Benzina arrin kulmin vjetor në Zvicër, çmimet rriten ndjeshëm

Çmimet e karburanteve në Zvicër kanë arritur nivelin më të lartë të këtij viti, duke rikthyer shqetësimet për kostot e jetesës dhe transportit.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat zvicerane, pas një rënieje të përkohshme, çmimet janë rritur sërish në fillim të javës, duke prekur një pikë maksimale për vitin 2026, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, çmimi mesatar për një litër:

Benzinë 95 është rreth 1.90 franga,

Benzinë 98 rreth 2.01 franga,

ndërsa diesel ka arritur në rreth 2.17 franga për litër.

Kjo përfaqëson një rritje të dukshme krahasuar me fundin e shkurtit, kur çmimet ishin dukshëm më të ulëta (rreth 1.67 franga për benzinën 95). Në total, rritja vlerësohet rreth 13% për benzinën dhe deri në 20% për dieselin.

Arsyeja kryesore lidhet me zhvillimet në tregjet globale të naftës. Çmimi i naftës Brent ka arritur rreth 112 dollarë për fuçi, pas rritjeve të shkaktuara nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe pengesat në transportin e energjisë.

Ekspertët theksojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe çmimet mund të vazhdojnë të luhaten, ndërsa faktorët gjeopolitikë dhe kërkesa globale do të jenë vendimtarë për zhvillimet e ardhshme.

Rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve, ndërsa shumë shoferë në zonat kufitare po zgjedhin të furnizohen jashtë vendit për të kursyer.

Pasuria e familjeve në Zvicër rritet në 2025, kalon 5 trilionë franga

Pasuria e familjeve në Zvicër ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke arritur nivele rekord dhe duke konfirmuar pozicionin e vendit si një nga më të pasurit në botë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Kombëtare Zvicerane (SNB), pasuria neto e familjeve ka kaluar mbi 5 trilionë franga zvicerane, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak, transmeton albinfo.ch.

Vetëm asetet financiare të familjeve u rritën me 3.8%, duke arritur në rreth 3.278 trilionë franga. Rritja është nxitur kryesisht nga investimet në fondet kolektive, rritja e depozitave dhe kontributet më të larta në skemat pensionale.

Ekspertët theksojnë se kjo rritje nuk vjen vetëm nga performanca e tregjeve, por edhe nga kursimet e vazhdueshme dhe investimet e qëndrueshme të familjeve zvicerane.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së përgjithshme të pasurisë, ajo mbetet e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Studime të mëhershme tregojnë se një pjesë shumë e madhe e pasurisë është e përqendruar tek shtresa më e pasur e popullsisë.

Zvicra vazhdon të mbetet një nga ekonomitë më të forta dhe më stabile në Evropë, por sfidat si kostoja e lartë e jetesës dhe pabarazia ekonomike mbeten çështje të rëndësishme për të ardhmen.

Vdekja e parë nga trotinetët elektrikë në Gjenevë

Një aksident tragjik ka shënuar viktimën e parë në Gjenevë të lidhur me trotinetët elektrikë, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rrugë.

Sipas mediave zvicerane, një burrë rreth të gjashtëdhjetave humbi jetën pas një aksidenti me trotinet elektrik që ndodhi gjatë fundjavës. Ky konsiderohet rasti i parë fatal i këtij lloji në kantonin e Gjenevës, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja vjen në një kohë kur përdorimi i trotinetëve elektrikë është rritur ndjeshëm në qytetet zvicerane, ndërsa bashkë me të edhe numri i aksidenteve.

Statistikat tregojnë se në nivel kombëtar, disa raste fatale me trotinetë elektrikë janë regjistruar vitet e fundit, ndërsa shumica e aksidenteve ndodhin për shkak të gabimeve të vetë drejtuesve.

Ekspertët e sigurisë rrugore paralajmërojnë se këto mjete paraqesin rrezik të lartë për shkak të shpejtësisë, mungesës së mbrojtjes fizike dhe vështirësisë që kanë përdoruesit e tjerë të rrugës për t’i vërejtur në kohë.

Ky rast pritet të rikthejë debatin mbi rregullimin më të rreptë të përdorimit të trotinetëve elektrikë në Zvicër, përfshirë masat për siguri më të madhe dhe ndërgjegjësim për përdoruesit.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë pritet të mbahen më 31 maj ose 7 qershor

Analisti Eugen Cakolli ka sqaruar procedurat kushtetuese që pasojnë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendi tashmë hyn në një periudhë të kufizuar funksionimi institucional deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, tani që Kuvendi konsiderohet i shpërndarë me efekt kushtetues, ushtruesja e detyrës së presidentes ka afat prej 10 ditësh për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimeve me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, transmeton Zeri.info.

Cakolli thekson se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit, por jo më herët se 30 ditë. Ai sqaron se, ndonëse data e zgjedhjeve duhet të shpallet brenda 10 ditëve, kjo nuk e ndryshon afatin maksimal për mbajtjen e tyre.

Sipas tij, kufiri i fundit për organizimin e zgjedhjeve bie më 31 maj ose 7 qershor.

Ndërkohë, Cakolli ka renditur edhe pasojat kryesore institucionale që sjell shpërndarja e Kuvendit.

Ai thekson se me shpërndarjen e Kuvendit përfundon edhe mandati i Qeverisë. Sipas tij, nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit dhe planit vjetor.

Në këtë periudhë, Qeveria nuk mund të propozojë projektligje të reja, strategji apo dokumente politike, si dhe nuk mund të bëjë emërime apo marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim.

Po ashtu, ai thekson se rreth 30 projektligje që kanë qenë në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero, pasi procesi legjislativ duhet të nisë nga fillimi pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

Një tjetër pasojë, sipas Cakollit, është edhe fakti se raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim, duke pezulluar procesin e llogaridhënies deri në krijimin e legjislaturës së re.

Në përfundim, Cakolli vlerëson se deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja – proces që mund të zgjasë të paktën tre deri në katër muaj – Kosova do të funksionojë në një lloj “pauze” institucionale./Albinfo.ch

Parmelin viziton Maqedoninë e Veriut më 29 prill, vizita e parë presidenciale zvicerane në histori

Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, do të zhvillojë më 29 prill vizitën e parë presidenciale zvicerane në Maqedoninë e Veriut, një ngjarje që sipas autoriteteve zvicerane dëshmon lidhjet gjithnjë e më të ngushta mes dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Zvicrës, e cila njoftoi se Parmelin javën e ardhshme do të udhëtojë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, i shoqëruar nga një delegacion ekonomik i nivelit të lartë.

Sipas njoftimit, vizita e Parmelin në Serbi do të zhvillohet më 28 prill në Beograd, me rastin e 110-vjetorit të marrëdhënieve bilaterale mes Zvicrës dhe Serbisë. Gjatë kësaj vizite do të lançohet edhe programi i ri i bashkëpunimit për vitet 2026–2029, i cili do të fokusohet në qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik dhe punësim, ndryshime klimatike dhe zhvillim të qëndrueshëm urban.

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, Presidenti Parmelin do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe anëtarë të qeverisë. Në program parashihet edhe një takim me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Në kuadër të kësaj vizite, do të organizohet edhe një pritje zyrtare për shënimin e themelimit të Dhomës Zvicerane të Tregtisë në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet zvicerane kanë theksuar se marrëdhëniet bilaterale mes Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira, duke përmendur si element kyç edhe diasporën e madhe nga Maqedonia e Veriut në Zvicër, e cila numëron mbi 100 mijë persona.

Po ashtu, është vlerësuar se shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve kanë potencial të madh për rritje, veçanërisht në fushat e digjitalizimit dhe teknologjisë./Albinfo.ch

Nis hulumtimi për diasporën e Maqedonisë së Veriut, hapet anketa për shqiptarët jashtë vendit

Instituti për Hulumtime Sociologjike, Politike dhe Juridike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, në bashkëpunim me Westminster Foundation for Democracy, ka nisur një hulumtim me qëllim mapimin e diasporës nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të këtij procesi, diaspora nga Maqedonia e Veriut, përfshirë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit, ftohen të plotësojnë një pyetësor, i cili synon të kontribuojë në krijimin e politikave më të mira për diasporën.

Organizatorët kanë bërë thirrje që pyetësori të shpërndahet edhe tek të njohurit me origjinë nga Maqedonia e Veriut që jetojnë në diasporë, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes dhe përfshirjes.

Sipas njoftimit, anketa synon të hulumtojë mënyrat se si anëtarët e diasporës së RMV-së ruajnë lidhjen me vendlindjen, si dhe format e mundshme të kontributit të tyre përmes njohurive, investimeve apo bashkëpunimit profesional.

Përgjigjet e pjesëmarrësve pritet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave të ardhshme që lidhen me përfshirjen e diasporës në zhvillimin e vendit.

Anketa është e destinuar për persona mbi 18 vjeç, është anonime dhe plotësimi i saj zgjat afërsisht 8 deri në 12 minuta./Albinfo.ch

SHBA-të pritet të nxjerrin pasaporta të reja për 250-vjetorin e pavarësisë, me imazhin e Donald Trump

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të lansojnë këtë verë një seri të kufizuar pasaportash të reja, të dizajnuara për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së vendit, përcjell albinfo.ch.

Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është përfshirja e imazhit të Presidentit Donald Trump në brendësi të dokumentit zyrtar.

Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, pasaportat e reja fillimisht do të shpërndahen nga Agjencia e Pasaportave në Uashington për aplikimet fizike, ndërsa aplikimet online dhe zyrat e tjera do të vazhdojnë të përdorin modelin aktual.

Në dizajnin e ri, në kopertinën e brendshme do të shfaqet fytyra dhe firma e Trump me ngjyrë ari, ndërsa në pjesën e pasme do të jetë e vendosur piktura “Deklarata e Pavarësisë” nga John Trumbull.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, ka konfirmuar se këto pasaporta janë pjesë e aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së në korrik, duke theksuar se dizajni i ri do të përfshijë elemente artistike, duke ruajtur standardet e larta të sigurisë.

Aktualisht, pasaportat amerikane përmbajnë ilustrimin e Francis Scott Key dhe vargje nga himni kombëtar, ndërsa modeli i ri shënon një ndryshim të rëndësishëm në simbolikë dhe përmbajtje.

Përdorimi i imazhit të Trump në materiale përkujtimore nuk është risi, pasi ai është shfaqur edhe në leje për parqet kombëtare, monedha përkujtimore për 250-vjetorin, si dhe në disa institucione kulturore.

Megjithatë, pasaportat konsiderohen rasti më i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për dokumente zyrtare identifikimi me vlefshmëri deri në 10 vite dhe përdorim ndërkombëtar./Albinfo.ch

Dështon zgjedhja e presidentit në Kosovë, kur priten zgjedhjet?

Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të përmbyllet brenda afateve kushtetuese, duke e thelluar krizën politike dhe institucionale në vend, përcjell albinfo.ch.

Pas disa tentimeve në Kuvend dhe mungesës së konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës, partitë politike nuk arritën të sigurojnë kuorumin dhe marrëveshjen e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka futur vendin në një situatë të re politike, ku zgjedhjet e jashtëzakonshme konsiderohen si epilogu i vetëm institucional për dalje nga ngërçi.

Gjatë ditës, përfaqësues të partive politike shkëmbyen akuza reciproke për përgjegjësinë e këtij dështimi. Pushteti fajësoi opozitën për mungesë bashkëpunimi dhe bojkot të seancave, ndërsa partitë opozitare akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit dhe tentativa për ta përdorur krizën për kalkulime elektorale.

Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, duke e futur Kosovën në një tjetër cikël zgjedhor.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të jenë një test i ri politik për partitë kryesore, në një kohë kur vendi përballet me pasiguri institucionale dhe polarizim të thelluar politik, ndërsa data e saktë e mbajtjes së tyre pritet të bëhet e ditur në ditët ose javët në vijim nga institucionet përkatëse./Albinfo.ch

Rina Januzi përzgjedhet të performojë në festivalin “Louhela Jam 2026” në Finlandë

Rina Januzi nga Kosova, e cila jeton dhe vepron në Finlandë, është përzgjedhur të performojë në festivalin “Louhela Jam 2026”, që do të mbahet më 31 maj në Jokiuomanpuisto, Louhela, në qytetin Vantaa, transmeton albinfo.ch.

Përzgjedhja e saj në këtë festival konsiderohet një tjetër dëshmi e talentit dhe përkushtimit të bashkatdhetarëve tanë në diasporë, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë me dinjitet Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Festivali “Louhela Jam 2026” është falas dhe i hapur për të gjithë publikun.

Artistja kosovare ka falënderuar publikun dhe mbështetësit e saj përmes një mesazhi, duke ftuar të gjithë që të marrin pjesë në këtë ngjarje muzikore.

“I dashur publik, e kemi bërë këtë të mundur të gjithë së bashku falë jush. Tani jeni të gjithë të ftuar në festivalin Louhela Jam 2026 në Jokiuomanpuisto, Louhela, Vantaa më 31.5 dhe është falas! Ju faleminderit për mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithëve – kjo ka shumë rëndësi dhe shumë vlerë për mua, nuk do ta harroj kurrë në jetë. Shpresoj se do ta shijoni në maksimum muzikën dhe performancën time,” ka shkruar Januzi.

Performanca e saj pritet të jetë një nga momentet e veçanta të festivalit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se publiku do të ketë mundësi të shijojë muzikë live dhe atmosferë festive gjatë gjithë ditës./Albinfo.ch

 

Jashari, lojtari më i mirë në Belgjikë, te Milani vetëm opsioni i tretë për mesfushën

Ardon Jashari, pavarësisht se është shpallur lojtari më i mirë i kampionatit belg, te Milani vazhdon të konsiderohet vetëm si opsioni i tretë për përforcimin e mesfushës në këtë fazë të sezonit, përcjell albinfo.ch.

Mesfushori zviceran zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me Club Brugge, duke u vlerësuar si një nga lojtarët më të spikatur në Jupiler Pro League. Megjithatë, kjo nuk ka ndryshuar plotësisht hierarkinë e objektivave të klubit kuqezi në merkato.

Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Milanit kanë në listë prioritete të tjera për repartin e mesfushës, ndërsa Jashari mbetet një profil i ndjekur dhe i vlerësuar, por jo zgjedhja kryesore për momentin.

Megjithatë, vlerësimi për të brenda klubit mbetet i lartë, sidomos për shkak të cilësive teknike, fuqisë fizike dhe aftësisë së tij për të mbuluar role të ndryshme në mesfushë.

Në Belgjikë, Jashari konfirmoi statusin e tij si lider i ekipit, duke u shpallur lojtari më i mirë i sezonit, çka e bën atë një nga emrat më interesantë në prag të merkatos së verës.

Mbetet të shihet nëse situata do të ndryshojë në javët e ardhshme, por për momentin te Milani ai nuk është prioritet absolut. Ndërkohë, interesim për përfaqësuesin zviceran raportohet se ka shfaqur edhe Juventusi./Albinfo.ch

Reagon ekipi i Vjosa Osmanit pas shpërndarjes së Kuvendit: Shihemi

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ekipi i ish-Presidentes Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Këshilltarja e saj, Egnesa Vitija, ka publikuar në rrjete sociale një fotografi të Osmanit, duke e shoqëruar me mbishkrimin e shkurtër: “Shihemi”.

Ky reagim vjen në një kohë të zhvillimeve të reja politike, ku vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë, në fjalimin e mbajtur mbrëmë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kritikuar ish-Presidenten Osmani, duke deklaruar se ajo kishte tentuar shpërndarjen e Kuvendit përmes një dekreti që ai e cilësoi si jokushtetues.

Deklaratat dhe reagimet e fundit tregojnë për rritjen e tensioneve politike, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera lidhur me procesin zgjedhor dhe pozicionimet e partive politike./Albinfo.ch 

Abdixhiku: E injoruan Vjosa Osmanin, do ta vulosë populli i Kosovës, do ta zgjedhë vet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje të reja për shkak të, siç tha ai, qasjes së pushtetit që me 51 për qind të votave kërkoi nënshtrim, përcjell albinfo.ch. 

Abdixhiku ka thënë se LDK kishte propozuar emrin e ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe kishte siguruar 15 nënshkrime për kandidaturën e saj, por sipas tij ky propozim u injorua.

“Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se pushteti e kishte parë Vjosa Osmanin vetëm si kuorum, duke e konsideruar atë si numër plotësues për kandidaten e tyre.

“Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre ‘karate’. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës”, ka deklaruar ai.

Sipas Abdixhikut, dallimi mes opozitës dhe pushtetit do të vuloset nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

“Do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Në një deklaratë publike, Abdixhiku u shpreh se nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike, e cila ka fituar 51% të mbështetjes, të mos arrijë të zgjedhë presidentin, pavarësisht se ka një kandidat dhe mbështetje të deklaruar.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës që një parti me 51% të mos arrijë të zgjedhë presidentin duke pasur kandidat e mbështetje’’, tha ai./Albinfo.ch 

Dështon zgjedhja e Presidentit në Kuvend, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja

Në Kuvendin e Kosovës, dje ka përfunduar afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Deri në orët e fundit të këtij afati, Lëvizja Vetëvendosje tentoi të sigurojë zgjedhjen e Presidentes përmes kandidates Feride Rushiti, por procesi dështoi për shkak të mungesës së mbështetjes nga partitë opozitare, përcjell albinfo.ch. 

Sipas zhvillimeve në sallë, opozita nuk e mbështeti kandidaturën e propozuar dhe, në disa tentativa radhazi, nuk qëndroi në sallën e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e procedurave dhe votimin.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) propozoi Vjosa Osmanin për Presidente, duke siguruar edhe 15 nënshkrime për kandidaturën e saj. Megjithatë, ky propozim nuk u mor parasysh dhe nuk u fut në procedurë për shqyrtim.

Pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit brenda afatit ligjor, zyrtarisht Kosova tashmë pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat sipas pritjeve do të mbahen pas disa muajsh.

Ky zhvillim e fut vendin në një fazë të re politike, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të caktojnë datën dhe procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve./Albinfo.ch 

Tarifat amerikane godasin projektin 500 milionësh, Corden Pharma tërhiqet nga Muttenz

Kompania farmaceutike amerikane Corden Pharma ka anuluar projektin e saj të madh në zonën Schweizerhalle në Muttenz të Zvicrës, i cili parashihte investime mbi 500 milionë euro dhe krijimin e më shumë se 300 vendeve të punës.

Sipas kompanisë, vendimi është marrë pas një rishikimi strategjik të planeve të saj të investimeve. Si faktor i mundshëm ndikues përmenden edhe tarifat e reja doganore të SHBA-së ndaj produkteve farmaceutike.

Projekti, i prezantuar një vit më parë, parashihte ndërtimin e një fabrike të re për prodhimin e peptideve, substanca që përdoren ndër të tjera në barnat për humbje peshe. Ndërtimi pritej të fillonte në vitin 2025, ndërsa prodhimi në 2028.

Autoritetet e komunës së Muttenz kanë shprehur zhgënjim për vendimin, duke theksuar se projekti do të sillte zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune për rajonin.

Pavarësisht anulimit të këtij projekti, Corden Pharma deklaron se mbetet e përkushtuar ndaj zgjerimit të saj global dhe investimeve në Evropë dhe Zvicër në të ardhmen.

Lozanë: Legalizimi i kanabisit i merr 2 milionë franga tregut të zi

Sipas një raporti të ndërmjetëm të prezantuar nga qyteti i Lozanës, projekti pilot i shitjes së rregulluar të kanabisit Cann-L ka ndikuar ndjeshëm në uljen e tregut të paligjshëm, duke i hequr atij rreth 2 milionë franga zvicerane që nga hapja e pikës së shitjes në vitin 2023.

Ky projekt, i vendosur në qendër të qytetit dhe i nisur dy vite më parë, aktualisht mbulon rreth 20% të konsumit të vlerësuar të kanabisit në kryeqytetin e kantonit Vaud, sipas autoriteteve komunale.

Efekte pozitive në treg dhe shëndet publik

Autoritetet e Lozanës vlerësojnë rezultatet si shumë pozitive. Sipas Emilie Moeschler, anëtare e këshillit komunal përgjegjëse për kohezionin social, projekti jo vetëm që ka reduktuar ndjeshëm tregun ilegal, por gjithashtu kontribuon në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Deri tani, në program janë përfshirë rreth 1,750 persona, të moshave nga 18 deri në 79 vjeç (mesatarisht 36 vjeç). Shumica janë burra (75%), të punësuar (68%) ose në arsim/trajnim (11%). Rreth 72% e tyre kanë përdorur kanabis për më shumë se 10 vjet, ndërsa gjysma e konsumonin pothuajse çdo ditë para se të hynin në program.

Ulje e konsumit dhe produkte me përmbajtje më të ulët THC

Të dhënat tregojnë një ulje graduale të konsumit. Mesatarisht, pjesëmarrësit kanë reduktuar konsumin me rreth 0.2 gramë në muaj, krahasuar me një mesatare fillestare prej 15.8 gramësh në muaj. Po ashtu, është vërejtur edhe ulje e frekuencës së përdorimit.

Produktet e ofruara në Cann-L kanë përmbajtje më të ulët të THC-së krahasuar me tregun e zi: rreth 12.5% për lulet (kundrejt 14.5%) dhe 17.5% për rrëshirën, ndërsa në tregun ilegal kalon 32%.

Përfitime ekonomike dhe zgjatje e projektit

Në aspektin ekonomik, projekti ka gjeneruar mbi 60,000 franga nga TVSH-ja për buxhetin federal në vitin 2025, si dhe rreth 300,000 franga tepricë, të cilat do të përdoren për parandalim dhe kërkime.

Duke u bazuar në këto rezultate, qyteti i Lozanës dhe organizata Addiction Switzerland kanë kërkuar nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) zgjatjen e projektit pilot deri në mesin e vitit 2029.

Cann-L është një nga shtatë projektet pilot në Zvicër dhe dallohet për qasjen e tij në shëndetin publik dhe natyrën jofitimprurëse, duke shërbyer edhe si model për draft-ligjin federal mbi produktet e kanabisit.

Parlamenti zviceran shkurton reformat për përmirësimin e kushteve të punës së personelit infermieror

Parlamenti zviceran ka zbutur disa nga masat kryesore të reformës për përmirësimin e kushteve të punës së infermierëve, të cilat rrjedhin nga iniciativa për kujdesin infermieror e miratuar në vitin 2021. Vendimet u morën gjatë një seance të posaçme të Këshillit Kombëtar të martën.

Deputetët hodhën poshtë propozimin për të ulur javën maksimale të punës për infermierët nga 50 në 45 orë. Ky ndryshim ishte mbështetur nga e majta, Partia e Gjelbër-Liberale (PVL) dhe Këshilli Federal, por u kundërshtua nga shumica parlamentare e qendrës dhe e djathta.

Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, kishte theksuar se kjo masë ishte e rëndësishme për shëndetin e personelit mjekësor dhe nuk do të sillte kosto të mëdha shtesë, por propozimi nuk kaloi.

Nuk rritet pagesa për punën në fundjavë dhe festa

Parlamenti gjithashtu refuzoi përmirësimin e kompensimit për orët e punës gjatë të dielave dhe festave zyrtare. Këto orë do të vazhdojnë të kompensohen me 25% shtesë të pagës, në vend të 50% që kërkohej nga propozimet e reja. Deputetët e djathtë dhe të qendrës argumentuan se rritja e kostove do të shkaktonte vështirësi financiare dhe mungesë personeli.

Paralajmërime për mungesë infermierësh

Deputeti Cyril Aellen (FDP/GE) tha se përfitime më të mëdha do t’i detyronin institucionet të mbajnë të njëjtin nivel shërbimi me më shumë staf, i cili aktualisht nuk ekziston në tregun e punës.

Megjithatë, përfaqësues të së majtës dhe Këshillit Federal paralajmëruan për një përkeqësim të krizës. Deputetja Brigitte Crottaz (PS/VD) deklaroi se deri në vitin 2029 Zvicra mund të përballet me mungesë të dhjetëra mijëra infermierëve, pasi shumë profesionistë po largohen për shkak të lodhjes dhe ngarkesës së lartë.

Përmirësime të pjesshme në organizimin e punës

Pavarësisht shkurtimeve në disa masa, Parlamenti miratoi disa përmirësime organizative:

Puna e paplanifikuar duhet të kompensohet nëse nuk është njoftuar të paktën katër javë më parë (në vend të dy javëve).

Pushimet e kafesë do të llogariten si kohë pune e paguar.

Debat i fortë për kostot e reformës

Çështja e kostove mbeti një nga pikat më të debatueshme. Partia Popullore Zvicerane (UDC) vlerësoi se shpenzimet mund të arrijnë në miliarda, ndërsa Këshilli Federal theksoi se është e pamundur të përcaktohet saktësisht kostoja e reformës.

Sipas autoriteteve federale, mungesa e veprimit do të ishte edhe më e kushtueshme në afatgjatë. Megjithatë, kantonet kritikuan mungesën e qartësisë financiare, pasi shpenzimet shtesë pritet të bien mbi sigurimet shëndetësore, kantonet dhe komunat.

Parlamenti vendosi që të përfshijë dispozita kalimtare për të siguruar financimin deri në hyrjen në fuqi të sistemit të unifikuar të financimit të shërbimeve ambulatore dhe spitalore (EFAS) në vitin 2032. Po ashtu u hodhën poshtë propozime për të ulur presionin mbi primet e sigurimeve shëndetësore.

Debatet vazhdojnë

Reforma nuk është ende e përfunduar. Parlamenti pritet të diskutojë edhe pjesën më të ndjeshme: mënyrën e financimit të saj, ku disa propozime janë ende në tavolinë.

Zvicra shpreh gatishmëri për rol në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, gjatë një vizite në Beograd është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Gjuro Macut.

Sipas autoriteteve zvicerane, diskutimet janë përqendruar në marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe çështje të sigurisë në rajon. Një nga temat kryesore ishte edhe raporti ndërmjet Kosova dhe Serbia.

Parmelin theksoi se stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor mbeten prioritet i politikës së jashtme të Zvicrës. Ai vlerësoi përparimet në ekonomi dhe siguri në rajon, por nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për paqe afatgjatë.

Po ashtu, presidenti zviceran rikonfirmoi se vendi i tij është i gatshëm të kontribuojë dhe të marrë pjesë në procesin e dialogut mes dy vendeve.

Sulmi kibernetik: Nga Neymar te Presidenti i FIFA-s

Një sulm kibernetik me përmasa të paprecedentë ka tronditur botën e futbollit, duke vënë në rrezik të dhëna tepër të ndjeshme të lojtarëve, trajnerëve dhe drejtuesve më të njohur në nivel global.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, përfshirë hetimet e platformave të specializuara në sigurinë digjitale, janë publikuar në rrjet mbi 150 mijë dokumente personale, përfshirë pasaporta dhe dosje konfidenciale.

Në listën e personave të prekur përmenden emra të njohur si Son Heung-min, Lee Kang-in, Mehdi Taremi dhe Neymar Jr, si dhe presidenti i FIFA, Gianni Infantino, transmeton albinfo.ch.

Hetimet e para flasin për një nga shkeljet më serioze të sigurisë kibernetike të regjistruara ndonjëherë në sport. Të dhënat e publikuara në forume të krimit kibernetik përfshijnë informacione shumë të detajuara, si identitete të plota, adresa email-i, kontrata profesionale dhe madje edhe të dhëna bankare. Kjo ngre shqetësime të mëdha për mundësinë e përdorimit të tyre për mashtrime, vjedhje identiteti dhe manipulime financiare.

Sipas raportimeve, materialet e hakuara janë të strukturuara në mënyrë të organizuar, të ndara sipas shteteve dhe të shoqëruara me dosje individuale. Kjo ka shtuar dyshimet se nuk bëhet fjalë për një rrjedhje aksidentale, por për një depërtim të drejtpërdrejtë në sistemet e brendshme të disa organizatave sportive dhe klubeve.

Grupi i njohur si “ShinyHunters” ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke e cilësuar atë si “shkeljen më të madhe në historinë e futbollit”.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se pasojat mund të jenë të gjera, duke prekur jo vetëm individët e përfshirë, por edhe strukturën e sigurisë së futbollit ndërkombëtar në tërësi.

Operohet mesfushori i Kosovës

Skuadra gjermane Fortuna Dusseldorfi ka njoftuar se mesfushori Florent Muslija e ka përfunduar me sukses operimin.

Muslija këputi ligamentin e kryqëzuar në gjurin e djathtë në ndeshjen e Dusseldorfit ndaj Holtein Kielit në fillim të këtij muaji.

“Florent Muslija u operua me sukses në ligamentin e kryqëzuar. Të urojmë shërim të shpejtë nga thellësia e zemrave tona, Mukki”, shkruan në njoftimin e klubit gjerman, transmeton albinfo.ch.

Muslija nuk do të luajë për Kosovën në miqësoret e qershorit dhe pritet të mungojë edhe në ndeshjet e vjeshtës, të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Linjat ajrore po keqpërdorin krizën e karburantit

Linjat ajrore evropiane po përdorin krizën e çmimeve të karburantit për t’i kërkuar Britanisë së Madhe dhe Brukselit të tërhiqen nga një sërë rregullash që industria i kundërshton, përfshirë planet për t’u lejuar pasagjerëve dy bagazhe dore falas në çdo fluturim.

Grupet e lobimit po u kërkojnë politikanëve të heqin dorë nga disa masa që industria i ka kundërshtuar prej vitesh, përfshirë rregullat e reja për bagazhet, pagesat mjedisore dhe ndryshimet në skemat e kompensimit të pasagjerëve, raporton Financial Times.

Ata argumentojnë se këto kërkesa tashmë i vendosin kompanitë ajrore të BE-së dhe Britanisë në disavantazh dhe duhet të tërhiqen për t’i ndihmuar të përballojnë dyfishimin e çmimeve të karburantit për avionë në javët e fundit, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

József Váradi, drejtuesi ekzekutiv i Wizz Air, tha: “Nuk e nisa unë luftën në Iran. Pse duhet t’i mbaj unë pasojat?” Ai tha se qeveritë duhet të pezullojnë rregullat që i detyrojnë linjat ajrore të paguajnë kompensim nëse mungesat e karburantit i pengojnë të fluturojnë, duke shtuar se shumë nga rregullat ndaj industrisë janë politike.

EasyJet ka thënë tashmë se do të regjistrojë humbje më të madhe nga sa pritej në muajt e pranverës. Lufthansa ka anuluar 20 mijë fluturime, duke thënë se kostot më të larta të karburantit do t’i bënin ato të paleverdishme. Edhe Virgin Atlantic tha se do ta kishte të vështirë të dilte me fitim këtë vit.

Çmimet më të larta të karburantit për avionë po godasin linjat ajrore. EasyJet ka thënë tashmë se do të ketë humbje më të madhe nga sa pritej në muajt e pranverës.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht kushte të barabarta loje”, tha një drejtues i lartë i një linje ajrore. “Kriza është thelluar. Këto janë disa nga masat që mund të merren, edhe përkohësisht, për të sjellë lehtësim.”

Ndër ndryshimet më të dukshme, Parlamenti Evropian po shqyrton nëse pasagjerët duhet të lejohen të marrin falas në bord një bagazh të dytë dore më të madh, krahas një çante më të vogël.

Ndërsa disa kompani, si BA, e lejojnë tashmë këtë, transportuesit me kosto të ulët argumentojnë se një rregull i tillë do t’i detyronte të rrisnin çmimet e biletave dhe do të krijonte probleme për modelin e tyre të biznesit, i cili mbështetet te kthimi i shpejtë i avionit në fluturim pas uljes.

“Ne konkurrojmë ndërkombëtarisht”, tha drejtuesi i linjës ajrore. “Nëse SHBA-ja dhe Kanadaja do të zbatonin rregulla të ngjashme për kompensimin dhe bagazhet, do të isha dakord.”

Industria kërkon gjithashtu ndryshime në rregullat për “tankering”, praktikën kur linjat ajrore furnizohen me më shumë karburant në një aeroport ku çmimi është më i ulët, për të shmangur furnizimin në aeroporte ku karburanti kushton më shtrenjtë. Sipas operatorëve, rregullat aktuale i kufizojnë kompanitë që të hyjnë në rajon me karburant më të lirë të marrë më parë, duke rritur kostot e fluturimeve.

Lufthansa ka anuluar 20 mijë fluturime, duke thënë se kostot më të larta të karburantit do t’i bënin ato të paleverdishme. “Pezullimi i përkohshëm i detyrimit kundër tankering, sa më shpejt të jetë e mundur, do të ndihmonte për të sjellë më shumë qartësi ndërsa linjat ajrore përballen me këto rrethana të reja sfiduese”, shkroi Ourania Georgoutsakou, drejtuese e grupit të industrisë Airlines 4 Europe.

“Kanë kaluar më shumë se 50 ditë që nga nisja e konfliktit dhe do të duhen javë që furnizimi të kthehet në normalitet. Na duhen përshtatje të përkohshme të rregullave të BE-së për ta përballuar këtë sfidë.”

Linjat ajrore po lobojnë gjithashtu për ndryshime që do të ulnin koston e kompensimit të pasagjerëve për fluturimet e anuluara, sipas dy personave në dijeni të diskutimeve. Ndryshimet në rregullat për slotet aeroportuale, oraret e caktuara për ngritje dhe ulje në aeroporte të ngarkuara, janë gjithashtu në listën e kërkesave të industrisë. Aktualisht, linjat ajrore duhet t’i përdorin këto slote në një përqindje minimale, përndryshe rrezikojnë t’i humbasin, edhe në periudha kur kërkesa për udhëtime është e dobët.

Qeveria britanike ka njoftuar se do t’u japë linjave ajrore mundësinë të kërkojnë përjashtim nga rregulli i sloteve “përdore ose humbe”, në rastet kur mungesa e karburantit i bën të pamundura fluturimet. Pra, në këto situata të jashtëzakonshme, kompanitë nuk do të detyrohen të kryejnë fluturime vetëm për të ruajtur slotet e tyre dhe nuk do t’i humbasin ato nëse nuk arrijnë të operojnë për shkak të kufizimeve në furnizimin me karburant.

Ajo shtoi se kjo do të thotë se linjat ajrore mund të përqendrohen te minimizimi i ndërprerjeve për pasagjerët, në vend që të ndihen nën presion për të kryer fluturime vetëm për të mbrojtur slotet.

Në Bruksel, politikëbërësit ngurrojnë të rishkruajnë legjislacionin që rregullon industrinë, por vende si Portugalia kanë ngritur shqetësime për efektin e çmimeve të larta të karburantit për avionë te turizmi.

Deri tani, zyrtarët evropianë kanë thënë se janë të gatshëm t’i japin industrisë disa lehtësi, në një sektor që mbështet më shumë se 5 milionë vende pune në rajon, por vetëm përkohësisht.

“Do të lejojmë fleksibilitet për slotet aeroportuale, anti-tankering, detyrimet e shërbimit publik dhe të drejtat e pasagjerëve”, tha javën e kaluar komisioneri për Transportin dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, duke premtuar “ndryshime të përkohshme në legjislacion” nëse situata përkeqësohet.

Megjithatë, Tzitzikostas tha se nuk do t’u kërkonte njerëzve të fluturonin më pak për shkak të krizës. “Në këtë moment nuk ka nevojë të ndërhyjmë në mënyrën si njerëzit jetojnë, punojnë apo udhëtojnë.”

Shqipëri-SHBA nënshkruhet marrëveshja për gazin me vlerë 6 miliardë dollarë

Shqipëria nënshkroi sot Memorandumin për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshjen kuadër 6 miliardë dollarë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë fqinje.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor, transmeton albinfo.ch.

“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera Guilfoyle.

Nga ana e tij kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi se marrëveshja pritet të sjellë një investim të madh në vend, ku Vlora do të kthehet në një pikë kritikë për energjinë elektrike në Evropën Juglindore.

“Menjëherë pas bisedës sonë mjaft të këndshme me Sekretarin për Punët e Brendshme dhe me njerëzit përkatës në Uashington, kemi sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime. Pra, Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën Juglindore. E nuk mundem përveçse të theksoj, rëndësinë e asaj çfarë përmendi ambasadorja Guilfoyle, pra të nevojës sonë të të dyja palëve, të Shqipërisë e të Greqisë, për të forcuar lidhjen tonë dhe për të forcuar bashkëpunimin tonë në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike”, deklaroi Rama.

Sipas tij “Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhës, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve dhe kjo është diçka që vërtetë na bën shumë krenarë dhe na bën të ndihemi shumë të nderuar”.

Gjenevë: Më shumë tramvaje dhe autobusë për verën

Qyteti i Gjenevës po rrit ofertën e transportit publik për sezonin veror, duke shtuar më shumë tramvaje dhe autobusë për të përballuar kërkesën më të madhe gjatë muajve të ngrohtë.

Operatori i transportit publik TPG do të zgjerojë rrjetin e natës edhe në mbrëmjet e së enjtes dhe të premtes, me nisjet e fundit që do të zhvillohen deri rreth orës 03:30 të mëngjesit, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu, linja e njohur “beach line” rikthehet me frekuencë më të lartë dhe me një itinerar të zgjeruar, duke lidhur më mirë zonat pranë liqenit.

Në ditët e diel, do të shtohen edhe shërbimet drejt teleferikut të Salève për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve.

Këto masa synojnë ta bëjnë më të lehtë lëvizjen për banorët dhe vizitorët gjatë verës, sidomos për aktivitete rekreative dhe dalje në natyrë.