Gara për ‘Këpucën e Artë’ drejt fundit: Kane afër triumfit, Muriqi i gjashti

Gara për ‘Këpucën e Artë’ në futbollin evropian po i afrohet fundit dhe tabloja duket gjithnjë e më e qartë: Harry Kane është shumë pranë fitores.

Sulmuesi i Bayern Munich ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Bundesligë, duke shënuar 33 gola dhe grumbulluar 66 pikë, çka e vendos në krye të renditjes me një avantazh të konsiderueshëm ndaj ndjekësve.

Pas tij renditen Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, të dy me nga 24 gola, por diferenca me anglezin mbetet e madhe dhe e vështirë për t’u përmbysur në javët e mbetura.

Në luftën për vendet e para, spikat edhe Igor Thiago i Brentfordit, i cili ka realizuar 22 gola dhe gjendet shumë afër podiumit. Ai po shihet si një nga surprizat më të mëdha të sezonit në Evropë.

Ndërkohë, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi mban vendin e gjashtë në renditje me 42 pikë, pas 21 golave të shënuar. Ai nuk ka arritur të shënojë në tri ndeshjet e fundit, por mbetet mes emrave më të dalluar të këtij sezoni.

Me pak ndeshje deri në fund, fokusi është te sprinti final: Kane duket i pakapshëm në krye, ndërsa gara për podium mbetet e hapur, ku çdo gol mund të ndryshojë renditjen.

Renditja aktuale për Këpucën e Artë:

Harry Kane (Bayern Munich) – 66 pikë

Kylian Mbappé (PSG) – 48

Erling Haaland (Manchester City) – 48

Igor Thiago (Brentford) – 44

Dion Beljo (Dinamo Zagreb) – 43

Vedat Muriqi (Mallorca) – 42

Esteban Lepaul (Rennes) – 38

Ayase Ueda (Feyenoord) – 37,5

Luis Suárez (Sporting CP) – 37,5

Denis Undav (Stuttgart) – 36

Thaçi nga Haga: Procesi po devijon, më është kufizuar zëri dhe liria për të vepruar

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur nga burgu i Hagës në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku ka kritikuar procesin gjyqësor ndaj tij.

Ai tha se po qëndron në izolim prej rreth gjashtë vitesh pa një vendim përfundimtar gjyqësor dhe se, sipas tij, procesi ka dalë nga rruga e drejtësisë që duhet të ndiqte. Thaçi theksoi se drejtësia duhet të jetë qëllimi kryesor, e jo hakmarrja.

Sipas tij, gjykimi duhet të ishte më transparent, më i hapur dhe të respektonte plotësisht të drejtat e njeriut.

“Ky proces ka devijuar dhe duhet të ofrojë drejtësi, jo hakmarrje,” u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka shumë për të shtuar mbi këtë qëndrim.

Ai gjithashtu tha se në kushtet e izolimit ndjen se nuk ka mundësi të shprehet apo të veprojë lirshëm, duke theksuar se “i është mbyllur goja dhe i janë lidhur duart”.

Gjiganti kinez BYD po “pushton” tregun zviceran të veturave elektrike

BYD po fiton terren me shpejtësi në Zvicër. Prodhuesi kinez i veturave elektrike ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme të shitjeve, duke lënë pas edhe rivalin Tesla dhe duke sinjalizuar një zgjerim të fuqishëm në tregun zviceran.

Sipas të dhënave të fundit, BYD ka shitur 555 vetura elektrike vetëm në prill 2026 në Zvicër. Krahasuar me vetëm 14 njësi në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kjo përfaqëson një rritje marramendëse prej 3,864%.

Nga janari deri në prill 2026, kompania kineze ka regjistruar gjithsej 1,349 vetura të shitura, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 kishte vetëm 87.

BYD tejkalon Tesla-n në prill

Rritja e BYD bëhet edhe më domethënëse në krahasim me Tesla-n. Prodhuesi amerikan, i udhëhequr nga Elon Musk, ka shitur 261 vetura në prill 2026, ndërsa në katër muajt e parë të vitit ka arritur në 1,245 njësi – duke shënuar një rënie prej 15% krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, tregu zviceran i veturave mbetet relativisht i qëndrueshëm. Sipas shifrave të Auto Schweiz, në prill janë regjistruar 18,618 vetura të reja, një rënie e lehtë prej 0.2% krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, segmenti i veturave elektrike vazhdon të rritet, me një rritje prej 13.3% për veturat plotësisht elektrike dhe 27% për hibridet plug-in.

Zgjerim i madh në Zvicër

Suksesi i BYD lidhet edhe me zgjerimin e shpejtë të rrjetit të shitjes. Kompania kineze ka hapur së fundmi një pikë të re në Winterthur, në bashkëpunim me Schloss-Garage, një emër i njohur në industrinë e automjeteve në Zvicër.

Aty ku dikur ekspozoheshin modele sportive italiane, sot prezantohen modelet elektrike të BYD si “Seal” dhe “Atto”.

BYD ka plane edhe më ambicioze: deri në vitin 2028 synon të ketë rreth 80 pika shitjeje në të gjithë Zvicrën, duke e forcuar ndjeshëm praninë e saj në treg.

Synim afatgjatë: dominimi i tregut

Vetëm një vit më parë, BYD nisi ofensivën e saj në Zvicër me një event të madh promovues dhe një strategji të pavarur hyrjeje në treg, pa bashkëpunim me rrjete të mëdha tradicionale tregtare.

Deri në fund të vitit 2025, kompania kishte hapur 15 pika shitjeje, ndërsa ritmi aktual i rritjes sugjeron se BYD mund të bëhet një nga lojtarët kryesorë në tregun zviceran të veturave elektrike.

Mes sfidave rajonale, Kurti kërkon mbështetje më të madhe nga BE-ja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan.

Gjatë takimit, palët diskutuan për situatën politike në rajon dhe çështjet e sigurisë në kontekstin e sfidave ndërkombëtare në rritje. Kurti theksoi rëndësinë e harmonizimit me Bashkimi Evropian në përballimin e këtyre sfidave dhe avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Kryeministri në detyrë rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke theksuar progresin e arritur dhe nevojën për një proces të drejtë, të bazuar në meritë.

Në takim u trajtuan edhe zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, e cila u vlerësua si një hap pozitiv për zhvillimet e mëtejshme.

Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kurti ngriti shqetësime për pasivizimin e adresave dhe mungesën e mbështetjes financiare për këto zona.

Takimi u zhvillua në frymë konstruktive, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe komunikimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ushtria zvicerane merr pjesë në stërvitjen e NATO-s në Greqi

Si pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Zvicra po merr pjesë në stërvitjen shumëkombëshe ‘Tiger Meet’.

Forcat Ajrore Zvicerane përfaqësohen në Araxos (Greqi) nga pesë avionë luftarakë F/A-18.

Nga 4 deri më 15 maj, Zvicra do t’u bashkohet 12 skuadriljeve nga nëntë vende, njoftoi qeveria në një njoftim për shtyp të hënën.

Qëllimi i stërvitjes, e cila do të zhvillohet në skenarë realistë, është të krahasojë dhe përmirësojë aftësitë ushtarake të forcave të ndryshme, shkruan swissinfo. Qëllimi është gjithashtu të përmirësojë “aftësitë mbrojtëse transnacionale dhe të zhvillojë ndërveprimin midis NATO-s dhe vendeve partnere”, transmeton albinfo.ch.

Priten më shumë se 50 avionë luftarakë dhe 1,500 pjesëmarrës.

Policia e Kosovës ndalon garat ilegale në autostradë, sekuestron 4 vetura

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit për parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë, ka ndërmarrë aksione gjatë javës së fundit.

Bëhet e ditur se vetëm brenda një jave janë parandaluar tri raste të garave ilegale në autostradë, ku janë shqiptuar masa dhe gjoba ndaj shoferëve të përfshirë, transmeton albinfo.ch.

Tutje, sipas njoftimit janë sekuestruar edhe automjete të dyshuara për modifikime teknike. Në njoftim thuhet: “gjatë vikendit janë sekuestruar përkohësisht 4 automjete të dyshuara për modifikim në sistemin e tërheqjes”, të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të jashtëzakonshëm.

Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë rrugore, duke raportuar rastet e tilla dhe duke mos u përfshirë në gara ilegale.

Ndërrimi i banesës në Zvicër mund të rrisë qiranë deri në 50%

Tregu i banesave në Zvicër po tregon një hendek gjithnjë e më të madh mes qirave ekzistuese dhe atyre të reja, duke e bërë zhvendosjen shumë më të kushtueshme për qiramarrësit.

Sipas një studimi të publikuar nga Wüest Partner, qiratë për banesat e reja janë rritur me 17% nga viti 2016 deri në 2025, ndërsa për kontratat ekzistuese rritja ka qenë vetëm 5%, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Diferenca të mëdha sipas rajoneve

Në disa kantone, kjo diferencë është shumë më e theksuar:

Në Gjenevë, qiratë e reja janë mbi 50% më të larta se ato ekzistuese

Në Zug, diferenca arrin rreth 38%

Ndërsa në Cyrih, rreth 20% më shumë

Pse ndodh kjo?

Ekspertët shpjegojnë se qiratë ekzistuese rriten më ngadalë për shkak të rregullimeve ligjore dhe kufizimeve në rritjen e çmimeve për kontratat aktive. Ndërkohë, kur një banesë del sërish në treg, pronarët mund të vendosin çmime më të larta sipas kërkesës aktuale.

Çfarë do të thotë për qiramarrësit?

Kjo situatë krijon një realitet të ri në treg:

qiramarrësit kanë më pak motivim për të lëvizur

ata që detyrohen të ndryshojnë banesë përballen me rritje të mëdha kostosh

presioni mbi tregun e banesave vazhdon të rritet

Në përfundim, studimi tregon se në Zvicër, lëvizja nga një banesë në tjetrën mund të jetë shumë e kushtueshme, sidomos në qytetet dhe kantonet me kërkesë të lartë, ku diferencat në qira janë më të theksuara se kurrë.

Kancelari gjerman reagon për marrëdhëniet me SHBA-në

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka konfirmuar se raketat e tipit “Tomahawk”, të premtuara nga presidenti i mëparshëm amerikan Joe Biden në vitin 2024, të paktën për momentin nuk do të stacionohen në Gjermani. “Amerikanët aktualisht nuk kanë mjaftueshëm vetë”, tha Merz në emisionin e ARD-së Caren Miosga të dielën (04.05.). “Objektivisht, nga SHBA-të pothuajse nuk ka mundësi të dorëzohen sisteme armësh të këtij lloji.” Njëkohësisht ai theksoi në intervistë për televizionin ARD, “Caren Miosga”, se “procesi nuk ka përfunduar.”

Raketat me rreze të mesme veprimi “Tomahawk”, të cilat kanë rreze veprimi deri në Rusi, duhej të forconin aftësinë parandaluese të Gjermanisë, derisa Evropa të zhvillojë vetë raketa të tilla. Në lidhje me pjesëmarrjen bërthamore të SHBA-së në Gjermani, Merz shtoi në emisionin e ARD‑së se “nuk ka absolutisht asnjë zbritje.” “Nuk ka asnjë kufizim të angazhimit amerikan për parandalimin bërthamor të territorit të NATO-s. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, në asnjë moment,” tha ai, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu kancelari Merz nuk e quajti “të ri” vendimin për tërheqjen e më shumë se 5.000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania, të shpallur të premten nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Sipas tij, bëhet fjalë për një kontingjent që paraardhësi i Trumpit, Biden, e kishte stacionuar përkohësisht dhe për tërheqjen e të cilit prej kohësh ishte diskutuar. “Ndoshta është pak e ekzagjeruar, por nuk është diçka e re,” tha Merz.

“Asnjë lidhje” me deklaratat për luftën në Iran

Merz mohoi një lidhje të drejtpërdrejtë midis njoftimeve të Trumpit dhe deklaratave të tij kritike për luftën në Iran: “Nuk ka asnjë lidhje.” Ai njëkohësisht ritheksoi kritikat e tij ndaj strategjisë amerikane për Iranin dhe mbrojti deklaratën sipas së cilës Irani i ka “poshtëruar” SHBA‑të. Këtë deklaratë Merz e shprehu para nxënësve të hënën e kaluar në Gjermani, duke zemëruar Donald Trump, i cili reagoi ashpër në rrjetin e tij Truth Social.

Për ARD, Merz tha se ai nuk heq dorë nga angazhimi për marrëdhëniet transatlantike: “Nuk heq dorë nga bashkëpunimi me Donald Trump”, theksoi Merz dhe se duhet të pranojë që presidenti amerikan ka një mendim tjetër. “Por kjo nuk ndryshon faktin se bindja ime mbetet e njëjtë: amerikanët janë për ne partnerët më të rëndësishëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut,” theksoi Merz.

Durrës: Fëmija i tretë i aksidentuar jashtë rrezikut për jetë

I mituri, i cili u plagos rëndë nga përplasja me makinë ditën e djeshme në zonën e Ish Kënetës në Durrës, është jashtë rrezikut të jetën.

Fëmija u dërgua të dielën në Spitalin e Traumës, pasi kishte marrë dëmtime të rënda, transmeton albinfo.ch.

Burime bëjnë me dije se 8-vjeçari pritet të kalojë në pavion, jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë do të vijojë të ndiqet në Spitalin e Traumës, SUT, për trajtimin e dëmtimeve të marra nga aksidenti.

Varrosen sot

Një aksident tragjik u regjistrua të dielën në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, ku dy fëmijë u përplasën për vdekje nga automjeti i drejtuar nga Nikoll Radaçi, i cili rezultoi se ishte i dehur.

Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, raporton se sot do përcillen për në banesën e fundit dy të miturit, 9 dhe 12 vjeç.

Si ndodhi ngjarja?

Katër fëmijë kanë qenë duke luajtur në trotuar, kur një automjet i drejtuar nga Nikoll Radaçi ka humbur kontrollin dhe ka përplasur tre prej tyre.

Si pasojë e përplasjes, dy të mitur , të moshës 10 vjeç, kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, nën kujdesin e mjekëve. Njëri prej fëmijëve ka shpëtuar pa lëndime.

Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i aksidentit menjëherë pas ngjarjes, duke braktisur automjetin, por është arrestuar më vonë nga policia.

Shoferi i dehur

Pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve ditën e djeshme në Durrës, ka ardhur reagimi nga Policia e Shtetit.

Në njoftimin zyrtar, policia e Durrësit thekson se shoferi ishte i dehur pas kryerjes së testit të alkoolit, ndërsa shkak i aksidentit është bërë humbja e kontrollit mbi mjetin.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Lufthansa zgjat pezullimin e fluturimeve drejt Tel Avivit deri në qershor

Kompania ajrore gjermane Lufthansa ka njoftuar se do të vazhdojë pezullimin e fluturimeve drejt dhe nga Tel Avivi edhe gjatë muajit qershor.

Shumë kompani ajrore ndërkombëtare kanë ndërprerë fluturimet për në Aeroportin Ben Gurion pranë Tel Avivit pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit. Që atëherë, pezullimet janë zgjatur disa herë për arsye sigurie.

Air France ka shtyrë rifillimin e linjës Paris–Tel Aviv deri më 10 maj, ndërsa disa kompani të tjera evropiane po tregojnë kujdes të ngjashëm. Në të njëjtën kohë, Etihad Airways ka rifilluar fluturimet mes Abu Dhabit dhe Tel Avivit me dy fluturime në ditë.

Sipas mediave izraelite, kompania çeke Smartwings planifikon të rifillojë fluturimet javore nga mesi i majit, ndërsa Wizz Air ka bërë të ditur se pezullimi i saj do të zgjasë të paktën deri më 4 maj.

Situata në rajon u tensionua pas sulmeve të nisura në fund të shkurtit, ndërsa më vonë u arrit një armëpushim i përkohshëm përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar, por pa një marrëveshje përfundimtare paqeje.

Farmacitë në Zvicër trajnohen për të identifikuar dhunën në familje

Farmacitë në rajonin e Bazelit po përfshihen gjithnjë e më shumë në luftën kundër dhunës në familje, duke trajnuar stafin e tyre për të njohur shenjat e mundshme të abuzimit dhe për të ndihmuar viktimat.

Përmes trajnimeve online, punonjësit mësojnë si të dallojnë edhe sinjalet më të fshehta të dhunës, pasi viktimat shpesh nuk flasin hapur për përjetimet e tyre. Farmacistët theksojnë se për shkak të qasjes së lehtë dhe marrëdhënies së besimit me klientët, farmacitë mund të luajnë rol kyç në identifikimin e rasteve.

Statistikat e fundit tregojnë rritje të rasteve të dhunës dhe vrasjeve në familje në Zvicër, përfshirë edhe femicidet. Në vitin 2025 janë regjistruar 34 vrasje në kontekst familjar, më shumë se 26 një vit më parë.

Trajnimi i stafit synon që, përveç ofrimit të barnave, farmacitë të japin edhe informacion për qendrat e ndihmës dhe shërbimet mbështetëse për viktimat.

Ekspertët theksojnë se ky angazhim është në përputhje me Konventën e Stambollit, e cila kërkon rritjen e rolit të profesionistëve në parandalimin e dhunës dhe çmontimin e stereotipeve që fajësojnë viktimat, transmeton albinfo.ch.

Eksperienca nga rajone të tjera tregon se trajnimi ka ndihmuar në zbulimin e rasteve të fshehura, ku viktimat shpesh kanë treguar për herë të parë për dhunën vetëm pas ndërhyrjes së farmacistëve.

Klubi suedez i femrave triumfon në Evropë në Champions League, dy shqiptarë në krye të suksesit historik të ekipit

Skuadra e femrave e BK Häcken ka shkruar histori duke fituar UEFA Women’s Europa Cup 2026, duke siguruar trofeun e parë ndërkombëtar në historinë e klubit.

Në pamjet e publikuara nga klubi, lojtaret dhe stafi shfaqen duke festuar me trofeun, mes emocioneve dhe entuziazmit të madh. Fitorja u cilësua si rezultat i punës së përbashkët jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm të stafit teknik dhe organizativ, transmeton albinfo.ch.

Trajnerja kryesore, Elena Sadiku, ka qenë një nga figurat kyçe në këtë sukses, e mbështetur nga stafi i saj, përfshirë trajnerin ndihmës Vigan Berbatovci.

Përveç trofeut, kjo fitore i siguron ekipit suedez një vend të drejtpërdrejtë në fazën e ligës së **UEFA Women’s Champions League për sezonin e ardhshëm, pa kaluar nëpër fazat kualifikuese.

Ndërkohë, edhe Ambasada e Kosovës në Suedi ka reaguar për këtë sukses, duke e cilësuar si një histori frymëzuese që meriton vëmendje. Sipas tyre, trajnerja Elena Sadiku – me origjinë nga Kosova – po shkruan histori në futbollin evropian. Ata theksuan se nën drejtimin e saj, BK Häcken arriti një fitore të rëndësishme në finale ndaj Hammarby IF me rezultat të përgjithshëm 4–2.

Sadiku e përshkroi këtë moment si “një ëndërr që po bëhet realitet”, duke nënvizuar emocionet dhe përkushtimin pas këtij suksesi, ndërsa vlerësoi veçanërisht karakterin dhe forcën e ekipit në momentet vendimtare.

Ky sukses vendos në fokus jo vetëm një arritje të rëndësishme për futbollin suedez, por edhe kontributin e një trajnereje me rrënjë nga Kosova në arenën ndërkombëtare.

SMS Blaster, një mjet i ri mashtrimi aq i thjeshtë sa edhe efektiv, po përhapet në Zvicër

SMS Blaster, një pajisje diskrete celulare që dërgon mesazhe të rreme SMS në masë, po përhapet në të gjithë Zvicrën. Pas rasteve të listuara në kantonet e Gjenevës dhe Vaud vitin e kaluar, ky mjet mashtrimi kibernetik po arrin në disa rajone të tjera.

Procesi i këtij mashtrimi kibernetik është i thjeshtë: një person kalon disa herë me makinë një qendër qyteti të gjallë. Në bagazhin e tij është një pajisje diskrete, një transmetues automatik SMS. Dhe falë kësaj pajisjeje, mashtruesi dërgon SMS mashtruese në masë në të gjithë telefonat inteligjentë aty pranë, pa pasur nevojë të dijë numrin e tyre të telefonit.

Mesazhi sinjalizon, për shembull, një gjobë parkimi prej 40 frangash, që duhet të paguhet shpejt nën dënimin e dyfishimit të shumës së saj. Pastaj shfaqet një lidhje. Ai ridrejton në një faqe interneti që çuditërisht i ngjan një platforme zyrtare pagese gjobash, duke përfshirë një formular për t’u plotësuar.

Dëme prej disa milionësh

Ky lloj sulmi ndodhi verën e kaluar në Gjenevë, ku zyra e prokurorit regjistroi 154 viktima. Shuma totale e dëmit arrin në gati dy milionë franga. Kantoni i Vaud u prek gjithashtu. Rreth dyzet persona kanë humbur gjithsej 260,000 franga, sipas programit të mbrojtjes së konsumatorit të SRF Kassensturz.

Kantonet e Gjenevës dhe Vaud nuk janë raste të izoluara. Forcat policore kantonale të Cyrihut, Lucernës, Zug dhe Ticino kanë konfirmuar përdorimin e transmetuesve automatikë të SMS-ve në territorin e tyre. Megjithatë, ato nuk japin asnjë detaj, pasi disa autoritete kanë mbajtur sekret më shumë informacion për arsye hetimore. Një rast u raportua gjithashtu në kantonin Basel-Ville dhe një tjetër në Basel-Campagne, transmeton albinfo.ch.

Rreziku i abuzimit është i lartë, veçanërisht në zonat me trafik të lartë, shpjegon Marc Ruef, një ekspert i sigurisë kibernetike, për mikrofonin e SRF: “Këto pajisje tërheqin mashtrues sepse mund të përdoren pa kaluar nëpër rrjetin e telekomunikacionit.”

Brenda një dite të vetme, u prekën 100,000 telefona inteligjentë

Policia e Basel-Campagne i paraqiti publikut për herë të parë, në programin Kassensturz, një transmetues SMS të konfiskuar. Avioni i përkiste një individi i cili, vjeshtën e kaluar, qarkullonte në rajonin e dendur të populluar midis Muttenz dhe Bazelit. Ai dërgoi mesazhe mashtruese me tekst, disa prej të cilave imitonin Migros.

Specialistët e krimit kibernetik e kanë shqyrtuar këtë pajisje. Ajo ishte e lidhur me një bateri makine dhe kontrollohej nga një aplikacion. Autori i dyshuar do të kishte prekur rreth 100,000 telefona inteligjentë në një ditë të vetme. Megjithatë, nuk u raportua asnjë dëm financiar.

Një sfidë e madhe për hetuesit

Këto pajisje janë të vështira për policinë t’i gjejë. Autorët veprojnë në mënyrë mobile dhe afatshkurtër, shpjegon Lukas Wunderlin, kreu i krimit kibernetik në policinë e Bazelit-Campagne. Megjithatë, agjenti shpjegon se një dërgues SMS keqdashës “lë shumë gjurmë elektronike”.

Një shtetas kinez u arrestua. Policia nuk donte të komentonte mbi detajet e arrestimit. Hetimi vazhdon, por “elementet e para sugjerojnë se ai ishte pjesë e një rrjeti”, tha policia e Bazelit për SRF.

Zvicra kërkon alternativa për mbrojtjen ajrore – përtej sistemit Patriot

Qeveria zvicerane po shqyrton mundësinë e blerjes së një sistemi të ri të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë, për të plotësuar ose zëvendësuar pjesërisht sistemin amerikan Patriot.

Sipas raportimit të fundit nga Swissinfo, autoritetet kanë nisur mbledhjen e informacioneve nga katër shtete – Gjermania, Franca, Izraeli dhe Koreja e Jugut, si dhe nga disa prodhues të armëve, për të analizuar opsionet më të mira, transmeton albinfo.ch.

Pse po kërkohen alternativa?

Arsyeja kryesore lidhet me vonesat e mëdha në dorëzimin e sistemit Patriot nga SHBA, i cili pritet të arrijë 4–5 vite më vonë se planifikuar.

Kjo ka krijuar një boshllëk serioz në kapacitetet mbrojtëse të Zvicrës, sidomos në një kohë kur:

rreziku nga armët me rreze të gjatë është rritur në Evropë

luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme kanë ndryshuar realitetin e sigurisë

Çfarë po kërkon Zvicra?

Autoritetet janë fokusuar në disa kritere kryesore:

kohën e dorëzimit (sa shpejt mund të vihet në funksion sistemi)

koston

performancën teknike

dhe pjesëmarrjen e prodhimit në Evropë, idealisht edhe në Zvicër

Një nga objektivat strategjikë është edhe ulja e varësisë nga SHBA, duke diversifikuar furnizimin me sisteme mbrojtëse.

Alternativat e mundshme

Ndër opsionet që po diskutohen në mënyrë jozyrtare është edhe sistemi evropian SAMP/T, i zhvilluar nga Franca dhe Italia, i cili konsiderohet si një nga alternativat kryesore ndaj Patriot dhe mund të dorëzohet më shpejt.

Çfarë pritet më tej?

Procesi aktual është vetëm në fazën e mbledhjes së informacionit, dhe nuk përbën ende një ofertë konkrete apo vendim përfundimtar. Autoritetet pritet të kenë një pasqyrë më të qartë deri në fund të majit.

OKB alarmon: mbi 10 mijë sulme ndaj klinikave dhe punonjësve humanitarë në 10 vite

Sulmet ndaj objekteve shëndetësore dhe personelit humanitar po rriten ndjeshëm në mbarë botën, duke u kthyer në një fenomen alarmues për komunitetin ndërkombëtar.

Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe OKB, janë regjistruar gati 10,000 sulme ndaj klinikave dhe punonjësve shëndetësorë në pak më shumë se një dekadë.

Këto të dhëna janë publikuar në kuadër të 10-vjetorit të një rezolute të OKB-së që synon mbrojtjen e personelit mjekësor në zonat e konfliktit, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Mijëra viktima dhe të plagosur

Raporti tregon pasoja të rënda:

rreth 5,200 punonjës shëndetësorë janë vrarë

afro 8,000 janë plagosur

rastet janë regjistruar në të paktën 26 vende dhe territore

Ekspertët theksojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi shumë vende nuk kanë kapacitete për të dokumentuar të gjitha incidentet.

Sulmet po bëhen “normë”

Organizatat humanitare paralajmërojnë se situata është përkeqësuar vitet e fundit.

Sipas përfaqësuesve të International Committee of the Red Cross dhe Médecins Sans Frontières, ajo që dikur konsiderohej rast i rrallë, tani po bëhet gjithnjë e më e zakonshme.

Një zyrtar i ICRC theksoi se shtetet kanë dështuar të përmbushin detyrimet për mbrojtjen e personelit mjekësor, ndërsa MSF raportoi një rritje të fortë të sulmeve sidomos në dy vitet e fundit.

Rritje e ndjeshme në vitet e fundit

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 1,400 sulme, ndërsa numri i viktimave ka arritur në afro 2,000 persona, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë.

Sulmet përfshijnë:

bombardime të spitaleve

sulme ndaj ambulancave dhe personelit

incidente ku objektet mjekësore goditen si “dëm kolateral” në luftë

10 vjet nga pranimi i Kosovës në UEFA

Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime në kongresin e UEFA-s në Budapest, më 3 maj 2016, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota, duke u bërë kështu anëtarja e 55-të e kësaj organizate evropiane të futbollit, transmeton albinfo.ch.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili ishte i pranishëm në kongresin e UEFA-s, anëtarësimin e Kosovës në UEFA e cilësoi një arritje historike dhe një drejtësi të vonuar.

“Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritur e jashtëzakonshme. Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahjes që i dhanë kuvendit disa shtete. Megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA dhe tash është radha të anëtarësohemi në kongresin e FIFA-as në Meksikë që zhvillohet javën e ardhshme. Edhe në këtë kuvend, pranimi i Kosovës ose jo është në rend dite. Pra kjo është një fitore e të gjithëve”, pati thënë Vokrri.

Anëtarësimi në UEFA iu mundësoi ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit. Po ashtu, kjo i hapi rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, në Meksiko Siti, në kongresin e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2016.

Tuberkulozi në Zvicër: rreth 550 raste në vit – çfarë duhet të dini

Sipas të dhënave më të fundit, në Zvicër regjistrohen rreth 550 raste të tuberkulozit çdo vit, duke treguar se sëmundja nuk është zhdukur plotësisht, transmeton albinfo.ch.

Çfarë është tuberkulozi?

Tuberkulozi është një sëmundje infektive bakteriale që zakonisht prek mushkëritë dhe transmetohet përmes ajrit, kur një person i infektuar kollitet ose teshtin.

Kush preket më shumë?

Shumica e rasteve në Zvicër ndodhin tek persona të lindur jashtë vendit, sidomos nga rajone ku sëmundja është më e përhapur

Tek popullsia vendase, më shpesh preken personat e moshuar që mund të jenë infektuar më herët në jetë

Në rrezik më të lartë janë edhe fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobët

Simptomat kryesore

Tuberkulozi mund të mos shfaqë simptoma në fazat e hershme, por më pas mund të përfshijë:

kollë të vazhdueshme (ndonjëherë me gjak)

temperaturë dhe djersitje natën

humbje peshe dhe lodhje

A është i rrezikshëm?

Po – nëse nuk trajtohet, tuberkulozi mund të jetë fatal. Megjithatë, ai trajtohet me sukses me antibiotikë për disa muaj në shumicën e rasteve.

Situata në Zvicër

Edhe pse incidenca është e ulët (rreth 5.4 raste për 100,000 banorë), autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se sëmundja vazhdon të ekzistojë dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm.

 

 

Si po reagon Gjermania pas vendimit për tërheqjen e 5,000 trupave amerikane

5,000 trupa amerikane do të tërhiqen nga Gjermania, ku janë të stacionura në kuadër të NATO-s. Siç është njohtuar tashmë, kjo u urdhërua nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth, sipas departamentit të tij, siç raportohet nga CBS News dhe media të tjera amerikane.

Tërheqja pritet të përfundojë brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajsh, deklaroi më tej Departamenti i Mbrojtjes, transmeton albinfo.ch. Presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte kërcënur me një tërheqje disa ditë më parë pas një komenti të kancelarit gjerman Friedrich Merz në lidhje me Iranin.

Megjithatë, Trump kishte kërcënuar tashmë disa herë me një tërheqje të trupave amerikane nga Gjermania gjatë mandatit të tij të parë. Aktualisht, afërsisht 36,400 trupa amerikane janë të stacionuara në Gjermani.

“Tërheqja e trupave amerikane ishte e parashikueshme”

Gjermania po reagon ndaj tërheqjes së njoftuar të 5,000 trupave amerikane. Prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interes si të Gjermanisë ashtu edhe të SHBA-së, tha Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius për Agjencinë Gjermane të Shtypit (dpa).

Që SHBA të tërhiqte trupat nga Evropa, përfshirë Gjermaninë, ishte e parashikueshme. Ministri gjerman i Mbrojtjes theksoi gjithashtu, megjithatë, se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Gjermania është në rrugën e duhur, sipas Pistorius. Bundeswehr (Forcat e Armatosura Gjermane) po rritet. Pajisjet ushtarake po sigurohen më shpejt dhe infrastruktura po zhvillohet.

 

Kërkohet 13-vjeçari Eduart Arifi në Radolfzell të Gjermanisë

Autoritetet në Radolfzell të Gjermanisë janë vënë në kërkim të 13-vjeçarit Eduart Arifi, i cili është raportuar i zhdukur që nga mëngjesi i sotëm në vendbanimin e tij, përcjell albinfo.ch.

Sipas familjes, Eduarti është parë për herë të fundit në orët e para të ditës dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer në shtëpi. Ai vuan nga autizmi dhe ADHD, gjë që e bën situatën edhe më shqetësuese për familjarët dhe autoritetet.

Në momentin e zhdukjes, ai ka qenë i veshur me një xhaketë varsity me ngjyrë bardh e zi, me shkronjën “N”, si në fotografinë e shpërndarë nga familja.

Policia lokale në Radolfzell ka nisur kërkimet intensive në zonë, ndërsa familja u ka bërë apel qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion të mundshëm që mund të çojë në gjetjen e tij.

Për çdo informacion të dobishëm, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Radolfzell ose babain e tij në numrin: +49 178 2057076.

Familja kërkon ndihmën e publikut dhe lutet që çdo shikim apo informacion të raportohet menjëherë tek autoritetet./Albinfo.ch

“United FestivAlb” bashkon diasporën shqiptare në Nju-Jork

Në zemër të Nju-Jorkut, më 16 dhe 17 maj 2026, do të mbahet festivali “United FestivAlb”, një nga ngjarjet më të mëdha që synon të bashkojë diasporën shqiptare në Amerikën e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Me pjesëmarrjen e 23 artistëve shqiptarë dhe nën prezantimin e Alketa Vejsiut, festivali pritet të mbledhë mijëra shqiptarë nga shtete të ndryshme të SHBA-së dhe Kanadaja, duke u shndërruar në një simbol të unitetit, kulturës dhe krenarisë kombëtare.

Organizatorët theksojnë se “United FestivAlb” shkon përtej muzikës, duke synuar të lidhë brezat dhe të promovojë identitetin shqiptar në një skenë ndërkombëtare./Albinfo.ch

“Dy Emra / Two Names”, filmi nga Toronto që sfidon heshtjen mbi lirinë e gruas shqiptare

Nga rrugët e Torontos vjen filmi i shkurtër “Dy Emra / Two Names”, një rrëfim i fuqishëm që shkon përtej historisë së emigrimit dhe prek plagë të thella shoqërore, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të filmit është historia e një gruaje shqiptare në Kanada, e cila përballet me presionin e bashkëshortit për të abortuar. Përmes kësaj dileme, filmi trajton luftën e heshtur të një gruaje për të mbrojtur fëmijën dhe veten, duke vënë në pah konfliktin mes traditës, mbijetesës dhe lirisë personale.

“Dy Emra” guxon të prekë tema të ndjeshme si autonomia e gruas dhe identiteti interseks, duke sfiduar normat patriarkale dhe duke hapur debat mbi kufijtë e sakrificës dhe të drejtën për vendimmarrje.

Filmi është produksion i Action Production, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke krijuar një bashkëpunim mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kanadasë.

Projekti realizohet nga një ekip i njohur artistësh:

Regjia dhe skenari nga Florenc Papas, producente Gerta Qurku, drejtor fotografie Ilias Adamis, ndërsa në rolet kryesore shfaqen Rina Krasniqi dhe Afrim Muçaj.

Pavarësisht se ngjarja zhvillohet në emigrim, mesazhi i filmit është universal, duke shërbyer si thirrje për reflektim dhe dialog mbi të drejtat gjinore dhe integritetin njerëzor./Albinfo.ch

Njihuni me Flamur Ademin, talentin shqiptar që i bashkohet St. Gallen U15

Flamur Ademi, është përzgjedhur si pjesë e skuadrës së njohur zvicerane St. Gallen U15, pasi në një konkurrencë me rreth 200 fëmijë, ai u rendit në mesin e 22 futbollistëve më të talentuar, transmeton albinfo.ch.

Flamuri ka lindur më 21 dhjetor 2012 dhe futbollin e nisi që në moshën 6-vjeçare në Kreuzlingen. Ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, ndërsa talenti i tij u dallua shpejt nga trajnerët, duke e çuar më pas në zhvillim profesional edhe në Burglen.

 

 

Me përkushtim dhe stërvitje intensive, përfshirë edhe punë shtesë me trajner të posaçëm, Flamuri tashmë ka arritur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Si çdo i ri, edhe ai ka ëndrra të mëdha: një ditë synon të vesh fanellën e klubeve si Bayern Munich dhe AC Milan, ndërsa idhujt e tij janë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo./Albinfo.ch