Trajnohen telepilotët e dronëve në Kosovë në kuadër të projektit evropian HAPE

Projekti evropian HAPE ka përfshirë një komponent të veçantë për trajnimin e telepilotëve të dronëve në Kosova, me qëllim rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, transmeton albinfo.ch.

Programi është realizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Ambasada e Francës në Kosovë dhe operatorit CIVIPOL, ndërsa kësaj iniciative i është shtuar edhe një cikël i veçantë për trajnimin e instruktorëve.

Gjatë gjashtë javëve të fundit, dy ekspertë francezë nga Akademia e Policisë në Lognes kanë zhvilluar një trajnim intensiv për pjesëmarrësit në Kosovë.

Si rezultat i këtij programi, gjithsej 14 telepilotë janë trajnuar, ndërsa 6 prej tyre janë certifikuar edhe si instruktorë, duke krijuar kështu bazën për trajnime të mëtejshme në vend.

Këto aftësi të reja pritet të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të policisë dhe doganave, veçanërisht në përdorimin e teknologjisë së dronëve për monitorim dhe luftë kundër aktiviteteve të paligjshme.

Sipas organizatorëve, një mision i ri është planifikuar të zhvillohet gjatë kësaj vjeshte, me synim konsolidimin e njohurive të fituara dhe vlerësimin e cilësisë së trajnimit të realizuar deri më tani./Albinfo.ch

22 parti dhe 3 koalicione garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosova

Gjithsej 22 parti politike dhe tri koalicione janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor në Kosova, përcjell albinfo.ch.

Afati për regjistrimin e pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe për formimin e koalicioneve në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është mbyllur më 7 maj në orën 24:00. Ky obligim ka vlejtur për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive të regjistruara në Kosovë.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit janë pranuar njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, ndërsa janë formuar edhe tri koalicione të përbëra nga nëntë parti politike. Ndërkohë, nëntë parti kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, së bashku me një sërë partish të komuniteteve joshumicë.

Ndërkohë, sipas KQZ-së, janë njoftuar edhe tri koalicione politike: koalicioni mes Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); koalicioni mes Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar); si dhe koalicioni i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.

Në anën tjetër, disa parti politike kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje, ndër të cilat edhe Aleanca Kosova e Re, Nisma Socialdemokrate dhe Partia e Drejtësisë.

Sipas KQZ-së, procesi i njoftimit për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje dhe formimi i koalicioneve është i ndarë nga procesi i aplikimit për certifikimin e subjekteve të reja politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se afati për aplikim për certifikimin e subjekteve të reja politike – përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.

Ndërkohë, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike do të jetë i hapur deri më 12 maj 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa procesi i certifikimit zbatohet vetëm për subjektet e reja politike./Albinfo.ch

Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka adresuar një mesazh për diasporën kosovare para procesit zgjedhor të 7 qershorit, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në votim, por të mos e mbështesin kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë gjatë një emisioni televiziv të Kosovës, Gjini u shpreh se vota e diasporës është e rëndësishme për të ardhmen e vendit, por u kërkoi atyre të ndryshojnë qëndrimin politik.

“Vëllezër e motra të diasporës, votoni se Kosova është edhe e juaja sa është edhe e jona, por mos e votoni Albin Kurtin se jeni duke na marrë në qafë”, deklaroi Gjini.

Ai shtoi se bashkatdhetarët duhet të rishqyrtojnë vendimin e tyre, duke theksuar se, sipas tij, Kurti nuk është politikani më i mirë për Kosovën.

“Ndërroni mendje se nuk është Albin Kurti politikani më i mirë në Kosovë, nuk është më i mençuri, nuk është Albin Kurti ai që e do Kosovën më shumë se askush tjetër e as më shumë se ju”, u shpreh Gjini./Albinfo.ch

Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mbledh mijëra shqiptarë në Bronx

Më 3 maj 2026, rrugët “Crescent Avenue” dhe “Arthur Avenue” në Bronx u shndërruan në një hapësirë festive ku historia, kultura dhe bashkësia shqiptare u bashkuan në një manifestim të veçantë. Mbi 5 mijë shqiptarë nga e gjithë zona tre-shtetërore morën pjesë në Panairin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili u organizua për të pestin vit radhazi në lagjen e njohur “Little Italy”, përcjell albinfo.ch.

Eventi u organizua nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Duarve të Hapura (AAOHA) në bashkëpunim me ish-këshilltarin Mark Gjonaj dhe organizatën “Belmont Business Improvement District”. Panairi synon të nderojë figurën e heroit kombëtar shqiptar, i cili shekuj më parë udhëhoqi rezistencën kundër Perandorisë Osmane dhe mbrojti Europën, ndërsa sot mbetet simbol bashkimi për shqiptarët kudo në botë.

Që nga ora 12:00 e ditës, lagjja historike u mbush me simbolet kombëtare shqiptare. Flamuj kuq e zi dhe flamuj amerikanë valëviteshin krah për krah në të dy anët e rrugës, ndërsa postera gjigantë të Skënderbeut zbukuronin fasadat e ndërtesave. Një flamur i madh shqiptar mbulonte madje edhe një ndërtesë të tërë, duke krijuar një atmosferë festive dhe krenarie kombëtare.

Panairi u shndërrua në një pikë takimi për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke ofruar një hapësirë ku tradita, identiteti dhe solidariteti i diasporës u shfaqën në mënyrë të gjallë në zemër të Bronxit./Albinfo.ch

Shqipëria zhvillon provën e parë në Eurovision me performancë emocionale për këngën “Nan”

Shqipëria ka realizuar provën e parë skenike në Eurovision, duke u prezantuar me një koncept të thellë emocional dhe një regji të ndërtuar mbi temat e mallit, mungesës dhe shpresës, transmeton albinfo.ch.

Këtë vit Shqipëria përfaqësohet nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, një temë prekëse që trajton dhimbjen e ndarjes dhe mallin për figurën e nënës. Alis pritet të ngjitet në skenën e Eurovisionit më 14 maj, ndërsa sot ka mbajtur provën e parë në skenën e festivalit që sivjet zhvillohet në Vjenë.

Performanca nis me artistin të gjunjëzuar në një skenë të errët, përpara se të ngrihet mes reve të tymit, duke vendosur menjëherë një atmosferë dramatike dhe të ngarkuar emocionalisht.

I veshur me një kostum të zi me detaje të ndritshme, Alis shoqërohet nga një narrativë vizuale e fuqishme në ekranet skenike. Në grafikë shfaqet një grup grash, disa prej tyre të veshura me elemente tradicionale shqiptare, që simbolizojnë nënat shqiptare dhe pritjen e tyre të gjatë për rikthimin e bijve.

Rrëfimi vizual ndërthuret edhe me skena ku djemtë shfaqen duke kënduar, duke përcjellë mesazhin se gjendja është e përkohshme dhe se shpresa për një të ardhme më të mirë mbetet e gjallë. Kjo krijon një kontrast të fortë emocional mes largimit dhe optimizmit.

Gjatë interpretimit, teksti i këngës do të shfaqet edhe me titra në gjuhën angleze, një praktikë e përdorur edhe më herët në Eurovision, për të ndihmuar publikun ndërkombëtar të kuptojë mesazhin e këngës.

Ndërkohë, produksioni skenik pritet të sjellë edhe elemente të tjera surprizë, të cilat ende nuk janë zbuluar plotësisht, duke ruajtur misterin për performancat e ardhshme./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/r/1FqfKLu1kc/?mibextid=wwXIfr

https://www.facebook.com/share/1LUvSjffxh/?mibextid=wwXIfr

Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka shpallur Shqipe Neziri Velën fituese të çmimit “Europiania e Vitit 2026”, për kontributin e saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe promovimin e qeverisjes së qëndrueshme në sektorin e energjisë në Kosovë dhe më gjerë, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës së BE-së, Neziri Vela është një profesioniste me mbi 20 vjet përvojë në sektorin e energjisë, qeverisje të mirë dhe luftë kundër korrupsionit. Ajo u vlerësua veçanërisht për rolin e saj si bashkëthemeluese e organizatës “Gratë në Energji dhe Miniera”, përmes së cilës ka kontribuar në mentorimin dhe trajnimin e qindra studenteve dhe profesionisteve të reja.

“Si bashkëthemeluese e organizatës ‘Gratë në Energji dhe Miniera’, ajo ka luajtur rol kyç në ofrimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit për qindra studente dhe profesioniste… duke krijuar një gjeneratë të re lidere në sektorë historikisht të dominuar nga burrat”, thuhet në vlerësimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Zyra e BE-së bëri të ditur se Neziri Vela ishte një nga katër të nominuarit nga publiku i Kosovës, bashkë me Avni Mustafën, drejtor i Roma Versitas Kosova, Dejan Radivojeviqin, drejtor i Forumit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multi-Etnik, si dhe Rozafa Bashën, prorektore për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Paneli shqyrtues i nominimeve ishte i përbërë nga anëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të prezencës së BE-së në Kosovë./Albinfo.ch

Esra Zhubi doktoron me sukses në Universitetin prestigjioz Semmelweis në Budapest

Dr. Esra Zhubi ka mbrojtur me sukses temën e doktoraturës (PhD) në Universitetin prestigjioz Semmelweis University në Budapest, transmeton albinfo.ch.

Doktorimi i saj është realizuar në fushën e Neurologjisë, duke shënuar një arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale.

Mbrojtja e tezës së doktoraturës në Universitetin “Semmelweis”, një nga institucionet më të njohura mjekësore në Evropë, konsiderohet një sukses i veçantë dhe një hap i rëndësishëm në avancimin e mëtejshëm të karrierës së Dr. Zhubit.

Ky doktorim përfaqëson një kapitull të ri në rrugëtimin e saj profesional, duke dëshmuar përkushtim dhe nivel të lartë akademik në një fushë të rëndësishme të shkencave mjekësore./Albinfo.ch

Esra Zhubi

Zvicër: Rekord shpenzimesh në fushatat për dy referendume

Fushata për referendumin mbi nismën “Jo Zvicrës me 10 milionë banorë” po shënon shifra rekord në financim, duke u bërë votimi më i shtrenjtë që nga vendosja e rregullave të transparencës në Zvicër në vitin 2024.

Sipas të dhënave të publikuara, deri tani janë deklaruar mbi 15 milionë franga zvicerane për fushatën, ndërsa shuma pritet të rritet edhe më tej. Nga kjo, 8.9 milionë CHF janë për kampin kundër nismës dhe 6.4 milionë CHF për mbështetësit.

Nisma synon kufizimin e popullsisë rezidente të Zvicrës në maksimum 10 milionë banorë deri në vitin 2050, me masa të mundshme kufizuese në fushat e migracionit dhe bashkimit familjar, si dhe ndikime në marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë ato me BE-në.

Mbështetësit, kryesisht nga radhët e Partisë Popullore Zvicerane (SVP), argumentojnë se rritja e migracionit po ndikon në krizën e banesave dhe sigurinë. Ndërkohë, kundërshtarët – një koalicion i gjerë sindikatash, partish dhe organizatash ekonomike – paralajmërojnë pasoja për ekonominë dhe sistemin pensional, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën ditë do të votohet edhe për ndryshimet në Ligjin për Shërbimin Civil, ku janë regjistruar rreth 620 mijë franga shpenzime fushate. Reforma synon ta bëjë më pak tërheqës kalimin nga shërbimi ushtarak në atë civil dhe rrit kohëzgjatjen minimale të shërbimit civil në 150 ditë.

Votimi për të dy çështjet do të mbahet më 14 qershor.

Gjykata Evropiane dënon Zvicrën për shkelje të së drejtës së protestës gjatë Marshit të Grave në Gjenevë

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka dënuar Zvicrën për shkelje të lirisë së tubimit dhe protestës gjatë manifestimeve të Ditës Ndërkombëtare të Gruas në Gjenevë, në mars të vitit 2019. Organizatorja e protestës ishte dënuar nga autoritetet zvicerane për masa të pamjaftueshme sigurie.

Në vendimin e publikuar të enjten, gjyqtarët në Strasburg vlerësuan se fakti që një organizatore “është tejkaluar nga barra e organizimit të protestës” nuk përbën në vetvete një veprim të dënueshëm.

Sipas GJEDNJ-së, gjatë protestës nuk kishte pasur rrezik serioz apo trazira të mëdha, ndërsa organizatorja nuk kishte kryer asnjë shkelje personale. Gjykata konsideroi se gjoba prej 200 frangash zvicerane, edhe pse modeste, ishte disproporcionale me synimin për mbrojtjen e rendit publik, siç kishin argumentuar autoritetet zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Gjykata theksoi gjithashtu se organizatorja nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e personave të tjerë pjesëmarrës në protestë. Po ashtu, gjyqtarët kritikuan faktin se ajo ishte dënuar vetëm mbi bazën e raportit policor, ndërsa kërkesa e saj për të thirrur dëshmitarë në mbrojtje ishte refuzuar.

“Ndërhyrje e panevojshme në një shoqëri demokratike”

Shtatë gjyqtarët e Gjykatës Evropiane arritën në përfundimin se autoritetet zvicerane kishin ndërhyrë në ushtrimin e të drejtës për tubim paqësor, të garantuar nga neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, transmeton albinfo.ch.

Protesta e natës, e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ishte autorizuar paraprakisht nga autoritetet. Megjithatë, organizatorja ishte paralajmëruar se do të mbahej personalisht përgjegjëse nëse nuk respektoheshin kushtet e lejes.

Sipas policisë, në protestë kishin marrë pjesë rreth një mijë persona dhe ishin regjistruar disa incidente, përfshirë grafite në vitrinat e dyqaneve dhe përdorimin e mjeteve piroteknike. Gjykatat në Gjenevë e kishin fajësuar organizatoren për dështimin e ekipit të sigurisë dhe për tentativën për të ndryshuar itinerarin e protestës.

Nga ana tjetër, organizatorja kishte deklaruar se ishte përdorur vetëm një mjet i vogël piroteknik dhe se policia nuk kishte kryer asnjë arrestim gjatë demonstratës. Ajo kishte kërkuar pa sukses dëgjimin e dëshmitarëve, përfshirë anëtarët e ekipit të saj të sigurisë.

Dënimi ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Federale

Një gjykatë në Gjenevë e kishte dënuar organizatoren në vitin 2020 për mosrespektim të kushteve të përcaktuara për organizimin e protestës, sipas ligjit kantonal për demonstratat.

Vendimi ishte konfirmuar më pas nga Gjykata Kantonalе dhe nga Gjykata Federale e Zvicrës, e cila kishte argumentuar se organizatorja nuk kishte përmbushur detyrimin ligjor për bashkëpunim me policinë.

Megjithatë, me vendimin e fundit, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi se autoritetet zvicerane kishin shkelur të drejtën themelore për protestë paqësore

Monako gjobit UBS-në me 6 milionë euro për pastrim parash

Mbikëqyrësi i tregjeve financiare të Monakos ka gjobitur UBS me 6 milionë euro për “shkelje të shumta serioze” në kontrollet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Numri dhe përsëritja e këtyre mangësive tregojnë një dështim të përgjithshëm në sistemin e përputhshmërisë dhe kontrollit të brendshëm të institucionit”, thuhet në vendimin e publikuar në faqen e internetit të Autoritetit të Sigurisë Financiare të Monakos (AMSF) dhe të raportuar nga mediat Gotham City dhe Inside Paradeplatz.

Duke shqyrtuar një periudhë nga viti 2018 deri në vitin 2023, AMSF vuri re vonesa në transmetimin e raporteve të transaksioneve të dyshimta dhe në përgatitjen e vlerësimit të saj global të rrezikut.

UBS gjithashtu nuk ishte në gjendje të përmbushte kërkesën e saj ligjore për të verifikuar identitetin, të ardhurat dhe përfituesit e klientëve të saj. Kjo ishte “pavarësisht rrezikut të brendshëm të paraqitur nga baza e saj e klientëve, më shumë se gjysma e të cilave klasifikohet si rrezik i mesëm deri në shumë të lartë”.

Dega e UBS në Monako dështoi të identifikonte dhe verifikonte identitetin e zinxhirëve të pronësisë dhe kontrollit të klientëve të saj me struktura komplekse (më shumë se tre nivele pronësie midis mbajtësit të llogarisë dhe pronarit përfitues).

As nuk vërtetoi të kaluarën e klientëve të saj me rrezik të lartë, siç janë personat e ekspozuar politikisht (PEP), ose nuk kontrolloi konsistencën e transaksioneve të caktuara, thekson AMSF, transmeton albinfo.ch.

Transferta të pajustifikuara

Në vendimin prej 77 faqesh, disa “alarme transaksionale” citohen si ilustrim, duke përfshirë dy transferta dalëse prej 400,000 dollarësh secila në llogaritë personale të një klienti në Liban dhe Arabinë Saudite, për të cilat analiza u kufizua në natyrën e supozuar të përsëritur të transaksioneve, pa ndonjë dokumentacion të saktë të qëllimit të tyre.

Ose një transfer dalës prej 500,000 € në një kompani bizhuterish në pronësi të një klienti, i cili u justifikua në bazë të një fature prej vetëm 73,000 €.

E kontaktuar nga AWP, banka më e madhe e Zvicrës “merr shënim sanksionin administrativ” dhe aktualisht po shqyrton këtë vendim, duke përsëritur se është “e përkushtuar për t’u përmbajtur standardeve më të larta rregullatore dhe mbetet e fokusuar në shërbimin e klientëve të saj”.

Përveç gjobës financiare “në përpjesëtim me të ardhurat neto mesatare bankare të tre viteve të fundit financiare” të degës, që arrin në rreth 132.2 milionë euro, AMSF ka vendosur ta publikojë vendimin në faqen e saj të internetit në formë të emërtuar për një periudhë prej pesë vitesh.

Ky vendim, i njoftuar në fund të prillit, mund të apelohet brenda dy muajsh.

Stolat e autostop-it për të moshuarit po fitojnë terren në Zvicrën frëngjishtfolëse

Në Château-d’Œex, disa metra në këmbë tani janë të mjaftueshme për të arritur në një ndalesë për autostop. Në fshatin Vaud, stolat e pajisura posaçërisht u lejojnë banorëve të sinjalizojnë destinacionin e tyre falë një shenje, pa pasur nevojë të shtrijnë gishtin e madh në anë të rrugës.

Kjo praktikë i sjell kujtime Martine Monnet, 72 vjeç, një përdoruese e pajisjes. “Ne jemi nga një brez ku kur ishim të rinj bënim autostop! Pra, për ne, është plotësisht normale. Tani, as nuk kemi nevojë të ngremë gishtat e mëdhenj”, u shpreh ajo për RTS.

Pajisja, e pajisur me një bllok rrëshqitës “hir-stop”, nuk funksionon gjithmonë menjëherë. Megjithatë, pas disa refuzimeve, pritja përfundon duke dhënë fryte. Dhjetë minuta më vonë, një shofer më në fund ndalet për ta çuar Martine në stacion.

Krijoni lidhje shoqërore

Koncepti i këtyre stolave ​​lindi dy vjet më parë. E nisur nga të moshuarit, iniciativa tani po fiton vrull. Tre stola të rinj sapo janë instaluar në qytetin Haut-Intyamon të Fribourg-ut. Çdo instalim kushton maksimumi 1000 franga.

Për Yves Baechler, menaxher i projektit të lëvizshmërisë në Parc naturel regional Gruyère Pays-d’Enhaut, çështjet shkojnë përtej çështjes së transportit.

“Sfida për të moshuarit është lëvizshmëria, por edhe ruajtja e lidhjeve shoqërore. Të kesh shoferë pak më të rinj krijon edhe shkëmbime të tjera”, shpjegon ai, transmeton albinfo.ch.

Ai deklaroi se sfida e tretë është gjithashtu dekarbonizimi i udhëtimit duke promovuar përdorimin e përbashkët të makinave.

Autoritete lokale të sigurta

Parc naturel regional Gruyère Pays-d’Enhaut koordinon projektin me komunat pjesëmarrëse. Në terren, autoritetet lokale janë të sigurta për të ardhmen e skemës.

“Mendoj se do të shkojë mjaft mirë. Sepse pas saj qëndron gjithë kjo shoqëri, kontakti me të tjerët, për të ofruar një shërbim. Dhe pastaj, këto janë vlera mjaft të rrënjosura mirë në rajonin tonë”, gëzohet Corine Sigrist, zëvendës sindikatë e Haut-Intyamon (FR).

Fshatra të tjera në rajon tashmë po e shqyrtojnë miratimin e këtij koncepti.

Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri

Me fillim të muajit maj, Austria planifikon të monitorojë me kamera rrugët e disa qyteteve.

Sistemi i ri synon të parandalojë hyrjen e automjeteve të paautorizuara në zona të caktuara urbane. Dhe mbi të gjitha, është i kushtueshëm nëse nuk jeni të kujdesshëm.

Kamerat e trafikut tani do të regjistrojnë çdo targë pas hyrjes dhe do ta krahasojnë atë me një listë të autorizuar. Sipas Ministrisë Austriake të Transportit, të dhënat e automjetit dhe të pronarit do të përpunohen në përputhje me GDPR-në, d.m.th., Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave, raporton reisereporter, transmeton albinfo.at.

Bëhet e ditur se mund të identifikohen edhe targat e huaja ndërsa përputhja e të dhënave të pronarëve të automjeteve do të bëhet ende manualisht deri në vitin 2027, një platformë në të gjithë BE-në do të lejojë më pas qasjen në të gjitha bazat e të dhënave të regjistrimit të automjeteve. Në atë pikë, shkeljet mund të ndiqen penalisht shpejt edhe përtej kufijve.

Kufizimet e hyrjes synojnë të zbatohen kryesisht në qendrat e qyteteve, zonat e banuara dhe zonat përpara shkollave. Për të parandaluar që dikush të pretendojë se nuk e njeh rregullin, aktualisht po zhvillohen shenja të reja trafiku. Shenja e re do të ngjajë me një shenjë klasike ndalimi me një simbol kamere në qendër dhe fjalët “Kontroll i Automatizuar i Hyrjes”.

Përveç kësaj, në fillim të zonës së monitoruar do të instalohet një shenjë rrugore me një simbol të bardhë kamere dhe fjalët “ZUF-Kontrolle” (Kontrolli ZUF) në mënyrë që shoferët ta njohin atë në kohë.

Sipas revistës “Auto Motor Sport”, kushdo që hyn në një zonë të monitoruar pa leje përballet me një gjobë deri në 726 euro. Shkelësit e përsëritur ose shkeljet veçanërisht të rënda mund të gjobiten deri në 2,180 euro.

OVL-UÇK dërgon letër apeli në ambasadat mike, pas shtyrjes së datës së aktgjykimit në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se sot zyrtarisht u është drejtuar ambasadave mike në Kosovë me një letër apeli pas vendimit për shtyerjen e aktgjykimit të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Bëhet e ditur se letra është dërguar me qëllim për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare.

“Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë’, thuhet në letër, transmeton albinfo.ch.

Letra e plotë:

I/E nderuar Ambasador,

Ndërsa Kosova pret vendimin përfundimtar që do ta merret nga Gjykata Speciale, u drejtohemi miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në emër të mijëra veteranëve dhe qytetarëve, besimin e të cilëve e mbartim me përgjegjësi të plotë.

Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.

Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë.

Mbetemi të bindur se akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme. Kosova ka dëshmuar, vazhdimisht dhe pa rezerva, përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së detyrimeve të veta.

Prandaj, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë. Ai duhet ta çojë përpara partneritetin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare mbi bazën e respektit të ndërsjellë. Një vendim i tillë duhet të qëndrojë në harmoni me themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë: të siguruara përmes sakrificës, të mbrojtura përmes besnikërisë ndaj interesit kombëtar, të mbajtura gjallë nga vendosmëria e një populli liridashës.

Me respekt, OVL UÇK.

Si rriten pagat në Zvicër me moshën?

Ndërsa pagat zvicerane rriten me moshën, ky trend ndryshon ndjeshëm nga një sektor në tjetrin, zbulon një studim i ri qeveritar.

Pagat janë rritur vazhdimisht në Zvicër gjatë 15 viteve të fundit.

Në vitin 2024 (viti i fundit për të cilin ka të dhëna zyrtare), paga mesatare bruto mujore për një pozicion me kohë të plotë ishte 7,024 franga, krahasuar me 6,788 në vitin 2022.

Një nga faktorët që ndikojnë në paga (përveç pozicionit dhe përvojës profesionale) është mosha e punonjësit.

Kjo është ajo që del nga Anketa e re e Strukturës së të Ardhurave Zvicerane, e publikuar nga Zyra Federale e Statistikave më 24 shkurt.

Variacione të konsiderueshme sektoriale

Studimi zbulon dallime të rëndësishme: paga mesatare mujore varion nga 5,570 franga për punonjësit nën 30 vjeç, në 7,288 franga për personat e moshës 30 deri në 49 vjeç.

Por ata që fitojnë më shumë janë ata të moshës 50 vjeç e lart: paga e tyre mesatare është afër 8,000 frangave në muaj në vitet që çojnë në dalje në pension.

Siç është rasti me pagat në përgjithësi, boshllëqet midis grupmoshave mund të ndryshojnë ndjeshëm në varësi të profesionit.

Në përgjithësi, sa më e lartë të jetë paga, aq më e madhe është ndryshimi dhe anasjelltas.

Për drejtorët ekzekutivë të kompanive, menaxherët e lartë dhe drejtues të tjerë të lartë nën 30 vjeç, paga mujore është 6,505 franga, krahasuar me 10,277 franga për ata të moshës 30-49 vjeç – domethënë, një rritje e madhe prej 58 përqind.

Ky trend është gjithashtu i dukshëm në sektorët në fundin e poshtëm të shkallës së pagave, por në një shkallë shumë më të vogël.

Për ata që punojnë në sektorin e shitjes me pakicë, për shembull, rritja është minimale, raporton thelocal, transmeton albinfo.ch.

Nga një pagë mesatare prej 4,712 frangash për ata nën 30 vjeç, paga rritet në 5,058 franga për grupmoshën tjetër – një rritje prej mezi 7 përqind.

Një tjetër gjetje: gratë ende paguhen më pak se burrat

Vazhdon të ketë hendeqe të konsiderueshme në paga midis burrave dhe grave.

Në vitin 2024, kjo diferencë ishte mesatarisht 8.4 përqind, megjithëse ndonjëherë arrinte deri në 25 përqind, varësisht nga sektori ekonomik.

Megjithatë, hendeku nuk kompensohet nga mosha e një punonjësi.

Përkundrazi, studimi zbuloi se mosha shpesh e përkeqëson këtë pabarazi.

Është shumë e zakonshme që gratë mbi 50 vjeç të paguhen më pak se kolegët e tyre meshkuj të moshës 30 deri në 49 vjeç në të njëjtin profesion.

Paga mesatare për gratë është 7,135 franga në muaj në të gjitha profesionet, krahasuar me 7,471 franga për homologët e tyre meshkuj.

Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten

Në Linz të Austrisë, tre persona janë raportuar të vrarë jashtë një restoranti.

Një zëdhënës i policisë ka njoftuar se arma me të cilën është kryer vrasja, është gjetur teksa ai nuk ka dhënë më shumë detaje në këtë fazë.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një sulm me armë zjarri ku një burrë ka vrarë dy gra dhe më pas veten, shkruan Kronen Zeitung, transmeton albinfo.at.

Bëhet e ditur se një austriak rreth 90-vjeçar dyshohet se ka qëlluar për vdekje gruan e tij të së njëjtës moshë dhe vajzën e tyre, rreth 60 vjeçe, para një restoranti tradicional dhe më pas ka kryer vetëvrasje, teksa dyshohet se pas ngjarjes qëndron një konflikt për trashëgiminë.

Ibrahim Zahiri zgjidhet kryetar i Asamblesë Komunale të Opfikonit

Në Komunën e Opfikonit, një komunë në Kantonin e Cyrihut (dhe në afërsi të Aeroportit të Cyrihut) jeton një komunitet mjaft i mdh dhe shumë aktiv i shqiptarëve. Në përputhje me këtë, edhe përfaqësimi i tyre në institucionet komunale ka qenë prej vitesh dhe vazhdon të jetë i konsiderueshëm.

Kjo traditë vazhdon: Në mbledhjen e mbajtur të hënën, në krye të Asamblesë u zgjodh aktivisti tashmë shumëvjeçar shqiptar, Ibrahim Zahiri nga GV.

Të kujtojmë: Deri pak vite më parë kryetare e Asamblesë Komunale ishte Qëndresa Sadriu nga Partia Socialdemokrate.

Në mbledhjen e parë të së hënës, këshilli i sapozgjedhur bashkiak i Opfikonit (Asambleja Komunale) emëroi kryesinë e vet dhe u dha lamtumirën anëtarëve që po largohen.

Mbledhja filloi me zgjedhjen e presidentit të ri të këshillit, i cili do të kryesojë mbledhjet deri në prill 2027, transmeton albinfo.ch. Procedurat u drejtuan nga Patrick Rouiller (në qendër), anëtari i këshillit me përvojën më të gjatë, me 27 vjet shërbim. Ibrahim Zahiri nga Gemeindeverein (Shoqata e Komunës) mori 27 nga 32 votat dhe me këtë u zgjodh kryetar për një vit. Një fletë votimi ishte bosh dhe asnjë nuk ishte e pavlefshme, shkruan stadt-anzeiger.ch.

Myrta Hey (Die Mitte) do të shërbejë si nënkryetare për 12 muajt e ardhshëm. Ajo mori 29 vota (2 bosh). Luc Sierro (Partia Liberale e Gjelbër) u zgjodh nënkryetar i dytë; ai mori votat e të gjithë anëtarëve të parlamentit të pranishëm, përcjell albinfo.ch. Këta të tre, së bashku me sekretaren e këshillit Sara Schöni, formojnë komitetin ekzekutiv të këshillit bashkiak.

Në fjalimin e tij inaugurues, Ibrahim Zahiri kujtoi fillimet e karrierës së tij politike në Opfikon: “Gjithçka filloi pikërisht këtu: U bëra president i këshillit të prindërve për shkollën Lättenwiesen”, u shpreh ai.

Në vitin 2014, Ibrahim Zahiri u zgjodh në këshillin bashkiak të Opfikonit dhe në komitetin e auditimit. Vitin e kaluar, ai pasoi kolegen e tij të partisë Rebeca Meier si nënkryetare e parë, pasi ajo ishte larguar.

Hëna Sadriu, e para nga e majta

Në Asamblenë Komunale të Opfikonit është zgjedhur si anëtare e re edhe Hëna Sadriu nga Partia e Gjelbër ndërsa anëtari i deritashëm, Fatmir Zahiri është rizgjedhur në Komisionin e Auditimit.

(Fotot: Roger Suter, stadt-anzeiger.ch)

 

Zermatt ka më shumë të huaj se zviceranë

Zermatt, qyteti i njohur turistik në Alpet zvicerane, i vendosur në këmbët e malit Matterhorn, konsiderohet në mbarë botën si një simbol i Zvicrës tradicionale, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, sipas të dhënave të fundit, ai është më ndërkombëtar se shumica e komunave të tjera në vend. Në Zermatt jetojnë 2,883 shtetas të huaj, një numër që tejkalon banorët zviceranë, të cilët janë 2,748.

Kjo situatë shpjegohet kryesisht me faktin se shumica e punonjësve në sektorin e shërbimeve turistike në resort vijnë nga jashtë vendit.

Rritja e punësimit të huaj ka bërë që Zermatt të kthehet në një qendër shumëkulturore, duke reflektuar natyrën ndërkombëtare të turizmit në Zvicër./Albinfo.ch

Zvicra me “parajsë të re tatimore” për kompanitë

Zvicra vazhdon të mbetet një nga vendet më atraktive në Evropë për kompanitë, falë taksave të ulëta. Sipas një krahasimi të ri tatimor nga kompania PwC, kantoni i Luzernit është bërë vendi më i lirë për biznes në Zvicër për vitin 2026, përcjell albinfo.ch.

Luzerni ka ulur normën e tatimit për kompanitë në 11.66%, duke kaluar kantonin e Zugut, i cili tani qëndron në 11.71%. Edhe pse diferenca është e vogël, ndryshimi e vendos Luzernin në krye të listës së kantoneve më konkurruese në Zvicër.

Në total, tetë kantone kanë ulur taksat për bizneset, përfshirë Cyrihun, Aargau, Schwyz dhe Basel-Landschaft. Ndërkohë, katër kantone i kanë rritur lehtë normat tatimore, mes tyre Basel-Stadt, Schaffhausen, Solothurn dhe Jura.

Në anën tjetër, kantoni i Bernës mbetet më i shtrenjti në Zvicër për kompanitë, me një normë prej 20.54%, pothuajse dyfish më e lartë se në Luzern. Edhe Cyrihu vazhdon të jetë në grupin e kantoneve me taksa më të larta, pavarësisht një uljeje të lehtë në 19.47%.

Ky zhvillim e forcon edhe më shumë konkurrencën tatimore brenda Zvicrës, duke e bërë vendin një prej destinacioneve më tërheqëse në Evropë për investime dhe kompani ndërkombëtare./Albinfo.ch

Zyrtarisht: Zvicra vendos kontrolle kufitare gjatë samitit të G7 në Francë

Qeveria e Zvicrës ka njoftuar vendosjen e kontrolleve të përkohshme në kufi gjatë samitit të G7, i cili do të mbahet nga 15 deri më 17 qershor në qytetin Évian të Francës, përcjell albinfo.ch.

Duke qenë se Évian ndodhet vetëm rreth 45 kilometra larg Gjenevës, Këshilli Federal ka vendosur që kontrollet kufitare mes Zvicrës dhe Francës të zbatohen nga 10 deri më 19 qershor.

Autoritetet zvicerane theksojnë se, edhe pse samiti zhvillohet në territorin francez, rajoni i Gjenevës dhe Lozanës, si dhe i gjithë zona e Liqenit të Gjenevës, mund të përballet me rreziqe sigurie.

Sipas Këshillit Federal, masat janë të domosdoshme duke marrë parasysh përvojat e mëparshme, ku samitet e G7 janë shoqëruar me përleshje të dhunshme, sabotime dhe dëmtime të pronës.

Kontrollet synojnë të rrisin sigurinë në rajon gjatë periudhës së samitit dhe të parandalojnë çdo incident të mundshëm./Albinfo.ch

Zvicër: Gjenden 14 kilogramë kokainë të fshehura në parakolpin e veturës

Në Zvicër, gjatë një kontrolli rutinë në autostradë, autoritetet kanë zbuluar një rast të madh të trafikut të drogës. Të shtunën, në zonën e pushimit në Pratteln, në kantonin Basel-Landschaft, zyrtarët e Drejtorisë Federale të Doganës dhe Sigurisë së Kufirit (BAZG) kanë ndalur një veturë me targa gjermane, përcjell albinfo.ch.

Në timon ndodhej një shtetas kroat 39-vjeçar. Pas intervistimit fillestar, autoritetet vendosën ta kontrollojnë automjetin në mënyrë më të detajuar në Arlesheim.

Gjatë kontrollit teknik, specialistët zbuluan në pjesën e pasme të parakolpit (stossstange) 14 pako me nga një kilogram kokainë secila – gjithsej 14 kilogramë drogë.

Substanca u sekuestrua menjëherë dhe iu dorëzua Prokurorisë së Basel-Landschaft, ndërsa shoferi u arrestua dhe ndodhet në paraburgim. Ndaj tij është hapur edhe një procedurë penale, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Autoritetet zvicerane kanë theksuar se kontrollet e tilla do të vazhdojnë në mënyrë të intensifikuar, sidomos në zonat kufitare dhe në autostradat kryesore./Albinfo.ch

9-vjeçari nga Gjeneva: Dua të bëhem kampioni i parë zviceran në Formula 1

Vetëm 9 vjeç, por me një ambicie të qartë: të bëhet kampioni i parë zviceran në Formula 1. Aiden Moreira nga Gjeneva po konsiderohet një nga talentet më premtuese në botën e kartingut dhe tashmë garon në nivelin elitar ndërkombëtar në kategorinë Mini U10, transmeton albinfo.ch.

I riu zviceran stërvitet katër herë në javë dhe merr pjesë në rreth 26 gara çdo vit. Synimi i tij është i madh: të arrijë në Formula 1 dhe një ditë të garojë për ekipin McLaren.

Gjatë një fundjave garash në pistën “South Garda Karting” në Itali, ku mblidhen talentet më të mira të botës në karting, Aiden ishte mes pjesëmarrësve në turneun prestigjioz Trofeo Andrea Margutti. Ai garon për ekipin e njohur CRG Racing Team.

I shoqëruar nga babai i tij, Duarte Moreira, Aiden kaloi disa ditë intensive me stërvitje dhe gara, duke treguar pasionin e tij për shpejtësinë dhe disiplinën në pistë, shkruan Blick.

Në paddock, mes zhurmës së motorëve dhe erës së gomave të djegura, i riu nga Gjeneva vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij të madhe – një rrugë e gjatë që mund ta çojë një ditë në majën e motorsportit botëror./Albinfo.ch

Çfarë i ndodh trupit gjatë një fluturimi me avion?

Udhëtimi me avion për shumë njerëz është një përvojë e këndshme, por gjatë fluturimeve të gjata organizmi mund të përjetojë disa ndryshime fizike dhe psikologjike. Sipas ekspertëve, presioni, ajri i thatë dhe qëndrimi i gjatë ulur ndikojnë në mënyrën se si ndihemi gjatë udhëtimit, përcjell albinfo.ch.

Fryrje dhe mpirje të këmbëve
Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë dhe mungesa e lëvizjes mund të shkaktojnë fryrje ose mpirje të këmbëve. Për këtë arsye rekomandohet që pasagjerët të lëvizin herë pas here në kabinë dhe të bëjnë ushtrime të lehta për këmbët.

Ndryshon perceptimi i shijes
Studimet tregojnë se gjatë fluturimit mënyra se si funksionojnë shqisat e shijes ndryshon. Për këtë arsye ushqimet dhe pijet mund të kenë një shije tjetër nga ajo që jemi mësuar të ndiejmë në tokë.

Probleme me lëkurën
Ajri i thatë brenda avionit mund të shkaktojë dehidratim, duke çuar në tharje të lëkurës apo edhe irritime. Ekspertët rekomandojnë konsumimin e ujit dhe përdorimin e kremrave hidratues gjatë fluturimit.

Dhimbje apo bllokim të veshëve
Ndryshimet e presionit gjatë ngritjes dhe uljes së avionit shpesh shkaktojnë dhimbje ose bllokim të veshëve. Përdorimi i kufjeve ose përtypja e çamçakëzit mund të ndihmojë në lehtësimin e këtij problemi.

Rritje e nervozizmit
Edhe personat që nuk kanë frikë nga fluturimi mund të ndihen më nervozë gjatë udhëtimit. Kjo shpesh lidhet me lodhjen, mungesën e kontrollit mbi situatën dhe ambientin e mbyllur. Shikimi i një filmi, leximi i një libri apo gjumi mund të ndihmojnë në uljen e stresit gjatë fluturimit./Albinfo.ch