve e realizoi në edicionin 2018/19, që mbetet deri tani paraqitja e vetme në këtë nivel. Më pas, klubi u rikthye në Evropë në Ligën e Evropës në edicionin 2020/21 dhe sërish në 2024/25.

Tani, Hoffenheimi ka siguruar pjesëmarrjen për herë të pestë në histori në garat evropiane, duke konfirmuar kualifikimin për edicionin 2026/27. Liga e Evropës tashmë është e garantuar, ndërsa objektivi i radhës është një vend që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Interesimi në Kosovë për ecurinë e këtij klubi është rritur dukshëm për një arsye të qartë: Hoffenheimi ka në përbërje tre reprezentues të Kosovës, që tashmë konsiderohen ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit – sulmuesin Fisnik Asllani, mesfushorin Leon Avdullahu dhe mbrojtësin Albian Hajdari.

Në fitoren e fundit 2:1 ndaj Hamburgut në udhëtim, ndeshje që vulosi kualifikimin evropian, Asllani shënoi gol, ndërsa Hajdari asistoi, duke qenë direkt të përfshirë në suksesin e skuadrës.

“Hoffenheimi është kualifikuar për garat evropiane për herë të pestë në histori të klubit. Fitorja ndaj Hamburgut garanton renditjen në top-gjashtë të tabelës së Bundesligës”, shkroi klubi në faqen zyrtare pas ndeshjes.

Drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, e quajti këtë sukses një shpërblim të merituar për punën e gjithë klubit. “Kualifikimi evropian është e arritur fantastike dhe shpërblim shumë i merituar për punën e madhe të ekipit, stafit të trajnerëve dhe të gjithë të përfshirëve”, deklaroi ai, duke shtuar se ekipi mbetet i uritur për më shumë.

Në fakt, Hoffenheimi nuk e ka mbyllur ende garën për objektivin maksimal. Ndeshja e radhës ndaj Stuttgartit pritet të jetë vendimtare për vendin e katërt në Bundesligë, i cili siguron kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve. Ka gjithashtu mundësi që edhe vendi i pestë të dërgojë në Champions, por kjo varet nga rezultatet e klubeve gjermane në kompeticionet evropiane, si Bayerni në Champions dhe Freiburgu në Ligën e Evropës.

Ndërkohë, edhe lojtarët e Kosovës vazhdojnë të kenë rol të madh në skuadër. Hajdari tashmë ka rinovuar kontratën afatgjatë me kushte të përmirësuara, ndërsa pritet që së shpejti të zyrtarizohet edhe kontrata e re e Avdullahut. Sa i përket Fisnik Asllanit, gjithnjë e më shumë po përmendet mundësia që ai gjatë verës të transferohet në një klub më të madh evropian.

Pas suksesit ndaj Hamburgut, Asllani u shpreh i lumtur për arritjen e skuadrës. “Ndihemi shumë mirë që kemi arritur qëllimin për kualifikim në Evropë. Askush nuk do ta besonte këtë para fillimit të edicionit. Tani duam ta fitojmë edhe ndeshjen me Stuttgartin”, deklaroi sulmuesi kosovar.

Pas duelit me Stuttgartin, Hoffenheimi do të luajë në udhëtim ndaj Werder Bremenit dhe në xhiron e fundit ndaj Borussia Monchengladbachut. Pas javës së 31-të, skuadra ka 57 pikë në vendin e pestë, aq sa ka edhe Stuttgarti në pozitën e katërt, duke e bërë garën për Champions jashtëzakonisht të hapur.

Në një sezon ku pak kush e priste, Hoffenheimi jo vetëm që e siguroi Evropën, por falë edhe kontributit të tre reprezentuesve të Kosovës, po synon ta shndërrojë këtë sezon në një nga më të suksesshmit në historinë e klubit./Albinfo.ch

Gjermania ka rezervën e dytë më të madhe të arit në botë, debatohet përdorimi i saj

Gjermania posedon rreth 3,350 tonë ar, duke u renditur e dyta në botë pas SHBA-së. Sipas vlerësimeve aktuale, rezervat e Bundesbankut kapin vlerën rreth 440 miliardë euro, për shkak të rritjes së çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare.

Ekonomisti Marcel Fratzscher nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) ka propozuar që një pjesë e këtyre rezervave të shitet, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët dhe bizneset, si dhe për investime në arsim dhe infrastrukturë.

Rreth një e treta e arit gjerman ndodhet në SHBA, ndërsa pjesa tjetër ruhet në Gjermani dhe Britani të Madhe, transmeton albinfo.ch.

Ky sistem depozitimi ka rrënjë historike që nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore dhe sistemi Bretton Woods.

Propozimi ka nxitur debat politik në Gjermani. Disa zëra kërkojnë edhe kthimin e plotë të arit në vend, ndërsa partitë kryesore politike dhe Bundesbank e konsiderojnë rezervën si garanci të rëndësishme për stabilitetin ekonomik dhe kundërshtojnë shitjen e saj.

Debati vazhdon, ndërsa autoritetet financiare nuk kanë sinjale për ndryshim të politikës aktuale mbi rezervat e arit.

Në Bernë u mbajt eventi “Kostumet Popullore, Identitet Kombëtar”

Gjatë fundjavës, më 25 prill 2026, në ambientet e Kongresszentrum Allresto në Bernë, u zhvillua eventi kulturor “Kostumet Popullore, Identitet Kombëtar”, i organizuar nga Flora Style nën drejtimin e Flora Balaj, duke mbledhur pjesëtarë të diasporës, artistë dhe dashamirës të kulturës shqiptare në një mbrëmje me domethënie të veçantë kulturore.

Photo: Afrim Nevzadi

Programi solli para publikut kostume popullore shqiptare nga treva të ndryshme. Prezantimi vuri në pah larminë e tyre dhe vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare. Kostumi tradicional u trajtua si element i identitetit dhe si pjesë e kujtesës kulturore në diasporë.

Photo: Afrim Nevzadi

Në këtë mbrëmje, kostumografia shqiptare u shfaq si një fushë e strukturuar e trashëgimisë shpirtërore dhe materiale. Në të u evidentuan shtresime historike, forma të organizimit shoqëror dhe zhvillime kulturore të ruajtura ndër shekuj. Çdo kostum paraqiti veçori të qarta krahinore përmes prerjes, materialit, ngjyrave dhe ornamenteve. Këto elemente artikulojnë përkatësinë, statusin dhe traditën lokale. Prezantimi i tyre në aktivitete të këtij karakteri shërben për dokumentimin dhe transmetimin e kësaj pasurie kulturore te brezat e rinj.

Photo: Afrim Nevzadi

Në kuadër të programit u shfaq dokumentari “Sfilatë e Kostumeve Shqiptare në Zvicër”, me regji të Llesh Nikollës, i cili trajton përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare jashtë atdheut. U prezantuan gjithashtu dizajne të reja nga Flora Balaj, ndërsa komente profesionale u dhanë nga Prof. Zymer Neziri.

Photo: Afrim Nevzadi

Mbrëmja u shoqërua me program të pasur kulturor dhe artistik. Veshjet tradicionale u prezantuan edhe në forma të përpunuara bashkëkohore. U theksua vazhdimësia e traditës dhe prania e saj në kontekste të reja shprehëse.

Në aktivitet mori pjesë Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e Tij z. Ermal Dredha. Ai vlerësoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë. Ai theksoi angazhimin e organizatorëve dhe të komunitetit.

Photo: Afrim Nevzadi

Gjatë ceremonisë u nda një mirënjohjeje për regjisorin Llesh Nikolla nga “Parlamenti Paqësor i Kombit Shqiptar”, në vlerësim të kontributit në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar.

 

 

 

Zvicra ndan rreth 70 milionë euro për Kosovën, Kurti: Partneritet me histori të thellë dhe të ardhme të ndritur

Është lansuar zyrtarisht Programi i Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë 2026–2029, i cili parasheh mbështetje financiare prej 64.5 milionë frangash zvicerane (rreth 70 milionë euro) për katër vitet e ardhshme, duke synuar forcimin e zhvillimit dhe stabilitetit në vend.

Programi, i harmonizuar me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, fokusohet në tri fusha kryesore: qeverisjen demokratike dhe paqen, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe zhvillimin e barabartë njerëzor. Gjithashtu, do të vazhdojë edhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e migrimit.

Në ceremoninë e lansimit mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke e cilësuar atë si më shumë se një marrëdhënie formale diplomatike.

“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës nuk është një formalitet diplomatik. Është një partneritet me histori të thellë dhe një të ardhme të ndritur,” u shpreh Kurti në fjalimin e tij.

Ai kujtoi se Zvicra ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës pas vitit 2008, duke theksuar gjithashtu rolin e diasporës kosovare në ndërtimin e urave lidhëse mes dy vendeve.

Kurti vlerësoi edhe rezultatet e programit të mëparshëm 2022–2025, duke theksuar se mbi 10 mijë persona kanë përmirësuar punësimin, ndërsa 14 mijë të tjerë janë përfshirë në arsim dhe aftësim profesional. Sipas tij, këto ndërhyrje kanë sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe kanë ndikuar në rritjen e transparencës dhe cilësisë së shërbimeve publike.

Duke folur për programin e ri, ai theksoi se ai është i lidhur ngushtë me objektivat strategjike të Kosovës, përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe agjendën e integrimit evropian.

“Çdo frangë zvicerane, çdo orë ekspertize dhe çdo shkëmbim politikash është një kontribut në rrugëtimin tonë evropian,” deklaroi Kurti.

Programi është zhvilluar përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe përfshin disa institucione zvicerane, si Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Divizioni për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA), Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariati Shtetëror për Migrim (SEM).

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti e cilësoi këtë bashkëpunim si një përgjegjësi të përbashkët për zbatim me përkushtim dhe rezultate konkrete për qytetarët, duke shpallur zyrtarisht të hapur Programin e Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë 2026–2029.

Vonesat në pagesat e ndihmës së papunësisë vazhdojnë edhe katër muaj pas defektit të sistemit

Pavarësisht përmirësimeve të raportuara nga autoritetet zvicerane, shumë përfitues ende përballen me vonesa dhe mungesë informacioni të qartë

Katër muaj pas vendosjes së një sistemi të ri informatik për pagesat e ndihmës së papunësisë në Zvicër, vonesat në disbursimin e përfitimeve vazhdojnë ende. Dy raste të raportuara nga qytetarë dhe auditorë tregojnë se problemet nuk janë zgjidhur plotësisht.

Në mes të marsit, ministri i Ekonomisë i Zvicrës, Guy Parmelin, deklaroi në Këshillin Kombëtar se rreth 96% e pagesave të papunësisë që ishin vonuar për shkak të problemeve teknike që nga fillimi i vitit, tashmë ishin kryer.

Megjithatë, sipas dëshmive të dëgjuesve të emisionit radiofonik “On en parle”, situata në terren mbetet e vështirë. Një person nga rajoni Bernese Jura, i regjistruar për ndihmë papunësie, thotë se që nga 3 marsi nuk ka marrë asnjë përditësim për rastin e tij, edhe pse priste pagesat deri në fund të muajit mars.

Një tjetër rast nga kantoni i Gjenevës tregon vështirësi të përsëritura në komunikim me institucionet: për të dorëzuar një dokument që do të ndikonte në rritjen e përfitimeve, ajo është detyruar të kontaktojë institucionet pesë herë, përmes emailit, postës, platformës Jobroom dhe telefonit.

Sipas raportimeve, dy janë problemet kryesore që vazhdojnë: ngadalësia e sistemit informatik dhe vonesat në përpunimin e rasteve nga zyrat kompetente.

Zvicra shënon përparim në luftën kundër dhunës në familje, por sfidat mbeten

Zvicra po bën përparime në luftën kundër dhunës në familje, por rruga drejt zgjidhjes së plotë mbetet ende e gjatë. Autoritetet politike theksojnë se, pavarësisht hapave pozitivë, rastet e dhunës – veçanërisht ato të rënda si femicidi dhe përdhunimi – janë në rritje.

Të hënën, kantonet dhe Këshilli Federal bënë një bilanc të masave të ndërmarra deri më tani, vetëm pak ditë përpara lansimit të numrit emergjent të specializuar 142 për viktimat e dhunës në familje.

Pesë vite më parë, qeveria federale dhe kantonet nisën një përpjekje të përbashkët për të luftuar dhunën në familje dhe atë seksuale. Ministri i Drejtësisë dhe Policisë, Beat Jans, deklaroi se rezultatet janë inkurajuese, por theksoi se nevojiten masa shtesë. Një ndër prioritetet mbetet rritja e numrit të strehimoreve për viktimat, transmeton albinfo.ch.

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të forcuar parandalimin, për të mbrojtur më mirë viktimat dhe për t’i sjellë autorët para drejtësisë. Lufta kundër dhunës në familje, dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore do të mbetet prioritet për departamentin tim,” u shpreh Jans. Ai shtoi se po punohet edhe për përmirësimin e procedurave ligjore, përfshirë çështjet që lidhen me kujdestarinë e fëmijëve dhe përgjegjësinë prindërore.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 22,066 vepra penale të lidhura me dhunën, një rritje prej 4.4% krahasuar me vitin paraprak. Këtë e konfirmoi Matthias Reynard, president i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë për Çështje Sociale.

Masa të reja në zbatim

Ndër masat konkrete të paralajmëruara, numri i ri i shkurtër 142 për viktimat e dhunës në familje do të vihet në funksion nga 1 maji. Lansimi i tij ishte shtyrë për arsye teknike.

Po ashtu, kantonet kanë vendosur standarde të përbashkëta për menaxhimin më të mirë të rasteve të rrezikut, duke synuar identifikimin sa më të hershëm të personave potencialisht të dhunshëm dhe ndërmarrjen e masave përkatëse.

Janë nisur edhe projekte pilot për përdorimin e byzylykëve elektronikë, me qëllim mbrojtjen më të mirë të viktimave. Sipas autoriteteve, këto iniciativa kanë sjellë përparim të konsiderueshëm.

Një tjetër hap i rëndësishëm është vendimi që dokumentet mjekësore që vërtetojnë dhunën e pësuar të ofrohen falas në të ardhmen, për të lehtësuar paraqitjen e kallëzimeve penale nga viktimat.

Autoritetet zvicerane theksojnë se, megjithëse progresi është i dukshëm, lufta kundër dhunës në familje mbetet një prioritet afatgjatë që kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

Punonjësit shëndetësorë dorëzojnë apel urgjent me 190,000 nënshkrime, kërkojnë më shumë mbështetje

Ndërsa Këshilli Kombëtar përgatitet të diskutojë nismën për forcimin e kujdesit infermieror, punonjësit shëndetësorë dorëzuan të hënën në Bernë një apel urgjent me afro 190,000 nënshkrime. Ata kërkojnë zbatimin “të menjëhershëm dhe të plotë” të kësaj nisme.

Rreth 200 punonjës të sektorit shëndetësor dorëzuan në mesditë një letër drejtuar 30 politikanëve që kishin pranuar ftesën e Koalicionit të Punonjësve Shëndetësorë, transmeton albinfo.ch.

Sipas një deklarate të përbashkët, ata u shoqëruan me pankarta, postera dhe një zemër gjigante simbolike. Këshilli Kombëtar pritet të debatojë të martën dhe të mërkurën projektligjin e ri federal për kushtet e punës në infermieri (LCTSI).

Kjo nismë është vazhdim i “Nismës për Kujdesin”, e cila u miratua nga 61% e votuesve në vitin 2021. Megjithatë, Koalicioni — që përfshin disa sindikata dhe shoqata — e konsideron projektligjin aktual “të pamjaftueshëm” dhe shpreh keqardhje që ai është “dobësuar” nga anëtarët e komisionit përkatës të Këshillit Kombëtar. Ata paralajmërojnë se nuk duhet të shpërfillet vullneti i qytetarëve.

Kërkesa konkrete

Sindikatat dhe shoqatat kërkojnë jo vetëm zbatimin e plotë të nismës për kujdesin infermieror, por edhe:

uljen e orarit të punës,

përcaktimin e një raporti minimal të stafit për të garantuar cilësi në kujdes,

shtesa më të larta për punën gjatë natës, fundjavave dhe festave,

detyrim për punëdhënësit që të respektojnë marrëveshjet kolektive dhe ligjet kantonale.

Në rast se kërkesat nuk plotësohen, Koalicioni paralajmëron organizimin e grevave, sipas marrëveshjes së arritur gjatë demonstratës kombëtare të 22 nëntorit 2025 në Sheshin Federal.

Një në pesë të rinj në Zvicër përballet me depresion, sfida më të mëdha në zonat rurale

Shëndeti mendor i të rinjve po kthehet në një shqetësim serioz në Zvicër, ku sipas të dhënave të fundit, një në pesë persona të moshës 16–25 vjeç shfaq simptoma depresioni. Situata është veçanërisht sfiduese në zonat rurale si rajoni Jura, ku qasja në shërbime shëndetësore mbetet e kufizuar.

Tre të rinj nga ky rajon kanë ndarë përvojat e tyre për të ndërgjegjësuar publikun. Ata tregojnë për vështirësi të thella emocionale të lidhura me humbje familjare, bullizëm dhe probleme personale, që kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e tyre.

Ekspertët theksojnë se, ndryshe nga qytetet ku ndikojnë faktorë si ndotja dhe stresi urban, në zonat rurale problemi kryesor është mungesa e shërbimeve dhe burimeve të specializuara. Megjithatë, këto zona përfitojnë nga lidhjet më të afërta me komunitetin.

 

Një tjetër sfidë mbetet identifikimi i hershëm i problemeve nga të rriturit, pasi shpesh shenjat e vuajtjes nuk vërehen ose keqinterpretohen.

Pavarësisht vështirësive, të rinjtë që kanë kërkuar ndihmë dhe kanë folur hapur për problemet e tyre raportojnë përmirësim, duke theksuar se kërkimi i ndihmës është një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm.

Ligji i ri zviceran rrit falimentimet me 106 për qind

Në tremujorin e parë të vitit 2026, 3074 kompani kërkuan falimentim në Zvicër – një rritje prej 106 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kantonet Thurgau, Basel-Landschaft dhe Bernë janë më të prekurat teksa në të njëjtën kohë, aktiviteti i bizneseve të reja arrin një nivel historik.

Güggeli-Express dhe Wonderwaffel janë vetëm dy nga shumë kompani të falimentuara: Zvicra aktualisht po përjeton një valë rekord falimentimesh në kompani. Në tre muajt e parë të këtij viti, falimentimet e kompanive u dyfishuan krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një total prej 3074 kompanish kërkuan falimentim – një rritje prej 106 për qind, sipas zyrës së kreditit Dun & Bradstreet. Më parë, kompania konkurrente Crif raportoi një rritje prej 80 për qind në tremujorin e parë.

Në të njëjtën kohë, aktiviteti i bizneseve të reja arrin një nivel historik. Ky zhvillim i kundërt tregon një rregullim të theksuar të tregut. Kompania i sheh arsyet për këtë, nga njëra anë, në dobësimin e ekonomisë zvicerane. Nga ana tjetër, vala e falimentimeve ka edhe shkaqe rregullatore. Ligji federal për luftimin e falimentimit abuziv ka qenë në fuqi që nga viti 2025. Që atëherë, zyrat janë detyruar të operojnë kërkesa të hapura ndaj kompanive për falimentim.

Në tremujorin e parë të vitit të kaluar, nuk pati rritje të falimentimeve për shkak të ndryshimit në ligj.

Nadine Sifrig e Dun & Bradstreet Zvicër sheh një arsye të mundshme për rritjen tani të konsiderueshme në zbatimin e ligjit. “Në fillim, të dhënat e disponueshme tregonin se kërkesat e reja ligjore u vunë në praktikë vetëm gradualisht nga zyrat në disa kantone. Por tani duket se është e ankoruar në gjyqe”, thotë Sifrig, raporton 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Për të gjithë vitin, prandaj pret që numri i falimentimeve të rritet edhe më tej. Ligji i ri tregon një ripërtëritje intensive strukturore të peizazhit të korporatave dhe më pak një krizë klasike ekonomike, thotë Marianne Bregenzer, Drejtuese e Vendit në Zvicër në Dun & Bradstreet. “Ligji i ri vepron si katalizator: Ai rrit ndjeshëm numrin e falimentimeve në afat të shkurtër, por forcon disiplinën, transparencën dhe mbrojtjen e kreditorëve në treg në afat të gjatë”, thotë Bregenzer.

Një pamje uniforme po tregon në nivel rajonal: Ka pasur dukshëm më shumë raste falimentimesh kudo në Zvicër. Rritjet më të forta janë regjistruar në kantonet Thurgau (238 përqind), Basel-Landschaft (228 përqind) dhe Bernë (196 përqind). Në terma absolutë, Cyrihu mbetet kantoni më i prekur me 527 raste (100 përqind).

Numri i falimentimeve po rritet gjithashtu pothuajse kudo në nivel industrie. Shërbimet e trajnimit (317 përqind) dhe industria e ndërtimit (242 përqind) janë veçanërisht të prekura. Në shifra absolute, industria artizanale regjistron më shumë raste me 473 falimentime (61 përqind).

Aktiviteti i bizneseve të reja vazhdon të jetë i fuqishëm në shumë fusha, veçanërisht në sistemin e furnizimit (41 përqind) dhe në prodhimin e mallrave jo të qëndrueshme (33 përqind) dhe të qëndrueshme (24 përqind). Nga ana tjetër, zhvillimi në tregtinë me shumicë (minus 45 përqind) dhe në industrinë e drurit dhe mobiljeve (minus 11 përqind) është në rënie.

Sot u lansua Programi i Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë për periudhën 2026–2029

Kosova dhe Zvicra kanë shënuar sot partneritetin e tyre të qëndrueshëm përmes lansimit të Programit të Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë për periudhën 2026–2029.
Në ngjarjen e mbajtur në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, partnerëve dhe përfituesve të shumtë, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, Ambasadorja Patricia Danzi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ritheksuan miqësinë e fortë ndërmjet dy vendeve.
“Ambasadori Sprecher theksoi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga një përkushtim i fortë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimit të vendit, duke nënvizuar se, ndërsa Kosova vazhdon të zhvillohet, programi i ri reflekton një kalim drejt një partneriteti më strategjik dhe fuqizimit të ndërsjellë.
Në emër të institucioneve federale zvicerane të pranishme në këtë ngjarje, pjesëmarrësve iu drejtua Ambasadorja Patricia Danzi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të Departamentit Federal për Punë të Jashtme (FDFA)”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.
‘’Fokusi ynë me Programin e Bashkëpunimit 2026–2029 është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare Zhvillimore të Kosovës dhe i ndërtuar në partneritet të ngushtë me institucionet qendrore dhe lokale, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Ndërsa programi përfaqëson një angazhim të konsiderueshëm prej 70 milionë eurosh, vlera e tij e vërtetë shkon përtej vetë financimit. Burimet financiare kanë rëndësi vetëm kur përkthehen në ndikim real—kur përmirësojnë jetën, forcojnë sistemet dhe krijojnë mundësi domethënëse për njerëzit në gjithë Kosovën” deklaroi Ambasadorja Danzi.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme, duke folur për lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në Zvicër. Ai vuri në dukje se Zvicra është ndër partnerët më të mëdhenj dypalësh të bashkëpunimit për Kosovën dhe investitori i dytë më i madh i huaj, duke theksuar se ky partneritet i fortë do të vazhdojë të formësojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në vitet e ardhshme.
“Qëllimi i Kosovës është i qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian (BE). Strategjia jonë Kombëtare për Zhvillim 2030 shërben si udhërrëfyes, ndërsa Programi i Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë për periudhën 2026-2029 është i harmonizuar ngushtë me të dhe me prioritetet e reformave të BE-së. Çdo frankë zvicerane, çdo orë e ekspertizës teknike, dhe çdo shkëmbim në fushën e politikave është një kontribut në rrugëtimin tonë evropian. Zvicrës i themi faleminderit”, u shpreh ai.
Programi i Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë 2026–2029 pasqyron përkushtimin e përbashkët të Zvicrës dhe Kosovës për të ruajtur stabilitetin, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të adresuar sfidat e reja. I harmonizuar me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, programi fokusohet në tri fusha kryesore: Qeverisja Demokratike dhe Paqja; Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm dhe Tranzicioni i Gjelbër; si dhe Zhvillimi i Barabartë Njerëzor. Po ashtu, do të vazhdojë edhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e migrimit.
Kontributi financiar i Zvicrës për katër vitet e ardhshme arrin në 64.5 milionë CHF ose rreth 70 milionë euro.
Programi është zhvilluar përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Divizionin për Paqe dhe të
Drejtat e Njeriut në kuadër të FDFA-së, Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariatin Shtetëror për Migrim (SEM).

4 për qind e banorëve të Kantonit të Lucernit e kanë gjuhë amtare shqipen

80 për qind e banorëve të Kantonit të Lucernit flasin gjermanishten zvicerane në jetën e përditshme. Por gjuhët e tjera po fitojnë terren ndërkohë që gjermanishtja ka shënuar një rënie, trnsmeton albinfo.ch.

Në Kantonin e Lucernës, gjermanishtja është qartësisht gjuha kryesore dominuese. Në vitin 2024, 86 për qind e popullsisë rezidente të moshës 15 vjeç e lart deklaruan gjermanishten ose një dialekt si gjuhën e tyre kryesore. Është gjuha në të cilën një person mendon dhe të cilën e flet më mirë, shkruan gazeta Luzerner Zeitung. Kjo është katër pikë përqindjeje më pak se në vitin 2015, sipas zyrës së statistikave të Lucernit, Lustat.

Në të njëjtën kohë, gjuhët e tjera po fitojnë rëndësi: anglishtja është bërë gjuha e dytë kryesore më e rëndësishme me gjashtë për qind, e ndjekur nga shqipja me katër për qind. Gjuhët e tjera janë italishtja (3 për qind), serbishtja/kroatishtja (3), portugalishtja (2), spanjishtja (2) dhe frëngjishtja (1).

Të kujtojmë: Në nivel të Zvicrës, sipas të dhënave të vitit 2024 shqipen si gjuhë kryesore në të cilën flasin në përditshmëri e kishin deklaruar 3.4 % e popullsisë së Zvicrës. Kjo tregon se në Kantonin e Lucernit gjuha shqipe ka një shtrirje mbi mesataren zvicerane, shkruan albinfo.ch.

Një vështrim në trendin që nga viti 2010 tregon një rënie graduale të gjermanishtes nga rreth 91 në 86 përqind. Njëkohësisht, përqindja e folësve të anglishtes është dyfishuar brenda 15 viteve në gjashtë për qind. Shqipja dhe gjuhët e tjera kanë parë gjithashtu rritje të lehta. Dinamika bëhet edhe më e qartë në shifra absolute: Ndërsa popullsia totale është rritur, numri i folësve të anglishtes është rritur nga rreth 8,400 në mbi 20,000.

Megjithatë, gjermanishtja zvicerane mbetet dominuese në jetën e përditshme: 8 nga 10 banorë të Lucernës deklaruan se flasin gjermanishten zvicerane në shtëpi ose me anëtarët e familjes. (rem)

Aeroplani zviceran duhet të kthehej nga rruga për në Frankfurt

Mëngjesin e sotëm, një aeroplan zviceran u kthye mbrapsht nga rruga për në Frankfurt, për shkak të një problemi teknik.

Sipas kësaj, Airbus A220, i cili ishte në rrugën e tij nga Gjeneva për në Frankfurt am Main (D), e mbinxehu kabinën.

Rreth orës 10:45 të mëngjesit, pas një fluturimi të shkurtër rrethor, avioni i kishte kërkuar kullës së kontrollit leje uljeje, raporton Blick. Ai u prit nga departamenti i zjarrfikësve dhe u ndal për disa minuta për të kryer kontrolle. Pastaj u kthye përsëri në pistë me pasagjerët në bord vetë, transmeton albinfo.ch.